2.76 milionë banorë në Shqipëri, mosha mesatare arrin 38.8 vjeç

Shqipëria ka humbur 1.1% të banorëve të saj gjatë vitit 2022, përqindje kjo që e ka çuar popullsinë e vendit në 2.761.785 banorë, raporton VOA. Rënia e numrit të banorëve vjen për disa arsye që lidhen me strukturën demografike dhe raportet e emigracionit, çka bën që popullsia të pësojë ulje të vazhdueshme që nga viti 1990.

Vetëm vitin e kaluar, nga lëvizja e popullsisë, vendi ynë numëron 32.500 njerëz më pak, ndërsa ndikim në tkurrje po jep edhe lindshmëria në moshë të madhe dhe zgjedhja për të lindur pak fëmijë.

Sipas të dhënave qe nxjerr INSTAT, edhe mosha mesatare është rritur në 38.8 vjeç, nga 38.2 që ishte një vit më parë.

Përllogaritjet e popullsisë më 1 janar 2023 tregojnë se vetëm një qarku i Tiranës shënoi rritje të popullsisë, ndërsa njëmbëdhjetë qarqet e tjerë humbën banorë, përfshi edhe Durrësin, i cili deri vitin e kaluar shënonte normë pozitive.

Në raport gjinor, Shqipëria numëron 27 mijë femra më tepër se meshkuj.