RMV, Enti për Statistikë nuk tregon nëse ka plan për mungesën e kuadrit dhe burimet financiare

Edhe gjatë vitit 2023 Enti Shtetëror për Statistikë u kritikua nga KE-ja në raportin e progresit për mungesë të kuadrit dhe burimeve financiare, derisa ky institucione, nuk arriti që gjatë vitit që lam pas t’i kapërcejë këto probleme. Madje në pyetjen e Portalb.mk për këto vërejtje, ata thanë se kanë hapur shpallje dhe shpresojnë që të aplikojë kuadër adekuat, duke mos theksuar nëse do të gjejnë zgjidhje edhe për problemin me burimet financiare.

“Në lidhje me pyetjet tuaja lidhur me konstatimet se Enti Shtetëror i Statistikave po përballet me mungesë të stafit dhe burimeve financiare, dëshirojmë të theksojmë se Enti po bën të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe pikërisht me 12 janar është hapur shpallja për pranimin e 14 zyrtarëve të rinj. Shpresojmë që për shpallje të aplikojnë personel i përshtatshëm, të cilët në periudhën e ardhshme do të mund të kalojnë një sistem trajnimi në mënyrë që të përfshihen në prodhimin statistikor”, thanë nga Enti i Statistikave.

Lidhur me problemin e sigurimit të burimeve financiare ata nuk dhanë përgjigje. Ndërkohë vitin e kaluar për sa i përket kësaj problematike ata thanë e EShS financohet nga Buxheti i RMV-së dhe nga mjetet e ndara për vitin 2023, mund të konstatohet se ato janë të mjaftueshme për nevojat themelore të institucionit – pagat dhe komunalet, pavarësisht se KE thotë të kundërtën.

Ndryshe nga raporti i vitit 2022, ku nuk ishte vërejtur ndonjë përparim i madh në raportin e këtij viti,  thuhet se janë vërejtur përmirësime në shumicën e fushave statistikore dhe në përafrimin e statistikave sektoriale me standardet e BE-së, duke përfshirë përdorimin më të mirë të burimeve administrative. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar shtrirjen dhe cilësinë e të dhënave në bazë të statistikave makroekonomike dhe sociale.

Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti:

  • të kryej regjistrimin në bujqësi deri në qershor 2024;
  • të sigurojë urgjentisht personelit adekuat dhe burimeve të mjaftueshme financiare për Entin Shtetëror të Statistikave;
  • të vazhdojë të përmirësojë statistikat makroekonomike, veçanërisht duke rritur konsistencën, afatet kohore dhe mbulimin e procedurës së deficitit të tepruar dhe statistikave të financave të qeverisë dhe duke përafruar më tej llogaritë financiare dhe llogaritë kombëtare tremujore me Sistemin Evropian të Llogarive 2010 (ESA 2010).

“Burimet njerëzore në ESHS janë rritur vetëm pak. Megjithatë, buxheti vjetor i ESHS-së për operacionet e rregullta u rrit me 9.4% në terma nominalë në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, duke përmbysur trendin negativ të mëparshëm”, thuhet në raport.

Është bërë progres në përdorimin e të dhënave administrative për zhvillimin e regjistrit të punësimit.

Raporti kritikon ESHS-në se ka bërë progres shumë të kufizuar në lidhje me tabelat e procedurës së deficitit të tepërt (PDT).

“Përpjekje të rëndësishme të mëtejshme nevojiten për të përmirësuar cilësinë, qëndrueshmërinë, mbulimin dhe afatin kohor të tabelave të PDT-së dhe statistikave të financave të qeverisë të ofruara përmes programit të transmetimit të ESA 2010. Për më tepër, për të respektuar rregullat e ESA 2010 për klasifikimin e sektorit, është e nevojshme të riklasifikohet pa vonesa të mëtejshme brenda sektorit qeveritar një kompani e madhe publike me ndikim thelbësor në deficitin dhe borxhin e qeverisë. Për llogaritë tremujore, tabelat e BPP-së sipas qasjes së të ardhurave u përpiluan dhe u dërguan në ESTAT për publikim në gusht 2023. Megjithatë, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar plotësinë dhe cilësinë e të dhënave të dorëzuara në llogaritë kombëtare tremujore”, thuhet në raport.

Sa i përket statistikave të biznesit, është bërë përparim i mirë.

Komisioni Evropian më 8 nëntor e publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.