RDK: Rrahja e të pafajshmëve, dëshmi për shtetin e degjeneruar

RDK-ja ka reaguar lidhur me incidentet me rrahjet e shqiptarëve në Shkup. Reagimi i plotë të RDK-së vijon si më poshtë:

Rilindja Demokratike Kombëtare shpreh shqetësimin e thellë për sulmet e vazhdueshme huliganeske që po bëhen përditshmëri në Shkup si edhe indiferentizmin e vazhdueshëm të organeve shtetërore, si veprim qyqar që po nxit këtë atmosferë të dhunës me tipare të organizuara ndaj të rinjve të pambrojtur shqiptarë.

Për fat të keq ngjarjet e njëjta, rreth një vit më parë, që kulmuan me dhunën ndaj shqiptarëve të pafajshëm nëpër autobusa kaluan pa ndëshkimin e asnjë krimineli. Kjo mënyrë sjelljeje e Qeverisë aktuale, së bashku me propagandën gebelsiane të miqve të kesaj qeverie në mediumet proqeveritare, shoqëruar me rolin e strucit nga partia shqiptare në pushtet dhe shpërlarjen e gojës së ministrave kukulla shqiptarë, ka inkurajuar elementin më destruktiv të këtij vendi, të zënë në krizë të gjithanshme.

RDK solidarizohet me revoltin dhe dhimbjen e fëmijëve dhe familjeve të tyre, të rrahur ditët e fundit në Shkup, por dëshiron njëherit t’i inkurajojë shqiptarët të mos kenë frikë nga këta ekstermistë dhe huliganë, të cilëve politika e qeverisë aktuale ua ka hequr zingjirin dhe i ka lëshuar si kope të bredhin rrugëve, në mënyrë që të rrisin rejtingun e qeverisë aktuale maqedone para zgjedhjeve, duke argumnetuar edhe një herë se sa e korruptuar dhe e dështura është politika e partisë shqiptare në pushtet.

RDK shpreh bindjen e thellë se rrahja e femijëve dhe qytetarëve të pafajshëm është nonsens i paparë dhe shenjë e degjenerimit të rëndë të këtij shteti me pasoja shumë negative për të tashmen dhe të ardhmen e të gjithë qytetarëve.

Maqedonia ka përfituar deri tani nga ruajtja e ekuilibrave ndërkobëtare, por ekuilibrat ndërkobëtare nuk janë asnjëherë të pandryshueshëm dhe të përjetshëm dhe ekzistencën e një shteti mund ta sigurojë vetëm mosprishja e ekuilibrave të brendshëm, të cilat me huliganizmin e pandëshkuar të viteve të funidt rrezikohen seriozisht.
RDK u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të të drejtave të njeriut dhe vendeve perendimore që t’i terheqin verrejtjen seriozisht kësaj qeverie të papërgjegjshme për të mos i përdorur shqiptarët si instrument për përfitime politike zgjedhore .

Edhe një herë konstatojmë se përgjegjësia e Ministrisë së punëve të brendshme për situatën e rëndë të krijuar është e padiskutueshme dhe se është koha e fundit për konstatimin e përgjegjësive dhe dorëheqjeve nga nivelet më të larta të këtij institucioni.

Të gjitha institucionet, partitë politike dhe qytetarët kanë përgjegjësi që të mos lejojnë që Shkupi të transformohet në Libanin e dytë të Ballkanit me pasoja afatgjata negative për koekzistencën, sigurinë dhe stabilitetin e vendit dhe të rajonit më të gjerë.

Lajme të ngjashme

Back to top button