A i’a vlen të bësh filma në një vend pa kinema si Maqedonia e Veriut?

Shkruan: Ibër Deari, regjisor 

Ku me e pa filmin tënd?

Kjo është pyetja që vazhdimisht me pyesin njerëzit. E pastaj ne si filmbërës duhet të mendojmë se, A ia vlen të bësh filma në një vend ku nuk ka kinema? 

Tek ne realizohen vazhdimisht filma, ndoshta jo në numër të madh por realizohen, d.m.th. është krijuar një ekip e filmbërës që gati çdo vit ka prodhim të filmave. Çdo vit dëgjojmë për regjisorë dhe për sukseset e filmave vendas që fitojnë çmime jashtë shtetit tonë, në gjithë vendet e botës.. Disa i shfaqin filmat nëpër kinema të Europës, Amerikës, Azisë. Por në qytetin e tyre as që u jepet mundësia t’ua tregojnë filmat. Sepse nuk ka ku, nuk ka kinema. 

Sot, e vetmja kinema profesionale në gjithë Maqedoninë e Veriut është Cineplexx në Shkup. Me salla moderne, zë dhe projektim cilësor, kjo kinema është realisht e vetmja hapësirë ku një film mund të shfaqet ashtu siç duhet. Por çfarë ndodh me qytetet tjera? Tetova, Kumanova, Struga, Gostivari, Dibra, Kërçova të gjitha janë pa kinema funksionale.
Ka shtëpi kulture, por shumica nuk kanë pajisjet e duhura për të shfaqur një film me cilësi të lartë. Projektorët janë të dobët, zëri është i dobët. 

Kjo do të thotë që për të parë një film siç duhet, publiku duhet të udhëtojë deri në Shkup duke harxhuar kohë, para dhe mund, për diçka që do duhej të ishte normale në çdo qytet.

Të bësh një film të metrazhit të gjatë merr 3, 4, ndoshta 5 vite punë. Filmat sot xhirohen me tekniken me të mirë, punon me kujdes në zë, muzikë, ngjyrat e filmit. E në fund gjithçka që do është që ai film të shfaqet ashtu siç është krijuar në një sallë kinemaje, me plotë publik, reagime dhe përjetime të publikut, e jo te shfaqet me një salle te improvizuar apo shtëpi të kulturës me një projektor të dobët qe e humb cilësinë dhe mundin e magjinë e krejt filmit.
Nuk po them që duhet ndërtuar salla speciale, por Mjafton një sallë e vogël, në çdo qytet, me pajisje të mira një projektor 4K, sistem zëri të pastër.

Nuk është normale që për të parë një film shqiptar apo edhe botërore, dikush nga Kumanova apo Tetova ose Struga të duhet të shkojë në Shkup. E pse? Sepse në qytetin e vet nuk ka një kinema funksionale. Një shtet që financon prodhimin e filmave, duhet të financojë edhe mënyrën se si ato filma i arrijnë qytetarët. 

Nëse duam të kemi industri filmi të vërtetë, nuk mjafton vetëm të prodhojmë. Duhet t’i shfaqim, t’i ndajmë me publikun. Sepse filmat pa publik nuk jetojnë, Çdo qytet duhet të ketë kinemanë e vet.

A ia vlen të bësh filma me një vend pa kinema? 

Po, ia vlen të krijohen filma dhe të shfaqen me publikun tonë, në çdo qytet dhe në çdo vend. Sepse vetëm kur filmi takon publikun, filmbërësi e kupton vërtet se çfarë funksionon, çfarë prek, çfarë temash duhen trajtuar. Reagimi i publikut është pasqyra më e sinqertë… te krijosh filma dhe publiku yt mos te këtë mundësi ta shikoj filmin është e njëjta sikur mos te krijosh për publikun e këtij vendi por vetëm për publikun e festivaleve nëpër botë!