Agjencia për Mbështetjen e Turizmit në RMV nuk do të jetë me institucion i pavarur, rreth 30 punonjës do të transferohen në Ministrinë e Kulturës
Agjencia për Mbështetjen dhe Promovimin e Turizmit do të pushojë së ekzistuari si institucion i pavarur dhe do të jetë pjesë e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, gjë që u zyrtarizua me ndryshimet në Ligjin për Turizmin që u miratuan nga Parlamenti dje. Tridhjetë punonjës të Agjencisë do të transferohen në sektorin e turizmit të Ministrisë, i cili do të ketë edhe ambiente të reja për të cilat nuk do të paguhet qira, siç ka qenë në Qendrën Tregtare të Qytetit, transmeton Portalb.mk.
“Të gjitha procedurat dhe të gjithë punonjësit do të transferohen në një adresë, që është Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Shpresoj që pas tetë ditësh pas publikimit në Gazetën Zyrtare, do të vazhdojmë me marrjen në dorëzim të punonjësve, pronës, gjithçkaje që është në pronësi të Agjencisë së Mbështetjes së Turizmit. Të gjitha adresat do të drejtohen vetëm në një institucion dhe nuk do të paguhet më qira, e cila paguhej nga Agjencia e Mbështetjes së Turizmit në QTQ, por kemi siguruar edhe kushte të reja hapësinore – dy katet e para të ndërtesës që tani përdoret nga Ministria e Energjisë. Kështu që edhe këtu do të ulen kostot, do të marrim kushte shumë më të përshtatshme, një vendndodhje më qendrore, më shumë dukshmëri dhe, së fundmi, tani do të vazhdojmë plotësisht si Ministri e Kulturës dhe Turizmit”, tha ministri i Kulturës, Zoran Lutkov.
Me ribalancimin e buxhetit të destinuar për Agjencinë e Mbështetjes së Turizmit, Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit i sigurohen shtesë 605 milionë denarë ose rreth 10 milionë euro. Ato janë shpërndarë në disa artikuj dhe do të përdoren për të mbështetur dhe promovuar kulturën dhe turizmin – për aktivitete në Plaoshnikut, Kalanë e Shkupit, Agjencinë e Filmit, etj.
Ministri njoftoi se është formuar një grup pune për të promovuar aktivitetin e guidave turistike në një takim që pati me ta dhe me shoqata nga vendi. Paralelisht me përgatitjen e një strategjie të re për kulturën, pas skadimit të asaj të mëparshmes në vitin 2022, Ministria po përgatit edhe një Strategji për Turizmin për periudhën 2027-2032.
Kujtojmë se më 30 janar, me 66 vota “pro” dhe 8 “kundër”, Kuvendi miratoi me procedurë të shkurtuar ndryshimet në Ligjin për mbikëqyrjen inspektuese. Tash e tutje, inspektoratet do të vazhdojnë të punojnë si organe brenda ministrive dhe nuk do të kenë llogari të tyre buxhetore. Ata nuk do të mund të kryejnë në mënyrë të pavarur procedurat për prokurimin publik dhe punësim, as të vendosin për të drejtat dhe detyrimet e punonjësve.