Zullumi dhe “rrënimi kreativ” (II)

Nëse pushtetin e sheh si mjet përfitimi përmes rrugëve jolegale si ryshfeti, vjedhja, hileja, dallaveret, mashtrimi, dije se që në fillim ke zgjedhur udhën e gabuar, qorrsokakun që s’të shpie askund. Ke zgjedhur rrugën e zullumit ndaj të tjerëve, taksapaguesve dhe vetëvetes; po, edhe ndaj vetëvetes, se kurrë hajrin s’ke për t’ia parë parasë së huaj, të mirës kolektive, ku ka hise çdo frymë që graviton në atë njësi politike të quajtur republikë a shtet.  Në këtë kurs të jetesës, pikje ka, ikje s’ka. Pra rrëximi është destinacion i zullumit. Poshtërimi është fat, është caktim hyjnor. Kleptokracia e ka fundin si autokracia, diktatura, despotia.

Zullum nuk është vetëm dhuna fizike, krimi fizik, zullum është edhe hajdutëria, krimi material, monetar. Për fat të keq, politikbërësi ynë vetëm të parës i druhet, ndërsa të dytës fare. Zullum janë edhe manipulimet me vota, vjedhja në kuti. Një ish politikan para do kohe pranoi fajin se kishte vjedhur votat e kundërkadidatit dhe paratë e asfalltit: sot është si më keq. “Pa marrë parasysh sa zengjin je, do hash aq sa të nxë barku. Nëse e batis shtambën në det, ajo merr ujë aq sa mbushet, pjesa tjetër e ujit mbetet!” – thotë Rumiu.

Dhe subjekte politike shqiptare gjigante për kontekstin tonë janë bërë histori (PPD), njëra ka mbetur parti njeri (PDSh), dhe e treta, më jetëgjata në historinë e shkurtër 35-vjeçare demokratike të Maqedonisë së Veriut, BDI-ja ka marrë tatëpjetën si pasojë e shtimit të zullumit. Duke dëgjuar një emision ndërkombëtar një profesor përmendi termin interesant, “creative destruction” (shkatërrim kreativ) që e ndërlidhi me ish-sekretaren shtetërore Condoleezza Rice dhe tha: dua që të arrijmë fundin, të zhbëhemi, të nisim nga e para, në mënyrë që të bëhet më mirë. Me këtë sintagmë lidhen edhe ekonomistë si Schumpeter, Marks, Sombart, gjeografi Harvey etj. Fituesit e çmimit Nobel për vitin që po e përcjellim, Daron Acemoğlu dhe James A. Robinson, në librin “Pse dështojnë kombet”, një tekst popullor mbi zhvillimin afatgjatë ekonomik, argumentojnë se arsyeja kryesore pse vendet stagnojnë dhe shkojnë në rënie është prirja e elitave sunduese për të bllokuar “shkatërrimin krijues”, një proces të dobishëm që promovon risinë, inovacionin.

Pra, nganjëherë është mirë të ndodhë rrënimi, që të çelen sytë, të kthjellohet subjekti. Politikanët dhe partitë, edhe këto që janë në pushtet, nuk duhet të harrojnë faktin se Partia e Punës ishte e “gjithfuqishme”, Partia Komuniste e Jugosllavisë, “Baath”-i Asadit gjithashtu, s’kishin konkurrentë, kurse sot kanë falimentuar. Besoni në vetvete, por mos vetëhyjnizohi! S’mund të jetë lider i mirëfilltë ai njeriu i dytë i të cilit akuzohet për krim, vjedhje, dhe i cili nuk thotë asnjë fjalë lidhur me këtë dukuri imazhkeqe. Kur ka shpërdorime dhe zullum evident brenda një subjekti s’i ndihmon dot as ndryshimi i agjendës (jeshile, green), as fshehja pas europeanizmit (FE), as karizma individuale. Të shpresojmë që kjo tatëpjetë të kuptohet si “shkatërrim kreativ”, për të rimarrë veten në favor të të mirës shqiptare, kauzës kolektive-publike. Sado që duket si oksimoron, kjo sintagmë ka kuptim të thellë. Ajo krijon hapësirë për rritje të re (new growth) dhe zgjidhje shumë më efektive.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.