Gjuha e urrejtjes vdekjeprurëse në Maqedoni, çka duhet të bëjnë institucionet?

Fyerje, sharje, ofendime, thirrje për hakmarrje, thirrje nacionaliste, shoviniste e fashizoide – të gjitha nën petkun e “patriotizmit”, këto kemi pasur mundësi që t’i shohim këtë javë në rrjetet sociale e gjithandej, pas rrahjes deri në vdekje të të riut, i cili ka qenë pjesëtar i tifo-grupit “Komitët”, Nikolla Sazdovski, nga tre të dyshuar për rrahjen e tij, të cilët janë me nacionalitet shqiptar, shkruan Portalb.mk.

Vrasja e të riut Sazdovski, ashtu siç u shkrua në media, është kryer si pasojë e gjuhës së urrejtjes, gjegjësisht tre të akuzuarit për vrasje dhe ai, me javë të tëra, paraprakisht janë përleshur verbalisht në internet në linjë etnike. Madje ashtu siç mund të shihet, profili në “Facebook” i të ndjerit Sazdovski ka qenë i mbushur me gjuhë të urrejtjes, ashtu sikur shumë profile tjera, jo vetëm të anëtarëve të tifo-grupeve, por edhe të personave të fushës së mediave, politikës, jetës publike etj.

ÇKA DUHET BËJMË QË TA PARANDALOJMË GJUHËN E URREJTJES?

Nga katër anët, partitë, OJQ-të, institucionet, funksionarët e personat me ndikim, kanë bërë thirrje për dënim të fajtorëve që e kanë rrahur deri në vdekje Sazdovskin, ndërkaq deri te popullata kanë bërë thirrje për qetësi. Dënimi i aktit ndaj rasteve të tilla është i natyrshëm, por veprimi i institucioneve përkatëse që të njëjtat të parandalohen duhet të jetë permanent, ekspertët apelojnë për masa konkrete.

Ali Pajaziti
Ali Pajaziti

Sociologu Ali Pajaziti, vlerëson se politikanët, mediat dhe OJQ-të më shumë duhet që të punojnë, me qëllim që të bëhet shtensionim i ngërçeve nacionaliste dhe fashizoide, ndërkaq politika të mos jetë ajo që e mban “shkrepësen për nxitje të urrejtjes”.

“Shikuar socioligjikisht gjuha e urrejtjes është dukuri që pos spektrit social dhe politik ka përfshirë edhe sportin, që në esencë është i karakterit miqësor, zëvendësim i luftës, zbutje e instinktit për agresivitet, kalim i tij nga fronti në arenat kompetitive. Organet dhe të gjitha përmasat shoqërore duhet te ndërmarrin masa per shtensionim nga ngërçet nacionaliste dhe fashizoide qe e kanë pllakuar edhe sportin ndër ne. Këtë duhet ta bëjnë politikanët, mediat, OJQ-të. Duhet ndëshkuar me ndalim hyrjeje në stadiume të huliganëve. Të cilët nuk i kalojnë pesë gishtërinjtë e dorës. Duhet organizuar takime, shkolla verore me tifozë të grupeve të ndryshme. Transparente të mëdha me mesazhin “Sporti është miqësi”. MPB duhet t’i selektojë dhe ndëshkojë shovenët e rrjeteve sociale. Mund të incizohen klipe të shkurtra me dy e më tepër përfaqësues të tifozërive. Por e tëra mbetet në ajër nëse tajkunet e politikës mbajnë në dorë shkrepëset e urrejtjenxitjes… Patologjikët kërkojnë kurim, e nuk është stadiumi vend ku do të zbrazet energjia negative, ku do të shërohen komplekset… Sanatoriumet janë vendet për të tillët, përfshirë edhe kryeamigot që janë në gjendje “të vdesin” për kauzën e tyre provizore. Satisfied!”, thotë për Portalb.mk profesori universitar Pajaziti.

Nga ana tjetër, profesoresha universitare dhe aktivistja qytetare, Mirjana Najçevska, vlerëson se sot e shohim gjuhën e urrejtjes në këtë nivel, pasi që e njëjta asnjëherë nuk është dënuar, ndërkaq ajo rekomandon që të punohet më shumë në jetën e përditshme, në arsim apo në fjalimet e funksionarëve që më pas ngadalë të njëjtat të prekin te tifo-grupet.

