Ambasadorja holandeze: Të mos humbasim kohë, ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen dhe reformat duhet të zbatohen
Proceset kushtetuese dhe temat bilaterale krijuan tensione të konsiderueshme politike, por dua të theksoj përsëri se asnjë çështje bilaterale nuk duhet të bëhet pengesë në rrugën tonë evropiane. Ne mbetemi të gatshëm për një dialog parimor me të gjithë fqinjët, ndërsa progresi i Shqipërisë dhe Malit të Zi është dëshmi se politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) është gjallë dhe se rajoni ynë mund të ecë përpara, tha Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në fjalimin e tij në konferencën e 8-të plenare të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (KKBE-MK) nën moton “Reformat nga ana tjetër e retorikës: Sfidat rajonale në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, raporton 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
Për vendin tonë, siç tha Gashi, ky është një moment motivimi, jo presioni.
Në fjalimin e tij në sallën nën kupolën e madhe të ndërtesës legjislative, Spikeri i Kuvendit u përqendrua kryesisht te Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, duke iu referuar vlerësimeve pozitive në të, por edhe vërejtjeve të theksuara në pjesën mbi proceset e reformave dhe ndryshimet kushtetuese.
“Jemi të vetëdijshëm se në një debat të këtillë do të dëgjohen pakënaqësi dhe kritika, si ndaj Kuvendit, ashtu edhe ndaj qeverive, e madje edhe ndaj Bashkimit Evropian. Adresimi i fajtorit është tashmë pjesë e diskursit të përditshëm politik. Ka nga ata që do ta drejtojnë gishtin nga deputetët, duke supozuar se ato po e bllokojnë rrugën evropiane duke mos votuar për ndryshimet kushtetuese; ka të tjerë që do ta fajësojnë Qeverinë, duke supozuar se nuk ka vendosur ritmin e nevojshëm për reformat evropiane; ndërsa një pjesë tjetër do ta ngrejë çështjen e garancive dhe standardeve të dyfishta, duke kërkuar siguri nga fqinjët dhe Bashkimi Evropian. Dhe mund të them se të gjitha këto segmente janë një pjesë normale e një demokracie funksionale”, tha Gashi.
Megjithatë, siç deklaroi ai, detyra e tij si Kryetar i Kuvendit është të kujtojë se Republika e Maqedonisë së Veriut ka arritur nivelin e pjekurisë institucionale dhe se ka vendosur qartë për interesin e saj strategjik.
“Jam këtu për të siguruar që interesi strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut është i qartë dhe i palëkundur – e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Duke folur për ngjarjen konkrete, Gashi tha se e sheh atë si një forum të nevojshëm për debat të argumentuar dhe për gjetjen e zgjidhjeve që e forcojnë përparimin demokratik dhe institucional të vendit.
Në këtë kontekst ai iu referua Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2025 për vendin. Ai tha se është i kënaqur që puna e Kuvendit është vlerësuar si e kënaqshme në të, por sa i përket vërejtjeve për polarizimin politik, përdorimin e procedurave të përshpejtuara, nevojën për të forcuar mbikëqyrjen parlamentare, si dhe përfshirjen e shoqërisë civile, ai tha se ato përfaqësojnë një drejtim të qartë për përmirësimin e punës sonë.
Këto pretendime në raport, tha Gashi, nuk ishin një surprizë për të. Ai i bëri thirrje Qeverisë dhe kolegëve deputetë të shmangin propozimin dhe miratimin e ligjeve përmes procedurave të shkurtuara.
“Ta zgjerojmë hapësirën e debatit dhe ta rrisim kulturën politike. Integrimi evropian nuk matet nga shpejtësia e procedurave apo narrativat që ato ndajnë, por nga cilësia e reformave dhe besimi që institucionet e gëzojnë tek qytetarët”, tha Kryetari i Parlamentit.
Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, ai tha se ato janë ndër vërejtjet kryesore në Raport dhe se padyshim mbeten sfida kryesore në këtë fazë të procesit. Megjithatë, siç shtoi ai, asnjë çështje bilaterale nuk duhet të bëhet pengesë në rrugën evropiane të vendit.
Ai e përfundoi fjalimin e tij me mesazhin se “gara jonë nuk duhet të zhvillohet në retorikë, por në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për interesat e përbashkëta”.
Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në vend, Ozlem Canel, e cila gjithashtu mbajti fjalimin e saj në këtë eveniment, tha se raporti i KE-së e bëri të qartë se ku vendet kandidate për anëtarësim kanë bërë përparim dhe ku nuk ka përparim.
Për sa i përket vendit tonë ajo tha se Holanda e ndan qëndrimin me Komisionin Evropian se ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen dhe zbatimi i reformave të nevojshme në fushat kryesore duhet të përfundojë.
“Dhe prandaj mesazhi im kryesor është të mos humbasim kohë të çmuar. Për Maqedoninë e Veriut sfida kryesore është të zhbllokohet fillimi formal i negociatave. Ne ndajmë mendimin me KE-në se këto ndryshime kushtetuese duhet të kryhen dhe zbatohen dhe sidomos për Maqedoninë dhe rajonin është e rëndësishme të përfundojë zbatimi i reformave të nevojshme dhe fushat konkrete janë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe reformat në administratën publike”, tha Canel.
Ajo theksoi se ky ka qenë një qëndrim konzistent i Holandës që nga fillimi dhe se sundimi i ligjit është një pikë kyçe e pranimit në BE.
Ambasadorja holandeze tha se një sfidë e rëndësishme është edhe përshpejtimi i rritjes ekonomike dhe përafrimi i rajonit me standardet e Bashkimit Evropian.
“Të gjitha vendet në rajon po përballen me boshllëqe në tregun e punës, migrim më të madh të të rinjve, përveç kësaj, vendet janë shumë të varura nga importi i energjisë dhe kanë boshllëqe në infrastrukturë. Këto sfida nuk mund të zgjidhen menjëherë, por është e rëndësishme të theksohet se nuk duhet humbur më kohë”, tha Ambasadorja holandeze.
Lidhur me reformat Ambasadorja sllovake në vend, Iveta Hricova, ishte në të njëjtën linjë me Canel, duke thënë se reformat janë me rëndësi thelbësore për integrimin evropian dhe se sundimi i së drejtës është një pikë kyçe e pranimit në BE.
Ambasadorja sllovake tha se së bashku me vendet anëtare të BE-së ajo qëndron fort pas vendit tonë, duke theksuar se përveç mbështetjes së fortë dhe ndihmës teknike dhe financiare, ndan edhe përvojën që ata kanë fituar në rrugën e tyre drejt BE-së.
“Jam e vetëdijshme se vendimet me të cilat përballeni janë politikisht dhe jashtëzakonisht të ndjeshme dhe shumë komplekse dhe shumë të vështira për t’ua komunikuar qytetarëve. Megjithatë, ato përfaqësojnë edhe një mundësi. Çdo hap që rrit transparencën dhe përmirëson qeverisjen është një hap drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më pro-evropiane për vendin tuaj. E shoh seancën si një mundësi për ta riafirmuar vizionin e përbashkët se vendi juaj i përket familjes evropiane. Rruga drejt këtyre qëllimeve mbështetet në bashkëpunimin midis qeverisë, ekspertëve dhe shoqërisë civile. Dhe vetëm përmes një bashkëpunimi të tillë reformat mund të jenë të qëndrueshme”, tha Ambasadorja sllovake në vend.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.