“Nën hijen e një peme u ula dhe qava” do të shfaqet në Afrikën e Jugut, nga RMV merr pjesë aktorja Armenis Nokshiqi
Pas premierës botërore në Kosovë, shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” me autor Jeton Neziraj, do të prezantohet për herë të parë në Afrikën e Jugut, duke shënuar një sukses të rëndësishëm për teatrin kosovar në arenën ndërkombëtare. Shfaqja do të jepet në Market Theatre në Johannesburg, nga 9 deri më 19 prill 2026, ndërsa nata zyrtare e hapjes është caktuar më 10 prill, shkruan Portalb.mk.
Vepra është shkruar nga Jeton Neziraj, me regji të Blerta Nezirajt, në bashkëpunim me Greg Homann, drejtor artistik i Market Theatre. Në këtë projekt marrin pjesë artistë nga disa vende, ndërsa nga Maqedonia e Veriut paraqitet aktorja Armenis Nokshiqi, si pjesë e kastit shumëkombësh që përfshin emra nga Kosova, Afrika e Jugut dhe vende të tjera
Jeton Neziraj autorë i shfaqjes për Portalb.mk, tha se janë shumë të lumtur që shfaqja po prezantohet në Afrikën e Jugut, në një moment kaq të rëndësishëm, që i jep edhe më shumë peshë mesazhit të saj për pajtimin dhe faljen.
“Prezantimi i shfaqjes në Afrikën e Jugut është një ndërmarrje e madhe dhe e rëndësishme. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që kjo vizitë po ndodh, për më tepër, shfaqja po jepet në një kontekst tepër të rëndësishëm. Teatri ikonik me të cilin e kemi bashkëprodhuar shfaqjen, The Market Theatre, sivjet shënon 50-vjetorin e themelimit, dhe shfaqja jonë është futur në programin jubilar, e për më tepër, prezantimi atje është vënë në kontekstin e 30-vjetorit të themelimit të Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit. Prandaj, moment më të rëndësishëm për ta prezantuar këtë shfaqje atje nuk mund të kishte pasur. Mezi po presim ta takojmë publikun në Johannesburg. Shfaqja është po ajo që vjeshtën e vitit të shkuar është dhënë edhe në Kosovë, veçse tani, në ekip, kemi edhe aktoren Amernis Nokshiqi. Një ndihmesë që kjo vizitë e jonë në Afrikën e Jugut të ndodhë, e ka dhënë edhe konsulli i nderit i Afrikës së Jugut në Shqipëri, zoti Zenel Hoxha, të cilin e falënderojmë publikisht”, tha Neziraj.
Shfaqja trajton fuqishëm çështjen e faljes dhe pajtimit, duke vendosur në dialog dy përvoja të mëdha historike: procesin e pajtimit të gjaqeve në Kosovë dhe Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut. Përmes kësaj qasjeje, produksioni sjell në skenë një reflektim të thellë mbi shërimin shoqëror, kujtesën, dhimbjen dhe mundësinë e kapërcimit të plagëve kolektive.
Shfaqja ka marrë jehonë pozitive edhe nga kritika ndërkombëtare. Ajo është cilësuar si “thellësisht komplekse” nga Theatre Times dhe si një “shfaqje nga zemra” nga SEEstage, ndërsa dramaturgu i njohur Mark Ravenhill e ka vlerësuar si një vepër prekëse dhe që nxit reflektim.
Pas prezantimeve në Afrikën e Jugut, produksioni do të vazhdojë një turne të gjerë evropian, me ndalesa të planifikuara në vende si Norvegjia, Italia, Gjermania dhe Portugalia, ndërsa në vazhdim janë paralajmëruar edhe shfaqje në Théâtre de la Ville në Paris dhe në La MaMa Experimental Theatre Club në New York.