“Ping-pong” me përgjegjësinë e ndërtimit të fabrikës për vetura elektrike në Tetovë

Fabrikës për veturat elektrike “Next.e.go” në Tetovë nuk i shihet fundi edhe pse gur themeli për të u hodh para një viti e gjysmë. Punimet në terren zvarriten. Për këtë, institucionet kompetente duket se nuk e vrasin mendjen shumë, ata nuk tregojnë se ku ka ngecur kjo procedurë por hedhin përgjegjësinë te njëra tjetra, ndërsa disa të tjera heshtin, shkruan Portalb.mk.

Investimi që u mor me shumë vrull nga institucionet e vendit nuk po shkon ashtu siç duhet, deri më tani janë shkelur shumë deklarata dhe premtime të zyrtarëve për ndërtimin e kësaj fabrike në Tetovë.

Për të parë se ku qëndron ky proces, kontaktuam disa institucione të cilat topin e bartin te njëra tjetra.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut hesht në pyetjet gazetareske për këtë fabrikë.

Ministria e Ekonomisë na drejtoi te Komisioni për Mbrojtje nga Konkurrenca,

“Lidhur me procesin e ndërtimit të fabrikës për vetura elektrike në Tetovë, për informata se deri ku është procedura drejtohuni te Komisionin për mbrojtje nga konkurrenca për informacion se deri ku është shkon procedura”, thanë nga Ministria e Ekonomisë.

Por, nga Komisioni për Mbrojtje nga Konkurrenca topin e hedhin te Drejtoria e Zonave Zhvillimore Industriale Teknologjike.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju informojmë se Drejtoria e Zonave Zhvillimore Industriale Teknologjike është institucioni kompetent që udhëheq këtë projekt dhe është dhënës i ndihmës shtetërore në rastin konkret”, thanë nga Komisioni për Mbrojtje nga Konkurrenca.

Pyetëm edhe Agjencinë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të RMV-së, edhe ata topin e hodhën te Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Rreth ndërtimit të fabrikës për vetura elektrike në Tetovë, rrjedhën e saj dhe detajet rreth këtij projekti, duke pasur parasysh se institucioni kompetent që ka nënshkruar marrëveshjen është Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale e Republikës së Maqedonisë së Veriut (TIRZ), informacionet e kërkuara mund t’i merrni nga institucioni kompetent”, thanë nga Agjencia për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të RMV-së.

Ndërkaq Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale e Republikës së Maqedonisë së Veriut thotë se ata i kanë kryer detyrat e tyre, dhe se presin mendim nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Të gjitha procedurat nga Drejtoria kanë përfunduar, Qeveria ka miratuar edhe Marrëveshjen e Qirasë së Tokës. Tani e disa muaj pritet mendimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili është pjesë përbërëse e procedurës. Së shpejti presim mendim pozitiv nga Komisioni, me çka kompania do mund të fillojë ndërtimin”, thanë nga Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Për këtë pyetëm përsëri Komisionin për Mbrojtje nga Konkurrenca, ata nuk e kanë të qartë se çfarë mendimi pritet nga ata.

“Komisioni i Mbrojtjes së Konkurrencës, si organ kompetent për kontrollin e ndihmës shtetërore, me Vendimin nr. 10-110 të datës 10.08.2022 miratoi dhënien e planifikuar të ndihmës shtetërore për NEXT.E.GO në TIRZ Tetovë, pas njoftimit të dorëzuar nga Drejtoria për Zona Teknologjike Industriale si dhënës i ndihmës shtetërore. Nga sa u tha në mesazhin tuaj, nuk është e qartë se çfarë mendimi pritet nga Komisioni”, thanë nga Komisioni për Mbrojtje nga Konkurrenca.

Për atë se çfarë mendimi pret nga ky komision, Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk na u përgjigj në pyetjen gazetareske.

Derisa institucionet nuk mund të koordinohen, qytetarët do vazhdojnë të presin fabrikën e re në Tetovë.

Nga e thëna në të bërë ka një mal të tërë: Shumë premtime, (as)pak aktivitete në terren

seancën e Qeverisë të RMV-së me 11 gusht 2022 u miratua ndihma shtetërore për fabrikën e re me teknologji bashkëkohore për prodhimin e veturave elektrike në Zonën zhvillimore teknologjike – industriale në Tetovë.

Ndërkaq për të shënuar fillimin e punimeve të cilat nuk përfunduan asnjëherë deri më tani, Qeveria e RMV-së e udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski më 13 gusht 2022 u mblodhën në Tetovë në Zonën për Zhvillim Industrial dhe Teknologjik.

Pesë muaj më vonë, me 30 janar 2023 drejtori i Zonës Teknologjike Industriale Zhvillimore, Jovan Despotoski, shpjegoi se ka pasur problem me parcelën ku u vu gur themeli dhe se ishte gjetur zgjidhje në një parcelë pranë saj dhe se punimet do fillojnë së shpejti, kurse premtoi se do përfundojnë në afatin e paraparë në vitin 2024.

Dy muaj më vonë, me 24 mars 2023, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se për një muaj do të fillonte ndërtimi, por as kjo nuk u bë.

Me 6 prill 2023, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se fabrika për automjete elektrike në zonën në Tetovë në pajtim me marrëveshjen nuk ka marrë asgjë si ndihmë shtetërore dhe nuk do të marrin ndihmë derisa nuk fillojnë me aktivitete.

Ndërsa një vit pas hedhjes së gur themelit, opozitarja VMRO-DPMNE me 12 gusht 2023 pyeti pushtetin, LSDM-në dhe BDI-në se ku është kjo fabrikë që ata e premtuan dhe e shënuan me festë.

Përndryshe, investim shumëmilionësh i NEXT.E.GO MOBILE SE, Ahen, Gjermani në TIRZ Tetovë pritet të hapë tre deri në katër mijë vende të reja pune.