Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve: Bankat private në RMV nuk e kanë detyrim ligjor përdorimin e gjuhës shqipe

Përgjegjëse për aplikimin dhe zbatimin e gjuhës shqipe janë Agjencia për Zbatimin e Gjuhës dhe Inspektorati për përdorimin e gjuhës. Kështu u përgjigjën nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut për mosnjohjen dokumenteve në gjuhën shqipe nga ana e bankave në vend, problem të cilin e aktualizoi nisma qytetare Më Mirë për Tetovën. Por, nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve theksojnë se bankat private nuk e kanë detyrim ligjor përdorimin e gjuhës shqipe. Shfajsohen edhe nga Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve, shkruan Portalb.mk.

Banka Popullore për Portalb.mk thekson se përdorimi i gjuhëve në vendin tonë rregullohet me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ndërsa agjencia përgjegjëse për promovimin, mbrojtjen dhe aplikimin uniform të gjuhës zyrtare të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonia e Veriut dhe shkrimin e saj është Agjencia për Zbatimin e Gjuhës.

“Mbikëqyrjen mbi zbatimin e këtij ligji e kryen Inspektorati për përdorimin e gjuhëve”, theksuan nga Banka Popullore.

Megjithatë nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës (AZGj)  për Portalb.mk theksojnë se Banka Popullore me të cilën AZGj ka bashkëpunim, e përdor gjuhën shqipe në të gjitha veprimet e saja bankare në përputhje me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve.

“Ndërsa bankat e nivelit të dytë janë me kapital privat dhe nuk kanë detyrim ligjor për ta përdorur gjuhën shqipe. Kaq mund të themi për pyetjen tuaj”, theksuan nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve.

Arsyetohen edhe nga Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve, thonë se në përputhje me neni 6 të Ligjit për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, është kompetent dhe kryesisht kryen mbikëqyrje inspektuese mbi zbatimin e Amendamentit V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga të gjitha institucionet kompetente.

“Mbikëqyrja përfshin: Mbikëqyrje mbi zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në procedurat para institucioneve, mbikëqyrje mbi emërtimet dhe vulat e institucioneve, mbikëqyrje mbi emrat e objekteve infrastrukturore, mbikëqyrje mbi publikimin e ligjeve, të akteve nënligjore, vendimeve dhe shpalljeve në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” dhe punë të tjera të përcaktuara me ligj, e të cilat kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, thanë nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.

Bankat në Maqedoninë e Veriut nuk e njohin gjuhën shqipe, gjegjësisht nuk pranojnë dokument zyrtar të lëshuar nga institucioni shtetëror në gjuhën shqipe. Madje, bankat pranojnë dokument në gjuhën angleze dhe jo në gjuhën shqipe e cila është gjuhë zyrtare e shtetit, kështu duke bërë diskriminim. Kështu reaguan dje nisma qytetare Më Mirë për Tetovën.

Nga kjo shoqatë kanë reaguar se pas regjistrimit në gjuhën shqipe si subjekt juridik, si Shoqata “Për Tetovën” janë drejtuar në shumë banka të vendit (Capital Bank, Halk Bank, Uni Bank, Komercijalna Banka, Stopanska Banka, Centralna Kooperativna Banka, NLB Tutunska, Silk Road Bank, TTK dhe Sparkasse Bank) për të hapur llogari bankare, ku për këtë kanë shfrytëzuar dokumentin zyrtar në gjuhën shqipe që e kanë pranuar nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë këtij procesi ne kemi hasur në praktika diskriminuese ndaj konsumatorëve që kanë të bëjnë me adoptimin e gjuhës shqipe. Në këtë rast, shqetësimi ynë është se, bankat në RMV nuk pranojnë dokumentin zyrtar të lëshuar nga institucioni shtetëror i cili është në gjuhen shqipe. Nga ne është kërkuar që të aktvendimin ta përkthejmë në gjuhën maqedonase, ta notarizojmë dhe ta dorëzojmë në bankë për të vazhduar procesin e hapjes së llogarisë”, theksoi Elmedina Abdulahi.

Ata nënvizuan se bankat në Maqedoninë e Veriut i pranojnë dokumentet që janë gjuhën angleze, dhe se është e palogjikshme që bankat t’i pranojnë dokumentet në gjuhë ndërkombëtare ndërsa t’i refuzojnë ata në shqip, që është një gjuhë zyrtare e shtetit.

Për këtë problematikë, Portalb.mk ka kontaktuar edhe Komisionin Shtetëror për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Drejtorinë për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Organizatën e Konsumatorëve të RMV-së, Asociacionin e Bankave të Maqedonisë dhe Qeverinë e RMV-së. Por, nga asnjë na këto institucione nuk morëm përgjigje.