Mirjana Najcevska
Mirjana Najçevska

“Në të gjithë këtë periudhë të kaluar, çdo pushtet sikur kanë ngelur memecë në lidhje me shpërndarjen e gjuhës së urrejtjes, megjithatë gjuhën e urrejtjes fillimisht e kanë shpërndarë politikanët, vazhduan në masa enorme e kanë shpërndarë disa gazetarë të caktuar në disa portale të caktuara, ndërkaq më pas qytetarët kuptuan ose pranuan se ajo është mënyra e komunikimit. Askush, në asnjë moment nuk u dënua për shpërndarje të gjuhës së urrejtës, të themi as Milenko, as Mirka, as Llatas, askush nga ata nuk ka pësuar asnjë pasojë për atë që e kanë promovuar shumë qartë dhe zëshëm. Organizatat qytetare kanë dorëzuar paraqitje në Prokurori për të njëjtët, por nuk ka pasur kurrfarë reagimi. Automatikisht, ajo i ka stimuluar të rinjtë dhe në kushte të mosdurimit politik dhe më pas edhe etnik, disi pranuan se gjuha e urrejtjes është mjet legjitim për kuptim. Por, kur bëhet fjalë për të rinjtë është shumë lehtë që me gjuhë të urrejtjes të nxiten emocione dhe më pas shumë rëndë është që të kontrollohet ajo që mund të paraqitet si pasojë e gjuhës së urrejtjes. Tani do të na duhet shumë kohë e gjatë që të punojmë, por kur bëhet fjalë për grupet e tifozëve, në botë ka shumë mënyra të thjeshta se si të luftojnë me gjuhën e urrejtjes. Ajo është t’u ndalohet pjesëmarrja e publikut që përdor gjuhë të urrejtjes. Pra nëse tifozët e një ekipit përdorin gjuhë të urrejtjes, ekipi dënohet duke mos e lejuar që të jenë të pranishëm tifozët e tyre në 1,2,3 apo më shumë ndeshje. Në botë kjo bëhet, ka pasur raste kur janë shpalosur pllakata me ide rrasiste dhe me këtë rast janë dënuar ekipet e tyre dhe automatikisht në këtë mënyrë është shuar gjuha e urrejtjes. Toleranca dhe kuptimi duhet të fillojnë në jetën e përditshme, në arsim apo në fjalimet e funksionarëve që më pas ngadalë të njëjtat të prekin te këto grupe. Pra duhet të veprojmë më gjerë, që të prekim tek ata.”, vlerëson për Portalb.mk, Najeçevska.

ASKUSH NUK DËNOHET PËR GJUHË TË URREJTJES

Portalb.mk, ka dërguar kërkesë deri te Ministria e Punëve të Brendshme për të na dhënë statistikat se sa paraqitje kanë dorëzuar për gjuhë të urrejtjes, por deri më tani ende nuk ka kanë dhënë përgjigje.

Edhe pse gjuha e urrejtjes është vepër penale që dënohet me burg prej 1 deri më 5 vjet, praktika në Maqedoni tregon se askush deri më tani nuk është dënuar për një gjë të tillë. Mungesa e veprimit preventiv të autoriteteve ka krijuar hapësirë që lehtë të rinjtë të manipulohen dhe të nxiten, nga personat të cilët veprojnë për poentime politike, nëpërmjet organizatave të ndryshme, por edhe tifo-grupeve.

Shpesh herë mediat dhe OJQ-të kanë publikuar tekste dhe thirrje ku kanë kërkuar nga organet kompetente që t’i dënojnë personat që përdorin gjuhë të urrejtjes – duke ofruar dëshmi, por deri më tani asgjë s’është ndërmarrë.

Rasti i fundit ku u përdor gjuhë e urrejtjes ishte në protestat për “Marrëveshjen për Emrin”, në të cilat u fyen dhe u shanë shqiptarët. Edhe paraprakisht, për çështjet e ndryshme politike, në protesta dhe tubime të ndryshme, të cilat kryesisht janë organizuar nga përkrahësit e VMRO-DPMNE-së dhe organizatat e afërta me to, janë bërë thirrje nacionaliste dhe ofenduese, por deri më tani ende askush nuk është dënuar për të njëjtat.

Maqedoni, edhe pse është vepër penale, ende nuk ka dënim për thirrjet ofenduese ndaj shqiptarëve

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button