ANALIZË: Maqedonia ndër vite, shqetësuese çfarë ka shkaktuar urrejtja e padënuar

Gjuha e urrejtjes në vitet 2013-2018-të, u shndërrua në gjuhë normale e komunikimit për shumë persona publik, gazetarë, tifo grupe, funksionarë e qytetarë nëpër rrjetet sociale, media e protesta. Edhe përkundër kësaj, kjo vepër penale shumë pak është detektuar dhe paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ende më keq, askush nuk është dënuar për një vepër për të cilën parashikohet nga 1 deri më 5 vite burg.
Sipas statistikave që i ka siguruar Portalb.mk, për 5 vitet e fundit, Ministria e Punëve të Brendshme ka evidentuar vetëm 29 raste të gjuhës së urrejtjes, në kushte të shoqërisë sonë të brishtë në Maqedoni, ku thuajse në çdo revoltë qytetare gjuha e urrejtjes është kryefjala e protestës, shkruan Portalb.mk.

Sipas të dhënave, në vitin 2013-të ka pasur vetëm 4 raste, në vitin 2014 – 3 raste, në vitin 2015 – 5 raste, 2016 – 3 raste, 2017 – 6 raste, ndërkaq numri është rritur në këtë vit, gjegjësisht vetëm për gjysmë viti pra, prej në janar deri në qershor ka pasur 8 padi për gjuhë të urrejtjes.

Më së shumti padi janë ngritur për “rrezikim të sigurisë nëpërmjet rrugës së sistemit informatik sipas nenit 144 paragrafi 4”, për 5 vjetët e fundit duke shtuar dhe gjysmën e vitit 2018-të, MPB ka dorëzuar 21 padi penale.
Për “shkaktim të  urrejtjes, mosmarrëveshjes ose intolerancës në bazë nacionale, racore, fetare ose në bazë ndonjë diskriminimi tjetër sipas nenit 319 paragrafi 1”, MPB për 5 vjet e gjysmë ka dorëzuar 6 padi.
Në 5 vjetët e fundit MPB nuk ka dorëzuar asnjë padi për shpërndarje të materialeve raciste dhe ksenofobe nëpërmjet sistemit kompjuterik, sipas nenit 394 G paragrafi 1.
Nga një padi, MPB në 5 vitet e fundit përfshirë edhe gjysmën e 2018-tës ka ngritur për “diskriminim racor dhe diskriminim tjetër sipas nenit 417 paragrafi 1” dhe “shkelje të barazisë së qytetarëve sipas nenit 137 paragrafi 1”.

Për më shumë shiheni infografikun:

Komiteti i Helsinkit, nga ana tjetër në një raport të publikuar thotë se vetëm gjatë vitit të kaluar kanë regjistruar 70 incidente dhe vepra të cilat janë shkaktuar nga urrejtja.

Shumica e veprave, gjegjësisht 35, bazë ka qenë përkatësia politike, ndërkaq në 30 raste ajo nacionale apo etnike. Shumica e veprave – 34 kanë qenë dhunë, në 30 ka pasur dëmtim të pronës, ndërkaq lëndime trupore ka pasur 30.

“Është e nevojshme që gjuha e urrejtjes të merret me seriozitet, pasi që mospërballja nënkupton prodhim të incidenteve dhe veprave penale nga  urrejtja”, tha drejtoresha e Komitetit të Helsinkit, Uranija Priovska, transmeton Portalb.mk.

Sipas saj, viktima më të shpeshta të gjuhës së urrejtjes, janë personat e rinj, ndërkaq kryerësit sipas përkatësisë etnike janë maqedonaset dhe shqiptarët.“Kjo flet se shteti nuk kontribuon në edukimin dhe arsimimin, në zhvillim e tolerancës, kuptimin dhe bashkëjetesën me etnitetet tjera”, tha Pirovska.

