Djali i Trifun Kostovskit e ka pranuar aktakuzën për Eurostandard Bankën
Djali i biznesmenit Trifun Kostovski, Kosta Kostovski, dje e ka pranuar aktakuzën për rastin e Eurostandard Bankës, raporton Slloboden Peçat.
Javën e kaluar, gjykata njoftoi se nuk kishte mundur ta gjente Kostovskin për t’ia dorëzuar aktakuzën, në mënyrë që të caktonte seancën gjyqësore, ndaj kishte kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të kontrollonte nëse ai ishte i qasshëm.
Pas disa vitesh hetime, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur aktakuzë kundër Kostovskit, djalit të tij dhe një personi tjetër për dy vepra penale – shkaktim të falimentimit dhe punë të pakujdesshme në shërbim.
Në korrik 2026, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup aktakuzë kundër tre personave, të cilët akuzohen se kanë kryer nga një vepër penale – Shkaktim të falimentimit të bankës, si dhe propozim-akuzë kundër një personi për veprën penale – Punë të pakujdesshme në shërbim.
Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë, në cilësinë e kryetarit të Bordit Drejtues dhe anëtarit të Bordit të Kredive, i akuzuari i dytë, si kryetar i Bordit të Kredive, dhe i akuzuari i tretë, si kryetar i Bordit për Menaxhimin e Rreziqeve dhe anëtar i Bordit Drejtues, gjatë periudhës nga viti 2013 deri në gjysmën e dytë të vitit 2019, kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Bankat dhe aktet e brendshme të bankës.
Përmes miratimit të kredive për persona juridikë të paaftë për kreditim dhe persona juridikë të lidhur, pa analiza të përshtatshme dhe pa sigurime të mjaftueshme, duke fshehur gjendjen reale financiare dhe rreziqet, si dhe përmes raportimit të pasaktë ndaj Bankës Popullore, ata kanë kontribuar në përkeqësimin e ndjeshëm të gjendjes financiare të Eurostandard Bank AD Shkup.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, ata kanë kontribuar që banka të futet në falimentim, ndërsa kreditorët të dëmtohen në vlerë prej 1.662.417.664 denarësh.
Sipas propozim-akuzës, i akuzuari i katërt, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të Eurostandard Bank AD Shkup, gjatë periudhës nga viti 2013 deri në vitin 2019, përmes ushtrimit të pakujdesshëm të kompetencave të tij dhe moskryerjes së mbikëqyrjes së nevojshme, ka vepruar në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara me Ligjin për Bankat.
Me këtë, sipas Prokurorisë, ai ka mundësuar miratimin e kredive jofunksionale, marrjen e rreziqeve të tepërta kreditore, paraqitjen e pasaktë të gjendjes financiare të bankës dhe mosrespektimin e procedurave ligjore dhe të brendshme gjatë kreditimit.
Këto veprime, sipas akuzës, kanë kontribuar në krijimin e paaftësisë së dukshme për pagesë, uljen e mjeteve të veta të bankës dhe futjen e saj në falimentim sipas ligjit.