“Anatomia e Revolucionit” nën regji të Butrint Pashës do të jepet premierë javën që vjen nga Teatri i Tetovës

Më 10 qershor, me fillim nga ora 20:00, në Teatrin e Tetovës, do të jepet premiera e shfaqjes “Anatomia e Revolucionit”, bazuar në veprën “13” të Mike Bartlett, nën regji të Butrint Pashës. Shfaqja do të jepet edhe më 11 dhe 12 qershor, shkruan Portalb.mk.

Regjisori nga Kosova, Butrint Pasha për Portalb.mk tha se kjo shfaqje ka për synim të motivojë secilin shikues të mos besojë në mrekulli, por të gjejë heroin brenda vetës, dhe tu ringjallet gjykimi kritik vetanak.

“Me kënaqësi të veçantë kam zgjedhur të punoj këtë shfaqje në Teatrin e Tetovës, një vepër që e kisha ndër vite në sirtar, pasi që konsideroj që ky qytet e ka të njohur protestën dhe konsideroj që më shumë se kurrë më parë e ka të nevojshme që ta thërras prapë. Motivi për të bërë këtë shfaqje vie nga një thënie e Frojdit: “Rritja ndodh prej çlirimit”. Jodomosdoshmërisht protesta nënkupton kaos, apo mosbindje, por një nevojë për ndryshim”, tha Pasha.

Ai shtoi se shoqërisë shqiptare në përgjithësi i janë pakësuar heronjtë, ata persona që dikur ishin në krye të kauzave të mëdha, kundër shtypjes dhe padrejtësive.

“Por sot, në liri të plotë të vendimmarrjes ndaj mirëqenies tonë, hezitojmë dhe zgjedhim heshtjen në mjegullën e pakënaqësisë. Kjo shfaqje ka për synim të motivoj secilin shikues të mos besoj në mrekulli, por të gjej heroin brenda vetës, dhe tu ringjalljet gjykimi kritik vetanak”, tha Pasha.

Pasha gjithashtu potencoi se revolucionet kanë shënjuar momente kthese në historinë e njerëzimit.

“Vepra flet për disa familje të klasave të ndryshme që përfshihen në protestat e organizuara nga Xhoni (Lideri i paqes), për të penguar shtetin britanik që të dërgoj trupat ushtarake në Iran, me motivin që ky shtet ka një bombë bërthamore që do ta përdor kundër shteteve perëndimore”, tha Pasha.

Kjo dramë shtron një pyetje të ngutshme dhe shqetësuese: Çfarë do të mund të ndodh pas hedhjes së bombës atomike, jo vetëm si armë, por si ide?

“Anatomia e Revolucionit” shqyrton peshën ekzistenciale të shkatërrimit, fuqinë e pranisë njerëzore, dhe tensionin filozofik mes qenies dhe asgjësë. Bomba atomike shfaqet si një forcë simbolike në rrëfim, ku ajo është një prani psikologjike dhe emocionale, një metaforë për një kërcënim të vazhdueshëm që ekziston në mendjet dhe ëndrrat e personazheve.

Drama vë në pikëpyetje ideologjitë dominonte-kapitalizmin, racionalizmin dhe marksizmin-duke ekspozuar kufizimet e tyre në arritjen e një lirie të vërtetë njerëzore.

Në shfaqje luajnë aktorët: Adrian Aziri, Linda Shabani, Arsim Kaleci, Elmir Sejfullai, Arta Zejneli,Blerim Ismani, Mona Mustafa, Sanije Bekteshi, Burhan Amiti, Sheqerie Iljazi, Merita Limani, Altrim Mamuti, Berat Saliu, Bekim Smaili, Sami Mustafa, Jetmir Arifi, Shpresa Hashimi, Bekim Jahiu, Mia Katarxhieva, Andi Aliji dhe Ermal Çanga.