Kur jeta papritur ndalon

Nëntori është muaji i kujtesës sonë kombëtare. Muaji i datave të rëndësishme, i betimeve kolektive, i gjuhës dhe i alfabetit, i historive që na kanë formuar si popull. Zakonisht, në këtë kohë të vitit shkruajmë për përvjetorët, për sakrificat, për arritjet që kanë ndërtuar të tashmen tonë. Por ka ditë kur historia tërhiqet në sfond, sepse një ngjarje e vogël, intime, njerëzore – e cila prek zemrën më shumë se çdo datë zyrtare – të tregon edhe njëherë se sa e brishtë është jeta.

Dje u shua Shpati, një këngëtar i ri, vetëm 40 vjeç. Baba i ri. Artist i talentuar. Një shpirt i butë, i qeshur, i dashur prej të gjithëve. Dikush që e kam njohur që fëmijë, sepse rrugët tona u kryqëzuan shumë herët: kemi ndjekur të njëjtën shkollë fillore, kemi ndarë të njëjtën mësuese – nënën time, e cila na mësoi me vetëm një gjeneratë katërvjeçare ndërmjet nesh. Shpati që në atë moshë e zbuloi talentin e tij dhe ishte fare i sigurtë që do të bëhej ai që më pas e njohën të gjithë, këngëtari simpatik dhe gjithmonë i buzëqeshur. Njerëz të tillë mbeten pjesë e peizazhit tonë njerëzor, gjithmonë diku aty, gjithmonë të njohur, gjithmonë të gjallë në kujtesë.

Por jeta nuk pyet. Vjen një ditë e cila, ndryshe nga të tjerat, të merr frymën jo për shkak të ritmit të shpejtë, por për shkak të një ndalimi të papritur. Dhe atëherë e kupton se sa shumë marrëzi mbajmë me vete: ankesa të kota, gara të panevojshme, tensione që në fund s’kanë asnjë peshë. Në atë ditë, asgjë prej tyre nuk ka rëndësi.

Ajo që mbetet është mirësia. Qeshja që dikur të ka bërë mirë. Zëri që ka mbushur një dhomë me gëzim. Kujtimet e vogla që nuk hyjnë në protokollet e institucioneve, por që peshojnë më shumë se çdo ceremoni. Mbetet fakti se jeta është e shkurtër dhe ne ecim nëpër të sikur do të zgjasë përgjithmonë.

Nëntori na mëson për historinë tonë kolektive, por humbjet e këtilla na mësojnë për historinë personale të secilit prej nesh: se duhet t’i duam njerëzit më fort, t’i falim më shpejt, të mos e shtyjmë gëzimin për “një ditë tjetër”, sepse në kalendarët e jetës sonë askush nuk ka garanci.

Sot, përtej përvjetorëve, dua thjesht të kujtoj se çdo jetë ka vlerë. Se çdo buzëqeshje e falur dikur, mbetet. Dhe se dashuria e mirësia janë të vetmet gjëra që nuk humbin kurrë, edhe kur jeta ndërpritet papritur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.