Ambasadori Gir: Disa ndryshime në Kodin Penal rrezik për rritjen e pandëshkueshmërisë

Ambasadori evropian në vend, David Gir, tha sot se Komisioni Evropian tashmë ka shprehur shqetësimin se disa nga ndryshimet në Kodin Penal bartin rrezikun e rritjes së pandëshkueshmërisë. Duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, ai tha se kësaj pyetjeje tashmë i janë përgjigjur përfaqësuesit e Brukselit dhe se Komisioni Evropian kishte disa vërejtje, transmeton Portalb.mk.

“Komisioni Evropian kishte disa vërejtje.  Fillimisht shprehu shqetësimin për përdorimin e flamurit evropian në këtë mënyrë për të përshpejtuar miratimin e një ligji, duke kufizuar kështu mundësinë e debatit publik në vend. Komisioni gjithashtu shprehu shqetësim të madh se disa nga ndryshimet në ligj janë rrezik për rritjen e mosndëshkimit”, tha ambasadori evropian Gir.

Ai shtoi se Komisioni Evropian rikujtoi rëndësinë thelbësore të shtetit të së drejtës në vetë vendin, i cili i referohet vetë parimit të mosndëshkimit, gjegjësisht që krimet që lidhen me të duhet të trajtohen në mënyrën e duhur.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.