Akuzë për racizëm, bëri thirrje që romëve në RMV t’u ndalohet votimi
Një banor i Negotinës është akuzuar për racizëm sepse bëri thirrje në rrjetet sociale që romëve t’u ndalohet votimi në zgjedhje, tranmseton Portalb.mk.
Prokuroria njoftoi se pas kryerjes së procedurës paraprake dhe sigurimit të provave, Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ngriti aktakuzë kundër një personi për veprën penale të “Shpërndarjes së materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik” sipas nenit 394-d, paragrafi 1 i Kodit Penal.
“I akuzuari, banor 67-vjeçar i Negotinës, ndau një video në profilin dhe faqen e tij në rrjetet sociale më 20 tetor duke nxitur urrejtje dhe diskriminim ndaj njerëzve bazuar në përkatësinë e tyre etnike. Në video, ai përdori disa fjalë fyese ndaj anëtarëve të kombësisë rome dhe bëri thirrje që atyre t’u ndalohet votimi në zgjedhje”, tha Prokuroria.
Kujtojmë se, mosreagimi adekuat i Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth këtij problemi dhe një seri shkrimesh të redaksisë sonë.