Qyteti i Shkupit e ndaloi hedhjen e mbeturinave gjatë natës deri në mëngjes, gjobë prej 50 eurove

Në Shkup, është e ndaluar të hidhen mbeturinat komunale në kontejnerë midis orës 22:00 dhe 6:00 të mëngjesit, ndërsa qytetarët që nuk do ta respektojnë këtë do të dënohen me 50 euro. Këtë e ka vendosur dje Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e dytë, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, për muajt e parë, do të vlejnë vetëm paralajmërime.

Sipas shpjegimit të shërbimeve të Qytetit të Shkupit, qëllimi i vendimit është të prezantojë kornizë ligjore që do të ndihmojë Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” në mbledhjen e mbeturinave.

Ata thanë se masa që lejon asgjësimin e mbeturinave nga ora 6:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 mund të mos jetë ideale, por se zbatimi i saj do të monitorohet nga shërbimet komunale dhe inspektuese, dhe nëse rezulton e pamjaftueshme, do të korrigjohet.

Ndryshe, problemi i kushteve johigjienike në qytet u përshkallëzua në mes të zgjedhjeve lokale në Maqedoni. Dhe ndërsa Shkupi mbytej në mbeturina për javë të tëra, pushteti dhe opozita vazhdonin ritualin e akuzave – njëra palë thoshte se mungonin makinat e pastrimit, tjetra se mungonte vullneti politik. Por sapo erdhi Gjorgjievski, për çudi, gjithçka nisi të funksionojë si me shkop magjik. Kamionët e pastrimit dolën në terren, mbeturinat u zhdukën dhe qyteti filloi të marrë frymë. Për shumëkënd, kjo u interpretua më shumë si skenar i përgatitur me kujdes-një teatër i tërë, vetëm që Gjorgjievski të shkëlqente në skenën e tij të parë publike si “shpëtimtari” i Shkupit.

Lidhur me problemin me mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit,  Qeveria i ngarkoi inspektoratet kompetente, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), të fillojnë inspektim të jashtëzakonshëm të koordinuar për të përcaktuar situatën me mbeturinat komunale, dhe me qëllim të ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve përkatëse.

Në vazhdën e kësaj situate, u arrestuan edhe ish-drejtorët e Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale.

Ata dyshohen se kanë kryer vepër penale të rrezikimit të mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina, sepse kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave dhe aktivitetin themelor të kompanisë për mbledhjen dhe transportimin e rregullt të mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit.