Vazhdon përzierja kundër-kushtetuese e priftërinjve në protestat e VMRO-së kundër gjuhës shqipe (FOTO)

“Tubimet që mbahen në mbarë Maqedoninë janë kyçe për mbijetesën e vendit dhe për ruajtjen e kombit, gjuhës, emrit, flamurit, himnit dhe stemës. Platforma Shqiptare thellë e shkelë karakterin unitar të Maqedonisë”, ky është qëndrimi i peshkopit Petar, në lidhje me gjuhën shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, njofton Portalb.mk.

Peshkop Petar
Qëndrimet e këtilla të peshkopit Petar, janë të njëjta me të peshkopit Agatangell, i cili të dielën mbrëma me petkun priftëror ku mori pjesë në protestën e përkrahësve të VMRO-DPMNE-së, në Veles, ku sulmoi ambasadorët dhe porositi që të ruhet unitariteti i shtetit dhe “të mos humbet kisha e shenjtë ortodokse”, qëndrime të cilat janë identike me ata të kreut të partisë së Nikolla Gruevskit.

Në protesta e organizuara nga e ashtuquajtura iniciativë “Për Maqedoni të Përbashkët” e cila organizohet nga njerëz të eksponuar të VMRO-DPMNE-së, peshkopi Petar ka  marrë pjesë në protesta bashkë me klerin nga dioqeza, i cili madje dhe ka mbajtur fjalim përpara masës.

“Këtë protestë e shohim si protestë mbarëpopullore, mbarëmaqedonase, ku nuk janë të pranishëm vetëm persona të caktuar, organizatorë, por i mbarë populli është organizator, dhe ne jemi pjesë e atij populli, unë si peshkop, klerët e mi. Kjo është e qartë si kristale, ne i japim përkrahje kësaj proteste, protestë për mbijetesën e atdheut, për interesin nacional të Maqedonisë dhe  qytetarëve. Veçanërisht vlerësojmë se duhet t’i jepet mbështetje presidentit i cili qëndroi fortë si institucion që t’i mbrojë interesat e shtetit tonë”, tha peshkopi Petar, transmeton Portalb.mk.

17160347_10210923799362543_1659017186_n

Kisha Ortodokse e Maqedonisë përkrahë zyrtarisht protestat e VMRO-DPMNE-së

Kreu i Kishës Ortodokse e Maqedonisë nëpërmjet një kumtese, përpara dy javëve dërgoi porosi që të ruhet pozita kushtetuese e gjuhës maqedonase në territorin e Maqedonisë në pajtueshmëri me Kushtetutën, si dhe karakteri unitar i shtetit.

“Të tashmen dhe të ardhmen e Maqedonisë e shohim nëpërmjet ruajtjes së karakterit unitar të Maqedonisë, kurse për këtë është e nevojshme qetësi dhe bashkim nacional. Populli ynë besnik duhet të udhëhiqet edhe nga vlerat evangjelike krishtere. Interesat strategjike të shtetit të Maqedonisë mund të ruhen vetëm nëpërmjet përgjegjësisë personale të secilit prej nesh, që nënkupton jetesë në bazë të urdhrave hyjnore, kujdes i institucioneve shtetërore dhe të drejtat shtetërore të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”, thuhej në kumtesën e kreut të KOM-it. Sipas kreut të KOM-it, Maqedonisë i duhet regjistrim i popullatës i cili duhet të zbatohet jo për t’i marrë të drejta ndokujt, por për të realizuar përfitime për të gjithë qytetarët.

Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM)

Çfarë thotë Kushtetuta për përzierjen e klerikëve fetarë në punët e shtetit?

Sipas Kushtetutës, Maqedonia është shtet sekular. Kjo nënkupton që shteti nuk ka të drejtë të përzihet në punët e religjioneve, por as religjionet nuk kanë të drejtë të përzihen në punët e shtetit.

Neni 19 i Kushtetutës thotë se Kisha Ortodokse Maqedonase, por edhe Bashkësia Fetare Islame, Kisha Katolike, Kisha Evangjelike, Komuniteti Hebre dhe bashkësitë tjera fetare dhe grupe religjioze janë të ndara prej shtetit, ndërkaq të njëjtat janë të barabarta përpara ligjit.

Peshkop Petar Peshkopi Petar “mbi” Kushtetutën

Peshkopi Petar në një bisedë me “Telegrafin” maqedonas, sqaron se pse Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) ka reaguar ndaj siç thotë ai “fshirjen e kombit dhe gjuhës maqedonase nëpërmjet Platformës Shqiptare, duke u ndihmuar nga kryeministra të huaj dhe personat me të njëjtin mëndi”.

“Platforma Shqiptare thellë e shkelë karakterin unitar të Maqedonisë. Shumica e të drejtave shqiptare janë zgjidhur me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe deri më tani asnjë pakicë nuk i ka vendosur këto çështje. Platforma plotësisht është e papranueshme dhe kundërkushtetuese. Me vetë atë që e shkelë shtetformimin e popullit maqedonas, ashtu siç u deklarua Ziadin Sela, qëllimi përfundimtar do të ishte fshirje e kufijve me Shqipërinë dhe krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, thotë peshkopi Petar.

Ai thotë se reagimi i KOM-it është e arsyeshme dhe se pas saj qëndron i tërë Sinodi.

Për çfarë mbahet mend peshkopi Petar?

Policia australiane më 22 gusht të vitit të kaluar, konfirmoi se në mes të muajit gusht në Melburn të Australisë e ka arrestuar dhe e ka marrë në pyetje metropolitanin kompetent të Dioqezës Australisë – Zelandës së Re, peshkopin, Petar, në kuadër të hetimit për vjedhje dhe dëshmi të rrejshme.

“Policia në Viktoria ka arrestuar dhe e ka marrë në pyetje 70 vjeçarin nga Karolajn Springs, në kuadër të hetimit për vjedhje dhe për dëshmi të rrejshme. Ai është në liri dhe pret vazhdim të hetimit”, deklarojnë nga policia në Viktoria, duke u përgjigjur në pyetjen, se a ka qenë i arrestuar peshkopi Petar dhe në çfarë baze.

Peshkopi Petar paraprakisht, ka demantuar se policia në Melburn, e ka arrestuar, duke thënë se ka qenë në dëgjim pasi paraprakisht ka marrë ftesë. Ai theksoi se lajmi për arrestimin e tij është gënjeshtër, pas së cilës qëndron peshkopi i Naumit kryemurgu Gavrill, kundër së cilit po bëhet, procedurë kanonizimi – kishtar gjyqësor, për shkarkim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button