Më Mirë për Tetovën sërish në garë për këshillin komunal, Agron Arifi kryesues

Nisma e aktivistëve të pavarur Më Mirë për Tetovën do të garojë sërish në zgjedhjet lokale për Këshillin Komunal të Komunës së Tetovës, me bartës liste stomatologun Agron Arifi, raporton Portalb.mk

Lista përbëhet nga aktivistë të fushave të ndryshme.  

Gjatë promovimit të kandidaturës së tyre, Agron Аrifi theksoi se pjesëmarrja e tyre në zgjedhje bëhet nga dëshira për të kontribuar në zhvillimin e Tetovës dhe nga shpresa për një të ardhme më të mirë.

“Përpara jush dalim me një listë kandidatësh për këshilltarë komunalë – njerëz të vullnetit të mirë, nga fusha të ndryshme shoqërore e profesionale, me përvoja të ndryshme jetësore, por të bashkuar në një qëllim: të ndërtojmë një Tetovë ku secili prej nesh mund të jetojë me dinjitet. Ndërtimet pa leje, korrupsioni masiv, uzurpimi i hapësirave të gjelbra, partizimi i institucioneve e në veçanti i shkollave, na ka detyruar të marrim këtë hap. Pas 20 vitesh keq menaxhimi nga partitë politike dhe mungesës së një perspektive shpresëdhënëse, Tetova ka nevojë për një zë të pavarur – zëri i qytetarëve që nuk duan të bëhen pjesë e pazar3ve partiake dhe e duan Tetovën pa interes. Duke u bazuar në parimet e qeverisjes së mirë, si transparenca, përgjegjësia dhe llogaridhënia, synojmë të ofrojmë zgjidhje konkrete për problemet e përditshme të tetovarëve dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së tyre. Mbi të gjitha, ne duam t’u japim qytetarëve fuqinë për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në vendimet që ndikojnë në jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre”, tha Arifi.

Kjo është lista e Më Mirë për Tetovën me të cilën do të garojnë këto zgjedhje: 

1. Agron Arifi – dentist, kirurg oral
2. Elmedina Abdulahi – etnologe
3. Agon Memedi – hulumtues në shkencat kompjuterike
4. Merita Maksuti – arkitekte
5. Vullnet Neziri – muzicient
6. Varis Aziri – elektro inxhinier
7. Zulkarni Jusufi – afarist
8. Ngadhnjim Mehmeti – dizajner grafik
9. Vjollca Maksuti – studente
10. Ajsun Qazimi – studente
11. Taulant Salihi – dizajner grafik, ligjërues universitar
12. Hana Musai – ekonomiste
13. Shqipron Osmani – menaxher marketingu
14. Ahmed Abdullai – programer
15. Nuran Memedi – mësuese
16. Nora Sulejmani – politologe
17. Orhan Hajdari – arkitekt
18. Njomza Memeti – studente
19. Erkan Zeqiri – inxhinier i IT-së
20. Diana Zeqiri – rrobaqepëse
21. Edon Hajruli – inxhinier i elektronikës dhe telekomunikacionit
22. Mentar Mahmudi – hulumtues i intelegjencës artificiale
23. Kosovare Sahatqija Emini – inxhiniere e sigurimit të cilësisë
24. Ramije Zulbeari – agjente sigurimesh
25. Nadër Murseli – alpinist, guidë profesionale
26. Amra Osmani – nxënëse
27. Arbnor Tefiki – programer
28. Nezafet Idrizi – teknologe
29. Agon Idrizi – inxhinier i IT-së
30. Taibe Kasa – biologe, kimiste
31. Mislim Hasipi – mësues

Kujtojmë se Më Mirë për Tetovën në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2021 mori 2,842 vota me çka fitoi dy këshilltarë, Hamdi Sulejmanin dhe Elmedina Abullain.

Megjithatë, një vit më vonë në 2022 në zgjedhjet e jashtëzakonshme për këshillin komunal ata morën 761 vota, me çka nuk arritën të sigurojnë asnjë këshilltar.

Kandidatë për kryetarë të Tetovës janë kryetari aktual nga VLEN Bilall Kasami, Bajram Rexhepi nga AKI (BDI), Katka Bozhinovska nga Levica, Samka Ibraimovski nga Partia Rome. Kandidatë pritet të shpallë edhe VMRO Popullore. 

Përballja në rrethin e dytë pritet të zhvillohet midis Kasamit dhe Rexhepit.

Zgjedhjet lokale të vitit 2025 do të të mbahen më 19 tetor, rrethi i parë dhe 2 nëntor, rrethi i dytë. 

Votimi do të zhvillohet në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit në 3,480 vendvotime.

Fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë vazhdimisht deri më 17 tetor, ndërsa fushata për raundin e dytë zgjedhor do të zgjasë deri më 31 tetor.