Zv/kryeministri Bislimi e quajti maskim pas dështimit në Banjskë vendimin e Serbisë për njohjen e tabelave “RKS”

Zv/kryeministri i Kosovës, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në procesin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Besnik Bislimi, ka deklaruar se vendimi i Serbisë për njohjen e automjeteve me tabela “RKS” është maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë, transmeton Anadolu.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bislimi theksoi se çështja e tabelave mbi 10 vite ka qenë marrëveshje e pa zbatuar dhe për dy vite marrëveshje e përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim.

Sipas tij, me vendimin për njohjen e tabelave “RKS” nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së tabelave dhe mosnjohjes së tyre nga pala serbe.

Bislimi tha se më 30 shtator u arrit marrëveshja për fillimin e punës, në kuadër të së cilës u krijuan grupet teknike dhe u zhvilluan gjithsej tetë takime në nivel teknik nga tetori 2021 deri në muajin prill 2022.

“Që nga fillimi, pozicioni i delegacionit tonë në Bruksel ishte i qartë… na duhet një zgjidhje e përhershme në linjë me standardet e Bashkimit Evropian dhe propozimi i vetëm i Kosovës, si dhe zgjidhja ideale në këtë drejtim ka qenë që Kosova dhe Serbia t’ia njohin tabelat njëra tjetrës në modelin aktual, të cilat janë në përputhje me standardet e BE-së e pa asnjë ndryshim”, theksoi Bislimi.

Zv/kryeministri kosovar tha se për fat të keq është dashur që të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, rezistencë dhe insistim në nivel teknik që stikersat të jenë zgjidhje permanente, si dhe tërheqje nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar “për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar te Kosovës”.

“Ky është tregues se të gjitha destabilizimet që i ka bërë Serbia, kanë qenë të palogjikshme e të panevojshme, sepse prapë kemi arritur në situatën e njëjtë ku tabelat janë konvertuar në ato ekzistuese legale dhe tashmë nga 1 janari, Serbia i njeh ato”, theksoi Bislimi.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një deklaratë për mediat vendase ka bërë të ditur se qeveria e Serbisë ka marrë vendim që të lejojë qarkullimin e lirë të automjeteve me tabelave të Republikës së Kosovës (RKS) në vend.

Petkoviq ka thënë se kanë marrë parasysh faktin që shumica e serbëve në Kosovë kanë filluar të përdorin automjete me tabela RKS dhe ka theksuar se vendimi në fjalë do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2024 dhe do të jetë i vlefshëm për të gjithë kufijtë dhe vendkalimet administrative

Gjatë ditës edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e ka konsideruar hap pozitiv drejt zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, vendimin e Serbisë për t’i njohur tabelat e automjeteve “RKS”, të lëshuara nga Kosova.