Maqedonia e Veriut ka abstenuar në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që ka të bëjë me detyrimet e Izraelit sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë sigurimin e ndihmës humanitare dhe shërbimeve bazë për popullsinë civile palestineze, transmeton Portalb.mk.
Rezoluta u miratua me 139 vota “pro”, 12 “kundër” dhe 19 “abstenime”.

Me këtë dokument kërkohet që Izraeli t’i përmbushë plotësisht detyrimet që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare, përfshirë respektimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, administrimin e territorit në interes të popullsisë vendore dhe bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara në mirëbesim.
Një theks i veçantë në rezolutë i është kushtuar thirrjes që Izraeli të mundësojë dhe lehtësojë menjëherë dërgimin e ndihmës humanitare dhe shërbimeve thelbësore të nevojshme për shpëtimin e jetëve të civilëve palestinezë, përfshirë ndihmën e ofruar nga Kombet e Bashkuara, agjencitë e saj, organizata të tjera ndërkombëtare dhe shtetet.
Gjatë debatit, përfaqësuesi izraelit e kritikoi ashpër projekt-rezolutën, duke e cilësuar atë si të njëanshme dhe të gabuar. Ai deklaroi se një qasje e tillë nuk kontribuon për paqen dhe, sipas tij, nuk pasqyron gjendjen reale në terren, duke shtuar se Izraeli nuk mund të vazhdojë bashkëpunimin me organizata që i konsideron të njëanshme.
Gjermania dhe Rusia ishin ndër vendet që votuan “pro” rezolutës. Krahas Maqedonisë, abstenim votuan edhe Kroacia, Bullgaria, Çekia, Sllovakia, Shqipëria, Gjeorgjia, Serbia dhe Ukraina, ndërsa Hungaria votoi “kundër”.