Zjarri në Koçan, prokuroria paraqiti dokumente që lidhnin Nacevin me pronësinë e Rubikon

Ekipi prej 15 prokurorësh që përfaqëson procesin e madh gjyqësor për zjarrin katastrofik në diskotekën e paligjshme “Puls”, më 16 mars 2025, me paraqitjen e provave ka arritur te të akuzuarit pjesëtarë të sigurimit nga agjencia “Rubikon”, si dhe te drejtori i saj dhe te pronari Aleksandar Nacev, i cili pretendon se nuk është pronar. Në katastrofën e shkaktuar për shkak të mosplotësimit të detyrimeve, mes të tjerash edhe nga anëtarët e sigurimit, humbën jetën 63 të rinj, mes tyre të mitur dhe fëmijë, ndërsa mbi 230 persona u plagosën rëndë, transmeton Portalb.mk.

Sot u prezantua një provë për praninë e substancave psikotrope në gjakun dhe urinën e të akuzuarit Aleksandar Nacev, e datës 27 qershor 2025, tre muaj pas ngjarjes. Prova është siguruar gjatë procedurës hetimore kundër tij dhe është bashkëngjitur në aktakuzë, tha prokurorja.

Por avokati i Aleksandar Nacevit tha se mostrat e marra tre muaj pas zjarrit janë të parëndësishme për ngjarjen dhe procedurën dhe përbëjnë ndërhyrje në privatësinë e klientit të tij.

“Këtë provë e ka secili nga avokatët e 34 të akuzuarve të tjerë dhe mund të ndodhë një linçim mediatik ndaj Nacevit”, tha avokati i tij.

Më pas vazhdoi paraqitja e provave për lidhjen e “Rubikonit” dhe të punësuarve të saj me zjarrin dhe numrin e madh të viktimave dhe të lënduarve. Provat kishin të bënin me veprimtarinë afariste, rrethanat rreth sigurimit të objektit, planin e sigurimit, si dhe me veprimet e papërmbushura nga agjencia që siguronte diskotekën e improvizuar dhe të mbingarkuar me njerëz, si dhe çështje të tjera.

Fillimisht u paraqit një certifikatë nga Regjistri Qendror, ku i akuzuari Jane Jançevski figuron si themelues dhe drejtues, me katër degë: Shkup, Kërçovë, Strumicë dhe Shën Nikollë. Më tej u prezantua dokumenti që dëshmon se të akuzuarit Llazar Zahariev, Martin Georgiev, Stojanço Dimitriev dhe Jane Jançevski janë të punësuar në “Rubikon”.

Më pas u paraqitën licencat për sigurim fizik. I akuzuari Ivica Grozdanov nuk kishte licencë për sigurim.

Të nesërmen ata ishin marrë në pyetje nga policia dhe nuk kishin prani të alkoolit në gjak. Megjithatë, në urinën e Georgievit dhe Grozdanovit ishte konstatuar prani e drogës.

Më 22 mars u krye kontroll në degën e “Rubikonit” në Shkup. U sekuestrua dokumentacioni i nevojshëm për hetimin dhe më pas për ngritjen e aktakuzës.

Më tej u paraqitën si prova një certifikatë për pjesëmarrje në temën e aplikimit të poligrafit, e lëshuar nga Universiteti Privat Evropian në Shkup, si dhe një certifikatë për përgjegjësi shoqërore, me të cilat, siç tha prokurorja, “Rubikon” paraqitej si agjenci serioze dhe e përgjegjshme sigurimi. Një certifikatë për Jane Jançevskin për poligrafin dhe dy certifikata bosh ishin lëshuar nga Universiteti Evropian, ku ligjëronte i akuzuari Aleksandar Nacev.

Planet e “Rubikonit” për sigurimin e objekteve dorëzoheshin në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në to thuhej se ndalohej rreptësisht lejimi i mysafirëve përmes shitjes së parregullt të biletave, futja e mjeteve piroteknike dhe lazerëve pa leje, armëve, si dhe kërkohej vendosja e barrierave mbrojtëse, caktimi i detyrave konkrete për punonjësit, organizimi i masave parandaluese dhe mbrojtëse të sigurisë, si dhe detyrime dhe ndalesa të tjera – pra gjithçka që nuk ishte zbatuar në diskotekën “Puls”, të cilën e siguronte “Rubikon”.

“Në njërin prej planeve të sigurimit është i shënuar i akuzuari Aleksandar Nacev, me numrin e tij të telefonit. Në planet e tjera si drejtor është nënshkruar Jane Jançevski”, tregoi dhe komentoi njëra nga prokuroret.

Më pas u prezantua një kontratë, të cilën prokurorja e quajti kontratë për mashtrimin e institucioneve, ndërmjet MMMM DOOEL Koçan dhe “Rubikon”, ku shihej se nënshkrimi në emër të “Rubikonit” nuk ishte i drejtorit Jane Jançevski.

Më pas vijuan prova të tjera – licencat e sigurimit të Aleksandar Nacevit, armë të sekuestruara dhe sende të tjera.

U paraqit edhe një njoftim drejtuar Nacevit për ndërprerjen e përdorimit të një automjeti zyrtar, ndërsa avokati i tij komentoi se deri në atë moment nuk kishte prova që klienti i tij kishte lidhje me pronësinë e “Rubikonit” dhe se shpresonte që në vazhdim prokurorët të paraqisnin prova më të forta për këtë.

Paraqitja e provave materiale vazhdon në sallën e gjyqit në Idrizovë, nën drejtimin e gjykatëses Diana Gruevska-Ilievska.

Zjarri në “Puls” shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura e provave me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Ndër ta janë pronari i “Puls”, persona të afërt të tij, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte kabarenë dhe pronari i saj.

Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan se nuk ndihen fajtorë dhe kundërshtuan tezën se ekziston lidhje shkak-pasojë midis veprimeve të tyre dhe shkaktimit të zjarrit fatal.