Janë përplasur trenat në Indi, 50 të vdekur dhe 300 të plagosur

Së paku 50 persona kanë vdekur dhe 300 janë shtruar në spital në Indi, pasi një tren me pasagjerë doli nga shinat dhe u përplas me një tren mallrash në qarkun Balasore të Odishas, raporton Reuters, transmeton REL.

Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar dhe “e gjithë ndihma e mundshme” po ofrohet për të prekurit, tha kryeministri indian Narendra Modi.

Treni Coromandel Express, i cili udhëton nga Kolkata në Chennai, pas përplasjes doli nga shinat dhe ra në shinat e kundërta, thuhet në raporte. Shumë njerëz janë ende të bllokuar.

“Po punojnë gati 50 autoambulanca, por duket se ka shumë të lënduar. Një numër i madh autobusësh janë duke u mobilizuar për të transferuar të plagosurit në spital”, shkroi në Twitter, sekretari kryesor i Odishas, Pradeep Jena.

19:07 – Të paktën 100 persona raportohet se janë lënduar pasi dy trena u përplasën në shtetin lindor të Indisë, Odisha, raporton BBC, transmeton Klan Kosova. Rreth 50 autoambulanca janë dërguar në vendngjarje, sipas kryesekretarit të shtetit.

Dyshohet se një numër personash kanë vdekur.

Kryeministri indian, Narendra Modi, shkroi në Twitter duke thënë se ishte i shqetësuar nga incidenti dhe se bashkëndjen me familjet e viktimave.

“Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar në vendin e fatkeqësisë dhe e gjithë ndihma e mundshme po u jepet të prekurve”, shkroi ai në Twitter.