LEXO: Gjuha e urrejtjes vdekjeprurëse në Maqedoni, çka duhet të bëjnë institucionet?
LEXO:  Maqedoni, edhe pse është vepër penale, ende nuk ka dënim për thirrjet ofenduese ndaj shqiptarëve

LEXO: Urrejtja “vlon” në Maqedoni, Prokuroria dhe Gjykata heshtin (FOTO)
LEXO: Gjuha e urrejtjes, problem shqetësues në Maqedoni
LEXO: Gjuha e urrejtjes në Maqedoni kushton 1 mijë euro, e në Bosnje 150 mijë euro (FOTO)

Rastet më eklatante të gjuhës së urrejtjes në vitet 2013 – 2018

2013 – mbahet mend si vit i sulmeve dhe të rrahurave nëpër autobusë. Gjegjësisht, nxënësit si pasojë e gjuhës së urrejtjes, kanë sulmuar moshatarë të tyre nëpër autobusët derisa ata janë kthyer prej shkollës. Këto ndodhi kanë ndodhur vazhdimisht, ndërkaq asokohe kishte dyshime se të njëjtat janë të motivuara nga pushteti. Ndaj kësaj, disa herë shqiptarët kanë protestuar duke kërkuar nga autoritetet që të kujdesen për sigurinë e fëmijëve të tyre.

Rast që nxiti gjuhë të urrejtjes ka qenë edhe ai kur i dënuari për krime lufte Johan Tarçullovski, pasi u kthye nga Haga, është pritur me ceremoni shtetërore. Kjo ka shkaktuar reagime nga familjarët e të vrarëve në Luboten, si dhe shpërthim në rrjetet sociale të gjuhës së urrejtjes, kryesisht nga shqiptarët.

Gjuhë të urrejtjes gjithashtu ka nxitur edhe rasti me tentativën e BDI-së pushtetare e cila me “çekan” tentoi ta rrëzojë përmendoren e personazhit kontrovers Car Dushan.

Ky vit mbahet mend edhe për rastin kur pasi u zgjodh Talat Xhaferit për ministër të Mbrojtjes, gjë e cila shkaktoi reagime te kominiteti maqedonas duke thënë se nuk mundet që të bëhet ai ministër sepse ka qenë pjesë e UÇK-së në konfliktin e vitit 2001. Një thirrje në “Facebook”, i ka mobilizuar disa pjesëtarë të komunitetit maqedonas edhe atë drejtuar deri te fëmijë të mitur si kundërpërgjigje ndaj një proteste të shqiptarëve e cila organizohej kundër rrahjes së fëmijëve në Shkup.

Një raport i Komitetit të Helsinkit, ka treguar se në periudhën janar – dhjetor 2013 janë shënuar 116 krime dhe incidente nga urrejtja. Sipas të njëjtës, Shkupi, Kumanova, Tetova, Gostivari dhe Struga janë vatrat më kritike në të cilat kanë ndodhur pjesa më e madhe e incidenteve të shkaktuara për shkak të gjuhës së urretjes.

Rrahje mes te rinjve

Foto ilustrim

2014Ky vit, është vetëm vazhdimësi e asaj që ka ndodhur në të kaluarin. Raporti i Komitetit të Helsinkit për këtë vit thotë se gjithsej ka pasur 170 krime dhe incidente nga urrejtja. Nga këto raste, 97 krime janë shkaktuar për shkak të mosdurimit etnik.  Edhe më brengosës ishte fakti se pjesa më e madhe e kryesve janë të mitur.

Ky vit mbahet mend për ndodhinë e vrasjes së maturantit Angel Petkovski, nga Naser Eshtrefi, e cila shkaktoi bujë të madhe, ku pas vrasjes, disa pjesëtar të komunitetit maqedonas u ngritën në protestë me thirrje kundër shqiptarëve, madje dhe demoluan objektet bizneseve shqiptare që ndodheshin në lagjen Gjorçe Petrov.

