200 paralele më pak në arsimin fillor të RMV-së dhe 100 në atë të mesëm për shkak të optimizimit të rrjetit shkollor

Numri i paraleleve në arsimin fillor është reduktuar për rreth 200, ndërsa në arsimin e mesëm për rreth 100, për shkak të optimizimit të rrjetit shkollor, njoftoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas promovimit të portalit „E-shkencë“, transmeton Portalb.mk.

Reduktimi, siç shtoi ajo, është bërë me qëllim që nxënësit të kenë kushte më të mira për arsimim dhe socializim, në vend që të ndjekin mësimin në paralele të vogla dhe të izoluara, veçanërisht në zonat rurale.

Duke folur për optimizimin e rrjetit shkollor për shkak të futjes së mësimit në një ndërrim, ajo tha se pret që natyrshëm të mbyllen 26 shkolla rurale, në të cilat nuk ka regjistrime të nxënësve të klasës së parë dhe në të cilat, siç shtoi, mësojnë nga pesë deri në tetë fëmijë.

„Ajo që kemi arritur të bëjmë, për momentin kemi rreth 200 paralele më pak në arsimin fillor dhe 100 paralele më pak në arsimin e mesëm. Theksoj se kjo bëhet me qëllim që t’u mundësohet nxënësve socializim, cilësi më e mirë e arsimit, dhe jo ekzistencë e izoluar në një mjedis të caktuar rural, ku mbizotërojnë parime të caktuara, madje edhe stereotipe të caktuara dhe ku cilësia e arsimit nuk mund të jetë e përshtatshme për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Sidomos nëse bëhet fjalë për paralele të kombinuara, ku mësojnë nxënës nga tri klasa të ndryshme, aq sa lejohet me ligj“, tha ajo.

Sipas saj, mësimi në këto paralele të kombinuara do të zhvillohet vetëm aty ku do të jetë e detyrueshme, përkatësisht nëse shkolla periferike (rurale) ndodhet më shumë se 15-20 kilometra larg shkollës qendrore më të afërt.

Infografikë: Portalb.mk
Infografik: Portalb.mk
Infografik: Portalb.mk
Infografik: Portalb.mk

„Atëherë do ta zbatojmë këtë, dhe këtë e bëjnë edhe vende të tjera dhe është e arsyeshme. Por, nëse kemi një shkollë qendrore ku ka 200 fëmijë, ndërsa 2,5 kilometra më tej kemi një shkollë në të cilën ka 18 fëmijë, nuk ka logjikë t’i mbajmë këta 18 fëmijë të izoluar në atë shkollë. Duhet t’i drejtojmë drejt shkollës tjetër“, tha Janevska.

Megjithatë, ajo theksoi se reduktimi i numrit të paraleleve nuk nënkupton largimin nga puna të mësuesve të punësuar me kontratë të përhershme. Përkundrazi, siç theksoi, në disa komuna të Shkupit, ndër të cilat edhe Aerodromi, ka mungesë të kuadrit mësimor dhe priten punësime të reja.

Ajo theksoi se optimizimi lidhet edhe me futjen e mësimit në një ndërrim dhe mësimit gjatë gjithë ditës, me qëndrimin më të gjatë të nxënësve në shkolla, gjë që duhet të mundësojë organizim më të mirë të mësimit dhe mbështetje më të madhe për nxënësit.

Ajo njoftoi se për vitin shkollor 2026/2027 deri tani janë regjistruar rreth 14.500 nxënës të klasës së parë, por se shifra nuk është përfundimtare, pasi deri në fund të shtatorit vazhdon regjistrimi i nxënësve që janë vonuar me regjistrimin.

Ministrja tha se tekstet shkollore për vitin shkollor 2026/2027 janë shpërndarë dhe ndodhen në shkolla, duke theksuar se këtë vit procesi ka përfunduar shumë më herët para fillimit të vitit shkollor.

Sistemi për furnizimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore, shtoi ajo, është stabilizuar gjatë tre viteve të fundit dhe mundëson sigurimin në kohë të teksteve të nevojshme.

Përndryshe, tre mijë nxënës më pak do të ulen këtë vit shkollor në bankat e shkollave në Maqedoninë e Veriut, krahasuar me vitin e kaluar.