86 kompani në Maqedoninë e Veriut do të marrin gjithsej 4.4 milionë euro mbështetje për inovacion

Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik së bashku me Ministrinë për Arsim dhe Shkencë kanë prezantuar projektin “Grante të bashkëfinancuara për zhvillim teknologjik për rritje të përshpejtuar ekonomike”, përmes së cilës do të mbështeten 86 ndërmarrje me gjithsej 4.4 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

“U mundësojmë ndërmarrjeve të krijojnë kushte për tejkalimin e pasojave të krizës ekonomike, të arrijnë rritje të përshpejtuar, të rrisin konkurrencën në tregjet ndërkombëtare dhe rezistencën ndaj krizave pandemike dhe klimatike, përmes prezantimit të teknologjive të reja, inovative, të avancuara, “të gjelbra” dhe digjitale për transformimin e tyre”, vlerësoi Fondi.

Fondi theksoi që këtij investimi do t’i bashkëngjiten edhe 2.7 milionë euro nga përfituesit gjatë realizimit të projekteve, duke tejkaluar vlerën e investimeve mbi 7 milionë euro.

“Mbështetja e hulumtimit dhe inovacionit është prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërsa thirrjet publike të tilla të realizuara me sukses janë mekanizma funksionalë për financimin e projekteve inovative”, deklaroi ministri për arsim, Jeton Shaqiri.