Ndodhitë me sulmet e nxënësve nëpër autobusë, ndonëse kanë vazhduar edhe në këtë vit, megjithatë jo si në atë të kaluarin. Në këtë vit ka pasur trend tjetër. Pjesëtarë të tifo-grupeve dhe të grupeve huligane, kanë sulmuar shtëpitë e shqiptarëve në Radishan, ku në një rast arritën ta përzënë një familje nga atje.

Sulmet zakonisht kanë ndodhur pas mbarimit të lojërave futbollistike, ndërkaq ngjarje të ngjashme ka pasur dhe në Llokë të Shkupit.

Në këtë vit janë mbajtur edhe zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare, të cilat kanë ndihmuar edhe më shumë që të nxitet gjuha e urrejtjes. Sikur në tërë historikun e  fushatave zgjedhore në Maqedoni, edhe në këto, politikanët kanë bërë thirrje nacionaliste dhe “patriotike”.

VMRO-DPMNE asokohe e udhëhequr nga Nikolla Gruevski kërkonte mbi 60 mandate të deputetëve për të mos u kushtëzuar, siç thoshte, me kërkesa nga partitë shqiptare, ndërsa BDI-ja e udhëhequr nga Ali Ahmetit kërkonte 25 mandate, që sipas tij, do të ishin garanci për rrumbullakimin e të drejtave të shqiptareve. Kjo retorikë ka shkaktuar që popullata ta ashpërsojë dialogun mes vete dhe të shprehet në forma të ndryshme të cilat përmbajnë gjuhë të urrejtjes, transmeton Portalb.mk.

Rast tjetër që ka nxitur gjuhë të urrejtjes, mbahet mend dhe ai për tentimin e ndryshimit të stemës së Maqedonisë. Gjegjësisht, VMRO-DPMNE-ja propozoi një logo me luanin e logos së partisë së tyre, gjë që shkaktoi reagime të shumta te shqiptarët, duke sharë dhe shprehur gjuhë urrejtje në rrjetet sociale.

Protesta në Gjorçe Petrov

Protestat në Gjorçe Petrov

2015 – Rastet më të freskëta i kemi që nga ky vit, gjegjësisht prej kur filloi kriza e thellë politike në Maqedoni, pasi që lideri i opozitës Zoran Zaev filloi me publikimin e “bombave”, me çka dhe filloi fundi i regjimit të VMRO-DPMNE-së në krye me kryetarin e saj Nikolla Gruevski.

Nga “bombat” e publikuara, atëherë dëgjuam se si ministrja e atëhershme e MPB-së, Gordana Jankulloska, ka përdorur gjuhë të urrejtjes kundër shqiptarëve, por edhe kundër romëve. Ajo shqiptarët i quajti “indianë”, tha se “duhet pastruar një herë e mirë”, i quajti “të humbur”, por edhe i quajti me termin ofendues “shiptari”. Nga ana tjetër romët i quajti “ciganë” dhe tha se nëse nuk dalin të votojnë “për veshë cigan për cigan do t’i nxjerrim”.

Shqiptarët i quajti me fjalë ofenduese “shiptari” edhe kryeredaktori i televizionit më të afërt me VMRO-DPMNE-në, Dragan Pavloviq Llatas.

Në po këtë vit, kur “bombat” ishin në kulminacionin e tyre, në Maqedoni ndodhi konflikti i “Kumanovës”, gjegjësisht 40 pjesëtarë të një grupi të ardhur nga Kosova, konfrontohen me forcat policore të Maqedonisë. Kjo ka nxitur që të vazhdojnë thirrjet nacionaliste mes qytetarëve, edhe pse funksionarët kanë bërë thirrje për paqe.

Si rrjedhojë e kësaj, mediat e afërta me Gruevskin, filluan me propagandën për ta mbrojtur pushtetin, duke u dhënë hapësirë më të madhe disa  gazetarëve kontrovers si Milenko Nedellkovski, Mirka Velinovska, Vasko Eftov e të tjerë që të mbajnë emisione të cilat ishin të mbushura me gjuhë të urrejtjes.

