20 milionë euro do të kushtojë riparimi i Sallës Universale në Shkup
Ministri i Kulturës Zoran Ljutkov njoftoi sot se deri në fund të javës do të shpallet prokurim publik fillimin e rindërtimit të Sallës Universale të djegur, për të cilën do të ndahen 20 milionë euro, ndërsa sipas ministrit, ajo duhet të jetë gati dhe të vihet në funksion deri në fund të vitit 2027, transmeton Portalb.mk.
“Deri në fund të javës do të shpallet prokurim publik dhe do të fillojmë ndërtimin e Sallës Universale. Sipas dinamikës që kemi përcaktuar në seksionin e buxhetit, ajo duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2027”, tha Ljutkov.
Ai shtoi se janë ndarë 20 milionë euro për rinovimin e plotë, të cilat do të shpërndahen nga Buxheti gjatë tre viteve.
“Procesi zgjat rreth 60 ditë. Do të shpallim tenderin dhe presim që nga e premtja, 1 gusht, të hapim ofertat dhe të fillojmë procesin e rindërtimit”, theksoi Ljutkov.
Salla Universale u përfshi nga flakët më 9 prill të vitit të kaluar, vetëm një muaj pasi rifilluan punimet për rindërtimin e saj. Ajo filloi të rinovohej drejt fundit të mandatit të ish-kryetarit të Qytetit të Shkupit Petre Shilegov në vitin 2021. Me ardhjen e Danella Arsovskës, si kryetare e kryeqytetit, puna u ndal dhe asgjë nuk u bë për dy vjet.