Skandaloze: Stemë e re e Maqedonisë apo logo e VMRO-së?!

Stema e re e Maqedonisë e cila është propozuar nga Qeveria e Maqedonisë nuk përmban aspak elemente unifikuese për qytetarët e këtij shtet. Stema e re e propozuar shtetërore përmban një luan të egërsuar me ngjyrë të kuqe në mburojë të artë me kurorë murale në formë kështjelle në pjesën e sipërme.  Kjo stemë nuk përputhet me historinë multietnike të këtij shteti dhe me këtë Qeveria e bën të kundërtën, përçan ende më shumë popullatë. Kështu shprehet historiani Vebi Xhemaili për Portalb i cili thotë se nuk e ka të qartë se si mund faktori shqiptar në pushtet ta pranojë këtë stemë?!

“Nga kjo që shoh në këtë stemë nuk shoh asnjë simb9ol të përbashkët të bashkëjetesës. Ky është simbol i pastër maqedonas ndërsa shqiptarët nuk përfshihen aspak me simbol të tyre. Ky propozim i miratuar duhet sa më parë të ndryshohet që të pasqyrojë vërtetë popullin që jeton në këto troje. Është i njëanshëm dhe është i papranueshëm për palën shqiptare andaj duhet sa më shpejtë të reagojë faktori politik shqiptar jo për ti fyer maqedonasit por thjeshtë për të pasur një stemë e cila vërtetë i ngjan realitetit në Maqedoni” thotë për Portalb, Xhemaili.

Ai madje thotë se në stemë duhet te futet elementi shqiptar, ai i përkrenares së Skendërbeut që stema si element që i përfaqëson banorët e një vendi, të përfaqësojë edhe shqiptarët.

Ministri Adnan Jashari: Stema ka elemente shqiptare
Ministri i drejtësisë Adnan Jashari në një prononcim për Portalb thotë se Maqedonia është ndër shtetet e fundit ish socialiste qe në stemën e vet ka elemente te proveniencës ideologjike të ish- sistemit dhe ishte koha e fundit që të çlirohemi nga kjo barrë e të kaluarës së hidhur për të gjithë popujt  e veçanërisht për shqiptarët.

“Pamja e stemës së re në vete ndërthur të kaluarën e përbashkët të të gjitha popujve dhe kulturave në vendin tonë si dhe idenë e orientimit demokratik evropian.Duke u kujdesur për atë që bashkon dhe duke patur parasysh elementet e heraldikës së stemave edhe evropiane, propozimi i qeverisë së Maqedonisë për Stemën e re paraqet luanin  e kuq ne një sfond të verdh, simbole këto qe i hasim që nga antika e deri te familjet e mëdha feudale shqiptare. Kurora e kalasë me pesë elementet përcjellëse simbolizon bashkëjetesën e kulturave dhe qytetërimeve iliro-dardane, prandaj me bindjen më të mirë se jemi duke bërë propozim të qëlluar dhe të qëndrueshëm shpresoj se edhe debati publik që do organizohet me këtë rast do e arsyetojë nevojën e sjelljes së këtij ligjit aq të rëndësishëm për rrumbullakësimin e shtetformësisë së RM-së. Me qëllimin më të mirë dhe përcaktimin e paluhatur për të patur një proces krejtë transparent dhe kontribues në emër të ministrisë së drejtësisë si propozues formal mirëpresim çdo mendim, ide e sugjerim që do të dalë nga diskutimi i gjerë dhe gjithëpërfshirës.”  shprehet Jashari.

PDSH pa qëndrim
Që të ndryshojë stema duhet ndryshimi i Kushtetutës gjegjësisht me shumicë prej dy të tretash apo sipas Badenterit. Nga kjo, Portalb kontaktoi me deputetët e partisë opozitare shqiptare PDSH të cilët edhe këtë herë nuk kishin qëndrim. Orhan Ibrahimi tha që në ditët në vijim partia e tij mund të ketë qëndrim në lidhje me këtë temë por kjo mund të ndodhë të martën ose më pas. 

Lëvizja BESA: Stema, manipulim i skajshëm me shqiptarët
Lëvizja BESA nuk mund të mos reagojë publikisht ndaj këtij manipulimi të radhës që i bëhet opinionit në Maqedoni, në përgjithësi, dhe shqiptarëve të Maqedonisë, në veçanti, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.

“Në bazë të interpretimeve shkencore heraldike dhe historike, rezulton se simboli i këtillë i propozuar i luanit, që është i njëjti me atë të VMRO-DPMNE-së, nuk ka qenë kurrë dhe nuk është simbol shqiptar, atë nuk e ka pranuar as Mbretëria Shqiptare, as pushteti komunist shqiptar, e as ai i sotëm. Prandaj manipulimi politik se kështu maqedonasit qenkan mashtruar, më shumë u ngjason shembujve të Kole Diamantit, selfijes para Nexhat Agollit dhe “shqiptarisë” së Branisllav Sinadinovskit, që në fund dëshmojnë se të mashtruarit jemi pikërisht ne.
Lëvizja BESA e gjykon si manipulim të rëndë me simbolet e shtetit vendosjen e një simboli partiak si simbol shtetëror dhe e konsideron këtë si veprim antishtetëror dhe, aq më shumë, antishqiptar, sepse ky simbol është kundër realitetit shoqëror shumetnik në Maqedoni, e veçmas kundër kombit të dytë shumicë në Republikën e Maqedonisë.
Prandaj, që të mos thellohet edhe më shumë ndarja e komuniteteve në Maqedoni, BESA kërkon që Qeveria e Republikës së Maqedonisë ta rimendojë këtë propozim, ndërsa subjekti shqiptar në këtë Qeveri të mos kërkojë shpjegime, gjoja shqiptare, për ta arsyetuar dështimin e tyre në këtë qeverisje dhe të dëshmojnë se nuk janë aty vetëm numra pa asnjë rëndësi përmbajtjesore.” thuhet mes tjerash në këtë reagim.

 Arsyet e Qeverisë
Arsyet të cilat janë elaboruar në propozim, janë kthimi drejtë simboleve historike. Maqedonia dhe Bjellorusia janë vendet e vetme në Evropë të cilat akoma përdorin emblema të inspiruar nga heraldika sovjetike.
“Disejni i ri i luanit të kuq bazohet në stemat historike, ilustrimeve të Verlandit nga viti 1481 dhe stema e Baroadit nga 1581 e cila përmes stemografive të Vitezoviqit në vitin 1964 dhe Zherafoviqit në vitin 1741 u bë stemë e Maqedonisë. Kurora e verdhë­ e artë e cila është zbukuruar me margaritarë dhe rubinë duhet ta simbolizojë rendin republikan të shtetit.” thuhet në qëndrimin e Qeverisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button