Zjarri në Koçan, ekspertiza ndërtimore tregoi se siguria e vizitorëve nuk ka qenë aspak prioritet gjatë përshtatjes së “Puls” në diskotekë

Ekspertiza ndërtimore ka treguar se siguria e vizitorëve të diskotekës “Puls” nuk ka qenë fare në fokus gjatë rindërtimit dhe ndryshimit të destinimit të objektit. Kështu deklaroi eksperti gjyqësor dhe profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Goran Markovski, në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin në Koçan, transmeton Portalb.mk.

Markovski tha se nuk janë respektuar as standardet, as rregulloret dhe as procedurat.

“Ekspertiza ndërtimore, për fat të keq, tregoi qartë se në rastin ‘Puls’, sistemi, përkatësisht institucionet dhe individët, kanë dështuar plotësisht. Nuk janë respektuar as standardet, as rregulloret dhe as procedurat. Procedurat që duhet të sigurojnë zbatimin e standardeve dhe rregulloreve nuk janë ndjekur. Thënë thjesht, nuk është respektuar asgjë. Që e gjithë kjo të funksionojë, nevojitet një sistem që garanton zbatimin dhe respektimin e standardeve”, deklaroi profesori Markovski.

Ai theksoi se nuk lejohet dhe nuk mund të përdoren të njëjtat materiale ndërtimore për objekte me destinime të ndryshme, pasi rreziku nga zjarri ndryshon në varësi të funksionit të objektit.

Sipas tij, ekspertiza ka treguar se objekti i “Puls” praktikisht nuk kishte asnjë mbrojtje nga zjarri.

“Zjarri në ‘Puls’ shumë shpejt çoi në shembjen e një pjese të konstruksionit të çatisë, gjë që tregon se nuk është bërë asnjë llogaritje për këtë aspekt. Ndoshta për industrinë e lehtë, për të cilën ishte ndërtuar fillimisht objekti, po, por jo për një diskotekë. Së dyti, objekti duhet të pengojë përhapjen e zjarrit dhe tymit brenda ndërtesës dhe në objektet fqinje. Fatkeqësisht, edhe këtu kemi një konstatim zhgënjyes. Në rast zjarri, ndërtesa duhet t’u mundësojë njerëzve të largohen pa u lënduar ose të krijojë kushte për shpëtimin e tyre. Në fund, objekti duhet të jetë i ndërtuar në mënyrë që të sigurojë mbrojtje dhe qasje të lehtë për ekipet e shpëtimit. Pamë se as kjo nuk ishte përmbushur”, shtoi Markovski.

Sipas profesorit të Fakultetit të Ndërtimtarisë, këto mangësi lidhen që me vetë ndërtimin fillestar të objektit dhe janë trashëguar edhe gjatë rindërtimeve të mëvonshme.

Ai shtoi se objekti i kishte këto dobësi që nga momenti kur nisi të funksiononte si klub nate.

Profesori shpjegoi gjithashtu se objekti përbëhet nga dy pjesë: njëra me leje ndërtimi të vitit 1999, ndërsa pjesa tjetër ishte ndërtim pa leje, i legalizuar në vitin 2011 për nevoja të industrisë së lehtë, e më pas i përshtatur për funksion tjetër.

Më tej ai paraqiti kronologjinë e ndërhyrjeve ndërtimore dhe rindërtimeve të kryera në objekt, duke theksuar se asnjë fazë e punimeve ndërtimore gjatë periudhës 2012–2024 nuk është shoqëruar me projekt, mbikëqyrje profesionale apo procesverbal inspektimi.

Në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit.

Numri i përgjithshëm i të akuzuarve në procesin gjyqësor është 35 persona dhe tri kompani. Mes tyre janë pronari dhe persona nga struktura e të punësuarve të diskotekës, ish-ministra të ekonomisë, ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë. Të gjithë do të gjykohen për të njëjtën vepër penale – “shkaktim të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.