Zjarri në Trubarevë, BDI: Mexhiti i papërgjegjshëm gjatë kësaj katastrofe, për të më me rëndësi janë aktivitetet partiake
BDI ka akuzuar Izet Mexhitin, për, siç thotë, mospërgjegjësi ndaj zjarrit në Trubarevë që shkaktoi ndotje të rëndë në Shkup. Partia e quan katastrofë ekologjike situatën dhe kritikon ministrin e Mjedisit Jetësor për mungesë reagimi publik, masa mbrojtëse dhe informimi për qytetarët. Sipas BDI-së, ministria që ai drejton ka kompetencë për kontrollin e objekteve të tilla, ndërsa Mexhiti akuzohet se shmang përgjegjësinë dhe fokusohet në aktivitete partiake, transmeton Portalb.mk.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për katastrofën ekologjike që goditi kryeqytetin pas shpërthimit të flakëve në Trubarevë, ndërkohë që ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, u tregua i padukshëm dhe i papërgjegjshëm përballë krizës. Në momentet kur Shkupi u mbulua nga re toksike, me erë plastike, goma e bateri të djegura, qytetarët prisnin informata, rekomandime dhe apel për mbrojtje. Por Mexhiti nuk doli para opinionit, nuk mori masa, nuk ofroi zgjidhje. Për të, më e rëndësishme ishte të shfaqej në aktivitete partiake, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Është paradoksale që Ministria që ai udhëheq është ajo që jep leje dhe ka obligim të kontrollojë objekte të këtilla. Por Mexhiti, në vend që të marrë përgjegjësi, fshihet pas justifikimeve të kota dhe tenton të shpikë fajtorë kujdestarë në BDI”, thonë nga BDI.
Nga kjo parti shtojnë se në vend që të shpikin armiq të brendshëm dhe të jashtëm, kjo Qeveri dhe Mexhiti duhet të përballen me përgjegjësinë e tyre, të zbardhin rastet e zjarrvënieve dhe të lokalizojnë përgjegjësinë aty ku realisht qëndron
“Shpifjet dhe akuzat pa bazë nuk i shpëtojnë nga dështimi. Kjo nuk është hera e parë. Për dy dekada në Çair ai la pas kaos urban, ndotje dhe neglizhencë, duke u kujtuar për qytetarët vetëm në prag të zgjedhjeve. Sot, i njëjti model i papërgjegjësisë po përsëritet në nivel shtetëror. E pyesim publikisht: kush i ka ndezur zjarret në Manastir, Kavadarci, Shtip dhe në qytete të tjera të vendit? Vallë edhe aty fajin e ka BDI-ja? Apo ky është thjesht stili i Mexhitit – të ikë nga përgjegjësia dhe të mendojë vetëm për interesin e tij personal? Qytetarët tashmë e kanë kuptuar. Më 19 tetor, Çairi dhe gjithë vendi do t’i japin fund politikës së papërgjegjësisë, neglizhencës dhe egoizmit, sepse ka ardhur koha për lidership që mbron shëndetin dhe dinjitetin e njerëzve”, thuhet në reagim.
Zjarri në Trubarevë shpërtheu më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacioni” e cila merret me mbeturina elektronike, ishin përfshirë edhe dy objekte në të cilët ka pasur sasi të madhe të mbeturinave plastike. Nuk ka të lënduar në zjarr, deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) Stojançe Angellov. Ai shtoi se nga perceptimi në terren, bëhet fjalë për vënie të qëllimshme të zjarrit.
Kohëve të fundit, janë raportuar zjarre edhe në shumë deponi, si në Drislla, ajo pranë fshatit Kuklish në komunën e Strumicës, deponia Dellçevë, deponia e qytetit në Komunën e Krushevës, si dhe deponia Vardarishtë në Komunën Gazi Babë. E gjithë kjo kulmoi me zjarrin në Trubarevë.
Mjekët në vend paralajmërojnë se pasojat në shëndetin e njeriut nga toksinat që shkaktohen nga djegia ose tymi i deponive janë të mëdha. Kjo situatë mund të shkaktojë sëmundje të mushkërive dhe zemrës, si dhe anemi.