Misioni i Agjencisë Evropiane të Mjedisit

Në kuadër të Bashkimit Evropian (BE) funksionojnë disa agjenci që kanë peshë në formulimin e politikave të unionit. Një prej tyre është Agjencia Evropiane e Mjedisit (AEM), që ka për qëllim të ndihmojë shtetet anëtare të BE-së që të marrin vendime të drejta, të jenë të informuara rreth mjedisit dhe të ndërtojnë politika që kanë të bëjnë me përmirësimin e mjedisit hapësinorë. Gjithashtu agjencia synon që shtetet anëtare dhe jo anëtare të mbajnë një qëndrueshmëri afatgjate me politikat e mjedisit.

AEM bën mbështetjen e politikave që nuk kanë të bëjnë vetëm me BE-në. Ajo viteve të fundit e ka zgjeruar aktivitetin edhe në nivel global. Agjencia e BE-së ofron gjithashtu përvojë analitike për vendet anëtare dhe jo anëtare të unionit. Një ndër misionet e agjencisë është të informojë qeveritë dhe publikun për të gjitha ndryshimet në politikat e mjedisit, duke dhënë rekomandime për rreziqet e mundshme të shekullit.

AEM është themeluar aty para shpërbërjes së BRSS-së në 1990 dhe përveç shteteve anëtare të BE-së, Lihtenshtajni, Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Turqia janë partnerë të fuqishëm të agjencisë duke kontribuar me mjete financiare. Selia e AEM-it është në Kopenhagë të Danimarkës, ku nga kryeqyteti danez, BE-ja duhet të vazhdojë misionin premtues për një union të gjelbër, të pastër dhe pa emitimin të gazrave të dëmshme.

Disa të dhëna të AEM-it tregojnë se “shtetet e BE-së kanë reduktuar emetimet neto të gazrave, duke përfshirë këtu aviacionin ndërkombëtar, me tre përqind në krahasim me nivelet e vitit 1990”. Sipas një raporti të agjencisë në sfondin e rritjes së çmimeve të gazit natyror, viti 2022 ka vërtetuar një ulje prej dy përqind të emetimeve të gazrave, e këtu posaçërisht në sektorin industrial. AEM ka vendosur një kufi për të arritur objektivin e reduktimit të emetimeve deri në vitin 2030.

Uljet vjetore në Evropë duhet të dyfishohen sipas rekomandimeve të agjencisë. AEM konsideron se “emetimet nga transporti rrugor, ndërtesat, bujqësia, mbetjet dhe industria e lehtë duhet të vazhdojnë me të njëjtin ritëm”. Për t’i arritur objektivat e 2030, rritja e energjisë së rinovueshme duhet të përshpejtohet nga shtetet e BE-së dhe vendet jo anëtare. Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, në fushën e emitimit të gazrave të dëmshme, rajoni vazhdon të mbetet i ndotur dhe pa një të ardhme të qëndrueshme.

Përkundër premtimeve të qeverive, zgjidhjet janë larg ose vetëm në dokumentet e ministrive apo të partive politike me agjenda të gjelbërta të rrejshme zgjedhore. Nisma e fundit e AEM-së për Ballkanin që përfshin gjashtë shtetet e rajonit, ka të bëjë me integrimin në rrjetin “Eionet”. Ky projekt lidhet me zbatimin e agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor në aspektin teknik të raportimit të synimeve të shteteve të rajonit.

Siç dihet fushat në të cilat trajtohen çështjet në këtë projekt janë të njohura duke filluar nga zero ndotje, biodiversiteti etj tej. Përafrimi i shteteve të Ballkanit me ambicien e BE-së për vitin 2050 për ta bërë Evropën një kontinent neutral ndaj karbonit mbetet në agjendat e qeverive. Në 2021, Komisioni Evropian u zotua me 1.25 miliardë euro për të mbështetur zbatimin e agjendës së gjelbër.

Në buxhetin e 2023-24, Komisioni Evropian ka planifikuar 2. 4 bilion euro për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, prej të cilave 764 milion euro për programin “Life” dhe 1. 5 bilion për fondet në transit për të qenë të sigurtë se agjenda e gjelbër po funksionon. Përkundër premtimeve të shumta, shtetet e Ballkanit për arsye të korrupsionit mbeten larg përmbushjes të synimeve dhe obligimeve të marra.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.