Gordana Jankullovska

Gordana Jankullovska

2016Në vitet 2016 gjuha e urrejtjes në Maqedoni mori përmasa edhe më të mëdha, gjegjësisht në vitin 2016 Toni Naunovski, i njohur si person me qëndrime publike kundër shqiptarëve u zgjodh në krye të Komisionit për Antidiskriminim. Në po të njëjtin vit, gjuha e urrejtjes u nxit edhe më shumë, pasi që partitë në pushtet VMRO-DPMNE u përplasën për ndërtimin e një kryqi në Butel. Gjegjësisht, VMRO-DPMNE-ja kishte vendosur që ta ndërtojë kryqin, ndërkaq nga ana tjetër BDI kishte dalë në protestë dhe kishte thirrur popullatën që ta ngritin zërin kundër kryqit. Në këtë periudhë, pos thirrjeve të kundërta mes funksionarëve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, edhe rrjetet sociale kanë “vluar” nga thirrjet “për” dhe “kundër” kryqit. Si rezultat i kësaj, është rrahur Todor Petrov, i cili ishte njëri ndër donatorët e ndërtimit të kryqit 55 metrash në Komunën e Butelit. Siç tha ai, atë e kanë rrahur disa funksionarë të BDI-së. Kjo edhe më shumë ka nxitur masën që qytetarët gjithandej të përdorin gjuhë të urrejtjes në baza fetare dhe etnike, përcjellë Portalb.mk.

Gjithashtu, në këtë vit kanë ndodhur edhe protestat e VMRO-DPMNE-së, përpara KSHZ-së, kur protestuesit kanë përdorur thirrje nacionaliste si “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur” dhe të ngjashme, ndërkaq lideri i tyre, Nikolla Gruevski, dërgoi fjalë të ashpra kundër ambasadorëve.

Për të qenë edhe më kontroverse, në këto protesta, kryetarja e Komisionit për Marrëdhënie Fetare, Valentina Bozhinovska u kërcënua me “Natë të thikave të gjata – kjo natë ka qenë operacion i cili është kryer në Gjermani më 30 qershor dhe 2 korrik të vitit 1934, kur regjimi nazist likuidoi së paku 85 njerëz për arsye politike.

Në të njëjtat protesta, edhe lideri i partisë rome Amdi Bajram, ka mbajtur fjalim me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes duke thënë se “Zaevi shumë afër do ta ketë funeralin. Shumë shpejt do t’i vjen varrosja. Do të jetë në kardiologji, do të pësojë infarkt për disa ditë. Atje do të shkojmë për vizitë. Do t’i ndezim qirinj edhe në varreza”. Për Bajramin nuk ka qenë hera e parë që ka ofenduar me këso fjalori, megjithatë ai asnjëherë s’është dënuar.

Kryeredaktori i “Sitelit” Llatas, në këtë vit gjatë një interviste me kryeministrin Zaev, atij i tha se “po gënjen si turk“, një ofendim që shkaktoi reagim të ashpër nga komuniteti turk, por edhe Ambasada e Turqisë në Maqedoni.

Në po të njëjtën periudhë, në një faqe në internet,  u paraqitën disa fotografi të shumë ambasadorëve dhe ish-ambasadorëve në Maqedoni, si dhe diplomatëve tjerë të huaj në të cilat u ishin vendosur korniza përkujtimore me shirita të zinj dhe kurora varri.

Protesta në Gjorçe Petrov

Protestat në Gjorçe Petrov

2017Ky vit filloi gjithashtu me gjuhë të urrejtjes. Pushteti i VMRO-DPMNE-së, pasi kishte humbur fuqinë politike, po mundohej të gjejë “kundërshtarë”. Me këtë rast, i njëjti filloi me ndjekjen e organizatave joqeveritare, gjegjësisht filloi fushatën për “desorosoizim, me të cilën fushatë, 22 organizata qytetare u bënë cak i sulmeve me fjalë si “tradhtarë” dhe që “punojnë për interesa të huaj”.

