Bankat arsyetohen se nuk e kanë obligim zbatimin e gjuhës shqipe, Inspektorati përgjegjësinë ia le Ministrisë së Drejtësisë e cila hesht

Pavarësisht se Agjencia për Zbatimin e Gjuhës thotë se bankat private në Maqedoninë e Veriut obligohen të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, bankat nuk e bëjnë këtë. Nga njëmbëdhjetë banka të kontaktuara, vetëm “Komercijalna Banka” u përgjigj duke thënë se nuk obligohen të zbatojnë Ligjin për gjuhët. Ndërkaq, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve nuk e di ende nëse mundin ose jo t’i gjobitin bankat, presin mendim nga Ministria e Drejtësisë e cila nuk ua ka dhënë ende, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse Agjencia për Zbatimin e Gjuhës apeloi që bankat private në vend të zbatojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe të pranojnë dokumentet në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore, bankat nuk e vrasin mendjen për këtë.

Deri më tani vetëm “Komercijalna Banka” iu përgjigj pyetjeve të Portalb.mk se pse nuk pranojnë dokumente në shqip dhe pse nuk e përdorin gjuhën shqipe. Nga kjo bankë u arsyetuan.

“Komercijalna Banka është e regjistruar si person juridik në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe është shoqëri aksionare me kapital privat, e cila si e tillë nuk i përket institucioneve të listuara në Ligjin për përdorimin e gjuhëve që kanë për obligim të mundësojnë zbatimin e gjuhës që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut (gjuha shqipe dhe shkrimi i saj) si gjuhë zyrtare në mënyrën e përcaktuar me këtë ligj”, thanë nga “Komercijalna Banka”.

Ata shtuan se banka nuk është person juridik që ushtron kompetenca publike në përputhje me ligjin.

“Sipas Ligjit për Bankat, banka është person juridik me leje nga Guvernatori i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i themeluar në përputhje me dispozitat e atij ligji”, thanë nga “Komercijalna Banka”.

Mes tjerash theksuan se në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve të saj, banka u ofron klientëve të saj edhe informacion në gjuhën shqipe ku e lejojnë kushtet teknike dhe funksionale, si faqe interneti, aplikacioni celular, si dhe ekranet e ATM-ve (Bankomateve).

Nga “Capital Bank, Halk Bank, Uni Bank, Stopanska Banka, Centralna Kooperativna Banka, NLB Tutunska, Silk Road Banl, TTK, Sparkase Bank” nuk na u përgjigjën për këtë problematikë.

Nga ana tjetër, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve nuk e ka të qartë ende nëse mund të veprojnë ndaj bankave për mos zbatimin  e gjuhës shqipe. Për këtë ata kanë kërkuar mendim nga Ministria e Drejtësisë ashtu që pas mendimit do shohin se si do veprojnë. Megjithatë, përgjigje nga kjo ministri nuk kanë ende.

“Deri në momentin që e dërgojmë këtë informim te ju, Ju njoftojmë se ende nuk kemi marrë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë në lidhje me kërkesën për mendimin”, thanë nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.

Ministria e Drejtësisë nuk u përgjigj as në pyetjet e Portalb.mk.

Rikujtojmë që shoqata qytetare Më Mirë për Tetovën (MMPT) nxori në pah problemin me Bankat në Maqedoninë e Veriut që nuk e njohin gjuhën shqipe, gjegjësisht nuk pranojnë dokument zyrtar të lëshuar nga institucioni shtetëror në gjuhën shqipe. Shoqata reagoi se pas regjistrimit në gjuhën shqipe si subjekt juridik, janë drejtuar te bankat në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të hapur llogari bankare, ku për këtë kanë shfrytëzuar dokumentin zyrtar në gjuhën shqipe që e kanë pranuar nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë regjistrimit të shoqatës së tyre, por që të njëjtin bankat nuk e kanë pranuar.