Ditë historike, Maqedonia nënshkroi marrëveshjen për emrin me Greqinë (VIDEO)

10.35- Sapo u nënshkrua marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë. Me të, Maqedonia merr emrin “Maqedonia e Veriut”.
Pas thuajse tre dekadave, saktësisht 27 vjetëve, dy shtetet fqinje arritën marrëveshje historike për emrin e Maqedonisë. Marrëveshja u nënshkrua nga shefat e diplomacisë greke, Nikos Kocias dhe ai i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov. Ndërsa pas tyre qëndronin dy kryeministrat, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.

Ligji për ratifikimin e marrëveshjes, të hënën pritet të kalojë në Qeveri, ndërsa i njëjti do të dërgohet në Kuvend për miratim. Për miratimin nevojitet shumicë e thjeshtë, gjegjësisht shumica e të pranishmëve në sallë. Nga kuorumi minimum i 61 deputetëve, 31 nevojitet që të votojnë ‘pro’. Më pas shkon në presidencë.

Zaev dhe Cipras

Fjalim mbajti dhe ndërmjetësi Methju Nimic. 

“Sot e kam ditëlindjen dhe ju thash të shtëpise se nuk dua dhurata sepse mu dha dhurata më e madhe nga dy kryeministrat, më në fund zgjidhet përfundimisht mosmarrëveshja në mes Maqedonisë dhe Greqisë. Puna ime më në fund u krye” tha ai.

10.30- Fjalim mban kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

“Tre dekada ishte e hapur çështja e emrit, tre dekada ankth dhe brenga për ne, tre dekada me frikë nga e panjohura. Prandaj ne gjetëm zgjidhje. Sot ne jemi këtu për të festuar marrëveshjen. Mësuam se duhet të marrim mësim nga historia dhe jo ta përsërisim atë. Kur ka paqe në vende, ashtu do të jetë edhe bota. Ndërtojmë ardhmëri nga themelet e së kaluarës.
Marrëveshja na sjell jetë më të mirë. Procesi dhe zgjidhja na solli një mik. Miqësi e cila deri para disa kohëve na thonin se është e pamundur. Së bashku me Greqinë trasojmë rrugën për të mirën e banorëve tanë. Krijojmë një realitet të ri në Evropë, së bashku e ndërtojmë këtë realitet në bazë të principeve: paqja, prosperiteti dhe mirëqenia.
Do ti hapim kufijtë për fqinun tonë për të bashkëpunuar. Së bashku të ruajmë stabilitetin dhe sigurinë. Së bashku të ndërtojmë prosperitet duke bashkëpunuar ekonomikisht, që të rritemi ekonomikisht së bashku, të kemi përfitime më të mëdha për banorët.
Banorët tanë i meritojnë paqen, sundimin e së drejtës, demokracinë, dhe gjitha vlerat evropiane të së cilës ata i takojnë.
Për ata që janë kundërt marrëveshjes kam një porosi: grekët, maqedonasit dhe evropianët janë më të fuqishëm se frika që mbjellin. Janë kundër ksenofobisë dhe propagandës.
Të gjithë ta dinë: kundërshtarët e marrëveshjes kanë të drejtë për qëndrim, me argumente, kjo është mënyrë evropiane e ballafaqimit me mendime të kundërta, por unë them që marrëveshjes ti japim një mundësi.
Kur të gjithë na thonin se nuk ka rrugëdalje, ne gjetëm zgjidhje. E di që nuk ishte lehtë edhe për miqtë tonë grek, por ju falënderoj që jeni në anën e mirë të historisë.” tha Zaev.

10.15 – Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimic, përfaqësuesja e Lartë e  Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini, eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han dhe Rozmari Di Karlo, zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh, janë dëshmitarë të nënshkrimit të marrëveshjes për çështjen e emrit.

Kryeministri grek Aleksis Cipras mban fjalim. “Marrëveshje patriotike” tha ai mes tjerash.

“Një këngë të tillë të re fillojmë të shkruajmë këtu në Prespë. Qëllimi ynë është që kjo këngë e gëzimit të këndohet shumë shekuj dhe nga shumë gjenerata të ardhshme, në gjuhën tonë dhe në gjuhën e juaj, në vendin tonë dhe në vendin e juaj, nga populli ynë dhe nga populli i juaj. Këngë e cila do ta festojë paqen”. tha kryeministri grek.

Takimin në Prespë e karakterizoi si takim me historinë për shkak të rëndësisë historike të rajonit.

“Sot gjendemi këtu duke e shikuar në sy historinë e popujve tanë, gjendemi këtu që të dy të kryejmë detyrën tonë patriotike”, tha kryeministri grek.

Duke folur për marrëveshjen, Cipras tha se është patriotike dhe u bëri thirrje qytetarëve të të dy vendeve ta pranojnë pa paragjykime.

“Me mund arritëm deri te marrëveshja e pranueshme për të dy palët, e cila tërësisht i respekton parimet themelore dhe vlerat e dy palëve, marrëveshje e cila sot na lejon t’u drejtohemi qytetarëve të të dy vendeve, t’i shikojmë në sy dhe t’u bëjmë thirrje ta lexojnë dhe përkrahin pa paragjykime. Nëse shpirti i çdo popullit është historia e tij, atëherë në marrëveshjen tonë janë pasqyruar shpirtrat e dy popujve” theksoi kryeministri grek.

Cipras e përmendi edhe takimin e parë me Zaevin para gjashtë muajve në Davos, ku ishte shumë ftohtë, si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve gjatë 25 viteve të kaluara.

Kryeministri grek iu falënderua të pranishmive, por edhe ndërmjetësuesit dhe përmendi se Methju Nimic sot e ka ditëlindjen, duke shtuar se nuk ka mundur të zgjedhet ditë më të mirë për nënshkrim të marrëveshjes se sot.

10.00- Delegacioni arrin në vend. Cipras pret Zaevin.

Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimic, përfaqësuesja e Lartë e  Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini, eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han dhe Rozmari Di Karlo, zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh, sot do të jenë dëshmitarë të nënshkrimit për çështjen e emrit e cila do të bëhet në ora 10:30 në Prespë, mes shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, njofton Portalb.mk.

Gjithçka është gati, lajmëron gazetari i Portalb.mk nga Prespa. Ka shumë polici dhe sigurim.

Kryeministri Zaev bën selfie duke shkuar të nënshkruajë marrëveshjen për emrin me Greqinë

Në delegacionin zyrtar të Maqedonisë, përveç kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, do të jenë zëvendëskryeministrat Bujar Osmani, Radmilla Shekerinska dhe Oliver Spasovski.

Ligji për ratifikimin është planifikuar që të kalojë në seancën qeveritare të hënën në ora 09:00, pas së cilës do të dërgohet në Kuvend.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP