Aleksandar Karadakovski u bë menaxher “që të mos dështonte licenca”, dëshmoi babai i të ndjerit në zjarrin në Koçan

Në seancën e sotme gjyqësore lidhur me zjarrin tragjik në kabarenë “Puls” në Koçan, dëshmoi Nasko Karadakovski, babai i të ndjerit Aleksandar Karadakovski, i cili ishte një nga viktimat e kësaj fatkeqësie. Ai deklaroi se djali i tij ishte kthyer nga Shkupi për të punuar në Koçan për shkak të miqësisë së ngushtë me Mihajlon, djalin e pronarit të “Puls”, Dejan Jovanov. Sipas tij, Aleksandar kishte punuar në disa lokale, përfshirë “Klasik” dhe “MMM kafe”, por situata e tij e punësimit kishte qenë problematike, transmeton Portalb.mk.

Dëshmitari theksoi se kishte mësuar rastësisht që djali i tij ishte regjistruar si menaxher, pa pasur sigurim shëndetësor. “Atëherë e pyeta Aleksandarin, më tha nuk ka sigurim shëndetësor. I thashë, regjistrohu në Byro për Punësim, të paktën të kesh sigurim, dhe atëherë më tha se nuk mundet sepse është menaxher”, deklaroi dëshmitari.

Ai shtoi se ishte tronditur nga kjo situatë dhe kishte kërkuar shpjegime nga i biri. “E pyeta pse je menaxher. Më tha se Deko e kishte lutur sepse ‘nuk kishte kë të vendoste dhe që të mos i humbiste licenca’”, rrëfeu ai.

Sipas tij, Aleksandar nuk kishte ushtruar realisht detyrat e një menaxheri. “E pyeta nëse shkon në bankë dhe merret me kontabilitet, më tha – jo, këto i bëjnë Deko dhe Mihajlo”, deklaroi dëshmitari, duke shtuar se kjo situatë i kishte shkaktuar shqetësim të madh.

Ai tregoi gjithashtu se kishte tentuar të ndërhynte personalisht, por djali i tij e kishte ndaluar. “Më tha të mos bëj probleme sepse Mihajlo ishte grindur shumë me të atin për këtë çështje, madje ishte larguar edhe nga shtëpia”, tha ai.

Sipas dëshmisë, Aleksandar ishte bërë gjithnjë e më i shqetësuar dhe nervoz për shkak të përgjegjësive të mundshme financiare.

“Ishte i vetëdijshëm se mund të kishte detyrime të mëdha dhe borxhe ndaj kreditorëve dhe firmave”, deklaroi babai.

Ai konfirmoi gjithashtu se djali i tij kishte ndihmuar në punime ndërtimore në “Puls” gjatë vitit 2024, ku edhe ishte lënduar.

“Ishte thirrur të ndihmonte dhe mori një lëndim, pastaj shkoi te mjeku”, tha dëshmitari.

Në fund, ai theksoi se djali i tij nuk kishte qenë asnjëherë pronar, pavarësisht se në aktakuzë figuron si i tillë. “Jo, kurrë nuk ka qenë pronar”, deklaroi ai.

Gjyqi vazhdon në fazën e paraqitjes së provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve.

Aleksandri vdiq dy javë pas tragjedisë. Ai ishte i shtruar në një spital në Lituani pasi po trajtohej nga plagët e marra në zjarri. I ndjeri, i cili po trajtohej në Lituani, kishte 40 përqind djegie. Ai ishte një nga katër pacientët që ishin në gjendje kritike dhe shënoi viktimën e 60-të nga zjarri në Koçan.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Tetë muaj pas aksidentit, 37 të pandehur u ulën në bankën e të akuzuarve, nga të cilët 34 ishin individë dhe tre ishin persona juridikë. Pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, roje sigurie, nëpunës civilë dhe ish-kryetarë komune janë të akuzuar.