Llatas ofendon popullin turk, reagon ambasadori i Turqisë në Shkup

Ambasada e Turqisë në Shkup ka reaguar për shkak të gjuhës së përdorur ndaj Turqisë dhe popullit turk nga ana e kryeredaktorit të televizionit “Sitel”, Dragan Pavloviq Llatas, në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori i Turqisë në Maqedoni, Ömür Şölendil në një deklaratë për shtyp ka theksuar se: ”Dënojmë ashpër fjalët e kryeredaktorit të televizionit ‘Sitel’ Dragan Pavloviq Llatas. Shprehjet e tij janë të turpshme dhe të papranueshme. Këtë shprehje të urrejtjes dhe armiqësisë i’a kthejmë atij i cili edhe më parë në shkrime dhe deklarata të ndryshme ka guxuar të përdorë shprehje fyese dhe ofenduese ndaj zyrtarëve të lartë të Republikës së Turqisë dhe popullit turk”.

Şölendil në deklaratën e tij rikujtoi se Turqia është vendi i parë i cili e ka njohur Maqedoninë me emrin e saj kushtetues dhe vazhdon ta mbështesë vendin, siç e quan mik dhe vëlla, në çdo fushë.

“E presim me keqardhje shprehjen e shëmtuar e cila e ka shënjestruar popullin turk dhe Republikën e Turqisë. Edhe pse kërkoi falje si rrjedhojë e presionit të komunitetit turk në vend kjo falje është larg kompensimit të sjelljes së tij të shëmtuar” shtoi Şölendil në deklaratën e tij.

Ambasadori turk e ftoi Televizionin “Sitel” të marrë masa administrative ndaj personit në fjalë në bazë të parimit të objektivitetit mediatik dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Maqedonisë.

Në deklaratë gjithashtu u theksua se Ambasada e Turqisë në Shkup do të marrë iniciativa edhe para autoriteteve ligjzbatuese maqedonase.

Kryeredaktori i televizionit “Sitel” në Maqedoni, Dragan Pavloviq Llatas ditën e djeshme gjatë edicionit qendror të lajmeve kishte si të ftuar Zoran Zaevin nga partia opozitare në vend Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM). Gjatë diskutimit ai i është drejtuar Zaev-it duke i thënë se ai “gënjen si turk” duke fyer kështu dinjitetin e popullit turk. Në Maqedoni edhe më parë në programe të ndryshme televizive janë thënë shprehje të cilat përmbanin fyerje dhe ofendime për zyrtarë të lartë të Republikës së Turqisë dhe popullin turk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button