Në këtë vit, persona të afërt me VMRO-DPMNE-në kanë zhvilluar fushatë duke sulmuar gazetarë, por edhe persona publik. Ata u shkonin nëpër shtëpitë e tyre, nëpër vendet ku punonin dhe i ofendonin me fjalë fyese duke i quajtur “tradhtar” apo “të shitur”, ndërkaq ka pasur dhe rast ku gazetari, Borjan Jovanovski, derisa ka darkuar në një restorant është pështyrë në fytyrë.

Në këtë vit janë shfaqur edhe “Tvrdokornit një grup huliganësh, udhëheqësit e të cilëve ishin të afërt me VMRO-DPMNE-në. Ata protestonin kundër të ashtuquajturës “Platforma Shqiptare”, por edhe kundër pretendimit për ndërrim të emrit. Në disa raste, ata kanë shpërndarë thirrje nacionaliste, thirrje kundër opozitares LSDM, shqiptarëve, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Në shumë protesta të tyre, madje u përzien edhe klerikë fetarë apo priftërinj, të cilët bënin thirrje të mbushura me gjuhë të urrejtjes, megjithatë asnjëri prej tyre asnjëherë nuk i thirr në bisedë në polici, transmeton Portalb.mk.

Kulminacioni padyshim që ishte 27 prilli – nata më e zezë e historisë moderne të Maqedonisë, kur huliganët u futën në Kuvend dhe rrahën, por dhe demoluan gjithçka që gjetën përpara. Si në protestë, ashtu edhe në rrjetet sociale, atë natë, sikur edhe paraprakisht, janë shpërndarë thirrje për linçime dhe vrasje, përveç thirrjeve të zakonshme nacionaliste.

Pas kësaj, gjuha e urrejtjes ka vazhduar dhe pas arrestimit të dhunuesve të Kuvendit, megjithatë, tani në një intensitet pak më të ulët, pasi që vetëm se ishte ndërruar pushteti, gjegjësisht ishte formuar përbërja e re qeveritare BDI-LSDM-Aleanca për Shqiptarët.

Me ndërrimin e qeverisë, është ulur dhe niveli i gjuhës së urrejtjes nëpër media, edhe pse plotësisht nuk është shuar, pasi që kohë pas kohe, ka pasur thirrje të tilla, nga protestat, ose nga ndonjë tifo-grup.

27 prill Kuvend

27 prill Kuvend

2018 – Gjuha e urrejtjes u riaktualizua, pasi që u riaktualizua çështja e emrit. VMRO-DPMNE-ja, tani opozitare me organizatat e afërta me to kanë protestuar kundër “ndërrimit të emrit”.

Pas arritjes së Marrëveshjes për Emrin, nëpër rrugët e Maqedonisë, në këto protesta janë dëgjuar thirrje për linçime të pushtetarëve, duke i quajtur “tradhtarë”. Po kësaj, në këto protesta janë fyer edhe shqiptarët.

Mediat dhe OJQ-të kanë publikuar tekste dhe thirrje ku kanë kërkuar nga organet kompetente që t’i dënojnë personat që përdorin gjuhë të urrejtjes – duke ofruar dëshmi, por deri më tani asgjë s’është ndërmarrë.

Si rezultat i gjuhës së urrejtjes, së fundmi ndodhi edhe vrasja e anëtarit të tifo-grupit “KomitëtNikolla Sazdovski. Ashtu siç u shkrua në media, vrasja është kryer si pasojë e gjuhës së urrejtjes, gjegjësisht tre të akuzuarit për vrasje dhe ai, me javë të tëra, paraprakisht janë përleshur verbalisht në internet në linjë etnike. Madje ashtu siç mund të shihet, profili në “Facebook i të ndjerit Sazdovski ka qenë i mbushur me gjuhë të urrejtjes, ashtu sikur shumë profile tjera.

Nikolla Sazdovski

Nikolla Sazdovski

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP