Abstenoi për ndihmë humanitare, Shkupi tre ditë më vonë i tha “po” vetëvendosjes palestineze në OKB

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi me shumicë dërrmuese të hënën miratimin e një rezolute që mbështet të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe shtet të pavarur të Palestinës. Votimi, i cili u mbështet nga 164 shtete anëtare, nënvizon konsensusin e gjerë ndërkombëtar mes konfliktit të vazhdueshëm në rajon, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut gjithashtu votoi pro kësaj rezolute, duke u bashkuar për herë të parë që nga konflikti me shumicën e vendeve anëtare të OKB-së në mbështetje të të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje dhe shtet të pavarur. Të njëjtën gjë bëri edhe Shqipëria, e cila më parë ka abstenuar njëjtë si Shkupi.

Për të njëjtën çështje, pra të drejtën e Palestinës për vetëvendosje, në prill 2025, Maqedonia votoi kundër, që përbën ndryshim total të qëndrimit të vendit.

Maqedonia në OKB. Foto: UN Palestinian Rights Committee/X
Maqedonia në OKB. Foto: UN Palestinian Rights Committee/X

Sidoqoftë, Maqedonia e Veriut pak ditë më par, abstenoi në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që ka të bëjë me detyrimet e Izraelit sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë sigurimin e ndihmës humanitare dhe shërbimeve bazë për popullsinë civile palestineze.

Projekt-rezoluta e të hënës u përball me kundërshtim vetëm nga tetë vende: Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Argjentina, Paraguai, Papua Guinea e Re, Mikronezia, Palau dhe Nauru. Nëntë vende, përfshirë Ekuadorin, Kamerunin dhe Sudanin e Jugut, zgjodhën të abstenonin nga votimi në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Rezoluta, e avancuar nën agjendën e të drejtave të vetëvendosjes, riafirmon qëndrimet e vendosura të OKB-së. Ajo njeh të drejtën palestineze për të përcaktuar lirisht statusin e tyre politik dhe për të ndjekur zhvillimin. Dokumenti citon tekste themelore si Karta e OKB-së dhe besëlidhjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke theksuar se vetëvendosja është një parim thelbësor i së drejtës ndërkombëtare.

Për më tepër, rezoluta e OKB-së u kërkon të gjitha shteteve anëtare dhe agjencive të OKB-së të vazhdojnë të mbështesin popullin palestinez në arritjen e kësaj të drejte. Ajo thekson nevojën për të respektuar unitetin territorial dhe integritetin e territorit të pushtuar palestinez, përfshirë Jerusalemin Lindor. Masa gjithashtu rithekson mbështetjen për paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të OKB-së.

Kjo nuk është hera e parë që Maqedonia e Veriut ka votuar në çështje të lidhura me konfliktin izraelito-palestinez në OKB. Në të kaluarën vendi ka zgjedhur shpesh të abstenojë në rezoluta të tjera që lidhen me kthimin e forcave izraelite dhe çështje humanitare, si votimi i shtatorit 2024 për t’i kërkuar Izraelit të tërhiqet nga territori i pushtuar, ku Maqedonia e Veriut abstenoi.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit. Bombardimet izraelite gjatë 23 muajve të fundit ndërkohë i kanë vrarë mbi 70.000 palestinezë në Gazë, e kanë shkatërruar pjesë të mëdha të vendit, e kanë zhvendosur rreth 90 përqind të popullsisë dhe kanë shkaktuar krizë humanitare katastrofike. Ekspertët thonë se Qyteti i Gazës – qyteti më i madh në vend – po përjeton zi buke.

Si kujtesë, Maqedonia ka abstenuar vazhdimisht armëpushimin në Gaza. Më 12 dhjetor Maqedonia e Veriut abestenoi për rezolutën që ka të bëjë me detyrimet e Izraelit sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë sigurimin e ndihmës humanitare dhe shërbimeve bazë për popullsinë civile palestineze. Në prill 2025, RMV votoi kundër të drejtës së Palestinës për vetëvendosje, në shkurt 2025,  RMV abstenoi,në shtator të viti 2024 abstenoindërsa edhe në tetor 2023 votoi e përmbajtur.