A po boshatisen klasat, ndërsa mësimdhënësit mbeten? Janevska zbuloi si do të ndryshojë shkolla
Shkollat në Maqedoni po mbeten me gjithnjë e më pak nxënës, por mësimdhënësit nuk do të mbeten pa punë, siguron ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rënia demografike, optimizimi i rrjetit shkollor dhe kalimi në punë me një ndërrim dhe mësim gjatë gjithë ditës pritet të ndryshojnë mënyrën se si do të funksionojnë shkollat në periudhën e ardhshme, raporton Racin, transmeton Portalb.mk.
Janevska foli për këto çështje gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Nokno Studio” të 4TV-së më 4 shtator.
Sipas ministres, ulja e numrit të martesave dhe lindjeve, emigrimi dhe ndryshimet në mënyrën e jetesës tashmë ndihen drejtpërdrejt në sistemin arsimor. Pasojë e kësaj janë shkollat me numër të vogël nxënësish, klasat e zbrazëta dhe nevoja për një organizim ndryshe të mësimit.
Janevska vlerësoi se gjendja ekonomike dhe punësimi janë vetëm një pjesë e arsyeve për rënien demografike, ndërsa si faktorë përmendi edhe ndryshimin e zakoneve të jetesës, modelet familjare dhe vendimet e të rinjve.
“Fakt është se kemi demografi të keqe”, tha Janevska në emisionin e 4TV-së, duke e lidhur uljen e numrit të lindjeve me klasat gjithnjë e më të zbrazëta.
Sipas saj, shteti ka nevojë për më shumë të rinj që në të ardhmen do të jenë pjesë e shoqërisë dhe ekonomisë.
Por rënia demografike hap edhe një çështje tjetër. Çfarë do të ndodhë me mësimdhënësit kur ka më pak nxënës dhe kur klasat bashkohen ose optimizohen?
Mësimdhënësit nuk do të mbeten pa punë
Janevska siguron se optimizimi i rrjetit shkollor nuk duhet të nënkuptojë humbjen e vendeve të punës për mësimdhënësit.
Zgjidhja, sipas saj, duhet të kërkohet përmes zgjerimit të punës me një ndërrim, qëndrimit më të gjatë të nxënësve në shkolla dhe mësimit gjatë gjithë ditës.
Në një model të tillë, mësimdhënësit të cilët, për shkak të uljes së numrit të paraleleve, do të kishin më pak orë të mësimit të rregullt, mund të angazhoheshin në aktivitete të tjera arsimore gjatë ditës.
Kjo nënkupton mësim plotësues dhe shtesë, përmbajtje zgjedhore, aktivitete jashtëmësimore, punë me nxënës që kanë vështirësi në të nxënë, si dhe punë të veçantë me nxënësit e talentuar.
Ideja e Ministrisë, sipas ministres, është që kuadri ekzistues mësimor të shfrytëzohet në mënyrë më efikase, në vend që ulja e numrit të nxënësve automatikisht të sjellë largime nga puna.
Në këtë kuptim, optimizimi nuk kufizohet vetëm në mbylljen ose bashkimin e paraleleve. Ai duhet të shoqërohet me ndryshimin e mënyrës së organizimit të ditës mësimore dhe angazhim më të madh të mësimdhënësve jashtë orëve klasike.
Për Ministrinë, puna me një ndërrim dhe mësimi gjatë gjithë ditës janë pjesë e modelit përmes të cilit nxënësit do të kalonin më shumë kohë të organizuar në shkolla, ndërsa kuadri mësimor do të kishte rol më të gjerë.
Demografia po bëhet problem arsimor
Megjithatë, pas riorganizimit qëndron një problem që nuk mund të zgjidhet vetëm në shkolla.
Nëse numri i fëmijëve vazhdon të ulet, sistemi arsimor do të duhet vazhdimisht të përshtatet me një numër më të vogël nxënësish, veçanërisht në vendbanimet më të vogla.
Janevska theksoi se një gjendje më e mirë demografike do të nënkuptonte edhe më pak presion për optimizimin e rrjetit shkollor.
Prandaj, çështja tashmë nuk është vetëm se sa shkolla dhe paralele i nevojiten shtetit, por edhe se si infrastruktura ekzistuese dhe kuadri mësimor do t’u përshtaten gjeneratave me gjithnjë e më pak nxënës.
Sipas qasjes së paralajmëruar, mësimdhënësit duhet të mbeten në procesin arsimor, por puna e tyre gradualisht mund të ndryshojë. Në vend që i gjithë angazhimi të bazohet vetëm në orët klasike, një pjesë e ditës mësimore do të orientohej drejt punës shtesë me nxënësit dhe aktiviteteve që deri tani nuk kanë qenë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në të gjitha shkollat.
Kujtojmë se numri i paraleleve në arsimin fillor është reduktuar për rreth 200, ndërsa në arsimin e mesëm për rreth 100. Viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut gjithashtu filloi me numër më të vogël të nxënësve. Përveç kësaj, për shkak të mungesës së nxënësve mbyllen përkohësisht 26 shkolla periferike në zonat rurale. Në disa prej tyre nuk ka asnjë nxënës të regjistruar në klasën e parë, ndërsa në të tjerat mësimin e kanë ndjekur vetëm nga disa nxënës.
Ndryshe, sipas analizës ekonomike të Portalb.mk, në fund të gjysmëvjetorit të dytë, pjesa më e madhe e komunave kanë shtim natyror negativ, që do të thotë se ka më shumë të vdekur sesa të lindur. Në Shkup, shtimi natyror është -36, ndërsa shtimi më i theksuar negativ natyror është shënuar në Manastir, me -118, Aerodrom -62, Kumanovë dhe Prilep -59, Gostivar dhe Koçan -58, Veles -57 dhe Ohër -51.
- LEXO: Kriza demografike thellohet në RMV, Tetova e Gostivari me qindra lindje më pak se në vitin 2021
- LEXO: Fillimi i vitit shkollor e gjen RMV-në me klasa të zbrazëta, masa të reja nga 1 shtatori
- LEXO: 200 paralele më pak në arsimin fillor të RMV-së dhe 100 në atë të mesëm për shkak të optimizimit të rrjetit shkollor