Prindërit e viktimave në Koçan kërkuan rikthimin e prokurores Ivana Aleksova Trajçeva në lëndët e tragjedisë në “Puls”, reagoi Prokuroria

Pas një pauze për shkak të përvjetorit të zjarrit tragjik në diskotekën “Puls”, prindërit e të ndjerëve dje dolën sërish në rrugë në Koçan. Në marshin e 39-të protestues, ata kërkuan edhe një herë drejtësi për fëmijët e tyre. Ata shprehën pakënaqësi të madhe ndaj zhvillimeve të fundit në institucionet hetimore dhe gjyqësore. Me reagim ka dalë edhe Prokuroria Publike, transmeton Portalb.mk.

Shqetësimi kryesor i familjeve është vendimi i Këshilli i Prokurorëve Publikë për të mos ia vazhduar mandatin prokurores Ivana Aleksov Trajçeva. Ajo kishte në kompetencë rastet kundër policëve të akuzuar për tragjedinë në Koçan.

Sipas prindërve, kalimi i lëndëve te një prokuror i ri paraqet rrezik për vonesa të reja. Ata theksojnë se prokurori i ri do të duhet të njihet nga fillimi me rastin dhe me provat e shumta, gjë që mund të dëmtojë vazhdimësinë e procesit.

“Trajçeva ka punuar gjatë në këtë rast dhe i njeh të gjitha detajet. Në interes të drejtësisë dhe efikasitetit, largimi i saj nuk është i arsyeshëm. Kërkojmë qartë që ajo të rikthehet në rast”, tha Aleksandar Naunov, kryetar i shoqatës së qytetarëve “16 Mars 2025 Koçan”.

Në marshin e djeshëm, familjet akuzuan institucionet se prej muajsh po i injorojnë kërkesat e tyre. Ata kërkojnë përgjigje nëse gjatë autopsisë së trupave janë bërë analiza kimike për praninë e cianidit.

Ndërkohë, tre rastet që lidhen me policinë nuk do të ndalen. Ato do t’i caktohen urgjentisht një prokurori tjetër, i cili do të vazhdojë punën. Vendimi për mosvazhdimin e mandatit të Trajçevës u mor në seancën e fundit të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Ajo nuk deshi ta komentojë këtë vendim për mediat.

Në ndërkohë, Prokuroria Publike ka dalë me një kumtesë, ata thonë se pas vendimeve të fundit të Këshilli i Prokurorëve Publikë për përzgjedhjen e prokurorëve në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Prokuroria Publike ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar efikasitet dhe zhvillim të pandërprerë të të gjitha procedurave në vijim.

“Asnjë proces i nisur nuk do të pësojë zvarritje apo komplikime të pajustifikuara, ndërsa në sallën e gjyqit do të ketë gjithmonë një prokuror të përgatitur për të përfaqësuar aktakuzën. Prokuroria Publike është organ i vetëm dhe ndryshimi eventual i një prokurori gjatë zhvillimit të rasteve, gjë që mund të ndodhë për arsye të ndryshme, nuk ndikon në dinamikën dhe mënyrën e zhvillimit të procedurave”, thonë nga Prokuroria.

Nga aty shtuan se ndryshimi i prokurorit regjistrohet nga gjykata, ndërsa gjykimi vazhdon nga aty ku ka mbetur, pa pasur nevojë për përsëritje të procedurave.

“Për këtë arsye, Prokuroria Publike apelon për kujdes dhe përgjegjësi në komentimin publik dhe informimin e opinionit, veçanërisht për rastet që lidhen me tragjedinë në Koçan. Sipas tyre, spekulimet dhe të pavërtetat e shpërndara publikisht për ndikimin e mundshëm të ndryshimit të prokurorit në proceset në vijim shqetësojnë thellë familjet e viktimave dhe opinionin e gjerë”, tha Prokuroria.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Tetë muaj pas aksidentit, 37 të pandehur u ulën në bankën e të akuzuarve, nga të cilët 34 ishin individë dhe tre ishin persona juridikë. Pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, roje sigurie, nëpunës civilë dhe ish-kryetarë komune janë të akuzuar.