Gjithçka që ndodhi gjatë sulmit në Kuvend (FOTO+VIDEO)

Sulmi ndaj Kuvendit dhe rrahja e deputetëve dhe gazetarëve nga ana e protestuesve të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” e cila udhëhiqet nga persona të eksponuar të VMRO-DPMNE-së pasi u zgjodh për kryetar të Kuvendit Talat Xhaferi nga shumica parlamentare, nga faktori i brendshëm dhe i jashtëm u cilësua si “sulm ndaj demokracisë”, njofton Portalb.mk.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, mbrëmë në një konferencë të jashtzakonshme për shtyp, ka bërë thirrje për qetësi dhe i ftoi për sot të gjithë liderët në kabinetin tij që t’i shohin të gjitha opsionet për gjetjen e zgjidhjes, pas ngjarjeve në Kuvend.

Sulmin e dënuan, të gjitha partitë në vend, madje edhe vet VMRO-DPMNE-ja, e cila ishte nxitëse e protestave. Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE-së, për rrahjen e deputetëve të shumicës parlamentare dhe gazetarëve e bën “fajtor Zoran Zaevin e LSDM-së”.

Protesta

LSDM-ja tha se “do të ketë përgjegjësi për sulmin e përgjaskshëm” dhe se “dhuna e përgjakshme në Kuvend është rezultat i dhunës që ka thirrur periudhën e kaluar Nikolla Gruevski, Gjorgje Ivanov, Trajko Veljanoski, grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së dhe mbështetësve dhe bashkëpunëtorëve të tyre”.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani apeloi që qytetarët të mbeten të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve. Ai gjithashtu tha se pasi të qetësohet situata atëherë do të bëhet një analizë e detajuar dhe do të kërkohet edhe përgjegjësi për rolin e policisë e cila nuk ka reaguar me kohë për të parandaluar eskalimin e situatës, transmeton Portalb.mk.

kuvend

Lëvizja BESA nëpërmjet kumtesës i ka dënuar incidentet në Kuvend dhe “konstaton se me atë që Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë i lejoi që huliganët e VMRO-DPMNE-së ta sulmojnë institucionin më të lartë ligjëdhënës në vend flet se Maqedonia tashmë nuk i ngjan një shteti demokratik dhe aty askush nuk është i sigurt për jetën e tij”.

Anëtari i LR-PDSH-së, Arben Taravari, sulmin e djeshëm e ka cilësuar si “fund i një të Keqeje, fund i pashmangshëm i saj”.

Partia Demokratike Shqiptare përmes një njoftimi fuqimisht e dënon dhunën e ushtruar ndaj deputetëve dhe gazetarëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë .

Edhe partia Uniteti i dënon ashpër veprimet e dhunshme në Kuvend. Sipas tyre, “kjo nuk është mënyrë e zgjidhjes së krizës në vend. Kjo është e papranueshme dhe e thellon edhe më tepër atë. Ky përshkallëzim duhet të ndalet nga kompetentët përgjegjës, ngase do të provokojë pasoja të paparashikueshme për qytetarët dhe për shtetin”.

Faktori ndërkombëtarë me reagime ndaj dhunës

Për sulmet në Kuvend, reagime kanë arritur nga katër anët e botës dhe për të kanë shkruar mediat më prestigjioze.

Ambasadori i Suedisë në emër të gjithë ambasadorëve në vend mbrëmë u drejtua në një konferencë të përbashkët duke komentuar gjendjen e tensionuar në vend. Ai theksoi se kjo gjendje është e papranueshme dhe apeloi deri te të gjithë që e krijuan këtë kaos, se tani është koha për dialog dhe qetësi e jo për dhunë.

“Apelojmë të gjithë partive që të përmbahen nga retorikat nxitëse dhe të përkeqësojnë gjendjen, si dhe kjo është detyrë e forcave të rendit për të mbajtur nën kontroll gjendjen e tensionuar”, u shpreh ambasadori i Suedisë në Maqedoni Mats Stefanson.

sobranie-osvoeno

Nëpërmjet kumtesave, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogerini, e kanë dënuar dhunën e shtruar në shtëpinë legjislative dhe kanë bërë thirrje për qetësi.

Shefja e OSBE-së në Maqedoni, Nina Suomalainen në murin e saj në tuiter ka bërë thirrje që të ndalohet dhuna në Kuvend dhe policia t’i sigurojë deputetët.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shprehur keqardhjen për gjendjen e jashtëzakonshme në Maqedoni. I ftuar në Top Story, Rama tha se në këtë situatë duhet të veprohet me qetësi. Rama ka porositur shqiptarët e Maqedonisë që të mos bien pre e provokimeve. Ai ka kritikuar gjithashtu edhe punën e policisë maqedonase, përcjellë Portalb.mk.

Ministri austriak i Punëve të Jashtme Sebastian Kurc, i cili është kryesues aktual me OSBE-në, dhe sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zanieri, publikuan kumtesë të përbashkët në të cilën e dënuan incidentin në Kuvendin e Maqedonisë të enjten pasdite. Në kumtesë thuhet se dhuna nuk mund të zëvendësohet për zgjidhje politike dhe se vendimet duhet të miratohen në pajtueshmëri me proceset demokratike dhe në mënyrë të përgjegjshme.

Eurodeputeti gjerman, Knut Flenkeshtajn, pas dhunës në Kuvend tha thënë se “VMRO-DPMNE e ka kaluar Rubikonin. Përfundoi koha e fjalëve të mira, BE duhet të ndërmerr masa. Për këtë do të flasim nesër”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë  ka reguar duke thënë”Respekt, siç kemi kërkuar me vite, për kulturën e kompromisit dhe konsensusit. Në mungesë të këtyre parimeve, krijohet qorrsokaqe dhe situata shpërthyese”, thuhet në kumtesë.

Policia jo-efikase

Nga dhuna në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Ndër deputetët më së shumti që kanë qenë të lënduar ka qenë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev i LSDM-së, Oliver Spasovski dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.

Ziadin Sela i sulmuar

Ziadin Sela i sulmuar

Jo-efikasiteti i policisë së Maqedonisë mbrëmë u tregua, kur lëshoi që turma e protestuesve ta vërshojnë shtëpinë legjislative. Kjo gjendje është shkaktuar pasi punën e ministrit të Brendshëm, Agim Nuhiu, e ka penguar drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BSP), Mitko Çavkov, i cili është kuadër i VMRO-DPMNE-së.

Protesta VMRO-DPMNE

Protesta VMRO-DPMNE

Radmilla Sheqerinska e sulmuar

Radmilla Sheqerinska e sulmuar

Nuhiu paralajmëroi se do të kërkojë përgjegjësi për intervenimin e vonshëm të policisë.

18119394_1547417311948884_3773046875459016961_n

LEXO NË LIDHJE ME LAJMIN:

3 thoughts on “Gjithçka që ndodhi gjatë sulmit në Kuvend (FOTO+VIDEO)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP