U hap thirrja për ekspozitën mbarëkombëtare “Çmimi William Walker” 2026
Në nder të 15 Janarit, përvjetorit të 27-të të Masakrës së Reçakut është hapur thirrja për pjesëmarrje në ekspozitën tradicionale mbarëkombëtare “Çmimi William Walker”, edicioni i dytë, 2026, e cila do të mbahet në Shtime, shkruan Portalb.mk.
Kjo ekspozitë synon të nderojë kujtesën kolektive për viktimat e Masakrës së Reçakut, si dhe të vlerësojë rolin historik dhe human të Ambasadorit William Walker, zëri i së vërtetës që tronditi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe kontribuoi në zbardhjen e krimeve kundër popullit shqiptar.
Në këtë frymë, ftohen artistë profesionistë nga fusha e artit pamor, nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, të aplikojnë për pjesëmarrje në ekspozitën “Çmimi William Walker” 2026, duke paraqitur vepra që reflektojnë kujtesën historike, dhimbjen, qëndresën, dinjitetin njerëzor dhe aspiratën për drejtësi e liri.
Emine Jetishi ideatore dhe kuratore e ekspozitës për Portalb.mk tha se ekspozita “Çmimi William Walker” synon të ruajë dhe të përcjellë kujtesën historike për Masakrën e Reçakut përmes artit pamor.
“Ekspozita “Çmimi William Walker” synon të ruajë dhe të përcjellë kujtesën historike për Masakrën e Reçakut përmes artit pamor. Ajo shërben si hapësirë reflektimi dhe ndërgjegjësimi, veçanërisht për brezat e rinj. Arti këtu është formë dëshmie, reagimi dhe respekti ndaj viktimave dhe historisë sonë. Në të njëjtën kohë, kjo ekspozitë është edhe një falënderim i vogël dhe simbolik ndaj ambasadorit William Walker për gjithçka që ka bërë për të vërtetën dhe për popullin tonë”, tha Jetishi.
Ajo shtoi se artistët janë të lirë në interpretim dhe shprehje artistike.
“Edicioni i dytë i ekspozitës nuk ka temë të ngushtë të përcaktuar. Artistët janë të lirë në interpretim dhe shprehje artistike. Synimi është të krijohet një hapësirë e hapur për qasje të ndryshme dhe gjuhë të ndryshme vizuale, duke ruajtur seriozitetin dhe dinjitetin e ekspozitës. Çdo artist mund të aplikojë me një vepër arti. Pranohen punime nga piktura, skulptura, grafika, vizatimi, fotografia dhe dizajni grafik. Kjo larmi formatesh e bën ekspozitën gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese për artin pamor. Ekspozita do të jetë e hapur për dy javë. Gjatë kësaj periudhe pritet prani e madhe e publikut, artistëve, përfaqësuesve institucionalë dhe mysafirëve të ftuar. Presim gjithashtu që, nëse shëndeti ia mundëson, ambasadori William Walker të jetë prezent edhe në këtë edicion. Fokusi kryesor mbetet ekspozita dhe kontakti i drejtpërdrejtë i publikut me veprat, tha Jetishi.
Kujtojmë se në edicionin e parë të ekspozitës ‘William Walker’, artisti Zenun Sherifi nga Maqedonia e Veriut u nderua me Çmimin Kryesor ‘William Walker’. Ky vlerësim i lartë iu dha për veprën e tij të artistike, e cila, përmes një gjuhe të fuqishme vizuale, mishëron në mënyrë autentike tragjedinë njerëzore, guximin dhe qëndresën përballë dhunës dhe padrejtësisë. Vepra e Sherifit u vlerësua si një dëshmi e thellë artistike e ndërgjegjes kolektive dhe e rolit të artit në ruajtjen e kujtesës historike.
