Zjarri në depon në Falisht të Tetovës ende është aktiv, zjarrfikësit presin që të shuhet komplet (Video)

Zjarri që shpërtheu mëngjesin e djeshëm në depon “Evrokom” ku kishte hekurishte, sanitari, pajisje mobiliesh dhe prodhime të ngjashme, si dhe ngjyra dhe llak në fshatin Falisht të Tetovës është ende aktiv edhe përkundër intervenimit të ekipeve zjarrfikëse që kanë shuar gjatë gjithë natës. Nga objekti ende del tym. Nga zjarrfikësit e Tetovës për Portalb.mk theksuan se janë nga fundi i shuarjes së zjarrit.

Komandanti i zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti sonte në mbrëmje për Portalb.mk tha se “ende jemi aty dhe jemi nga fundi, shpresoj që na ka ngelur edhe pak”.

Ndërkaq më herët gjatë ditës sqaroi se gjatë gjithë natës kanë luftuar me flakët dhe kanë arritur ta vënë nën kontroll zjarrin dhe se presin që sot të bëjnë shuarjen e plotë.

“Siç shihet ende kemi zjarr dhe tym të dendur brenda objektit. Siç e dimë brenda tij ka pasur përmbajtje të llaqeve të ndryshme, bombola të gazit dhe gjithçka që shitet në këto depo të cilat i kemi në rajonin tonë. Sot besoj se do të bëjmë shuarjen totale të këtij zjarri. Është një situatë shumë e rëndë për ne si zjarrfikës dhe zjarrfikësit tjerë që na kanë ndihmuar si dhe kompanitë tjera që na kanë ndihmuar dje gjatë gjithë ditës”, deklaroi në mëngjes komandanti i zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti.

Nga objekti tani më i djegur vazhdon të del tym dhe në afërsi vjen erë e djegur.

Ndotja e këtillë sipas ministres së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukovës nuk mund të matet. Siç tha ajo, nuk kanë metodë të akredituar për matjen e substancave organike dhe se ajo që presin për momentin është të shohim analizat që do të bëjë Instituti i Shëndetit Publik.

Sipas Shukovës, direktivat parashikojnë që të matin 2.5 grimca, grimca 10.5 PM, CO, CO2. Por, substanca të tilla jo vetëm këtu, por edhe në Evropë sipas saj, nuk maten.

“Sa i përket asaj që ndodhi dje, është e qartë se do të ketë ndotje të ajrit, fatkeqësisht nuk mund ta matim, për shkak të substancave të paqëndrueshme organike. Qytetarët nuk duhet të dalin pa nevojë, dyert dhe dritaret e shtëpive duhet të mbyllen sepse sigurisht që po flasim për një hapësirë më të madhe, nuk do të jetë vetëm rreth vetë ndërtesës, është në atë që përhapet në ajër për qindra metra. Ato (grimcat) do të zbresin brenda disa ditësh. Unë nuk jam ekspert në atë fushë, por supozoj se meqenëse janë më të rënda, do të zhyten në tokë. Prandaj do të bëhen analiza mbi ujin dhe tokën për të parë se çfarë, çfarë do të ndotë në të vërtetë tokën dhe ujin”, tha Shukova.

Ministrja theksoi se duhet të bëhet dallimi mes asaj që është në nivel lokal dhe në nivel shtetëror.

“Kompani të tilla nuk hyjnë në sistemin e lejeve të integruara, as në nivelin A dhe as në atë B, por bien nën kontroll në bazë të një raporti të dorëzuar, i cili duhet të miratohet nga komuna. Tani komuna duhet të kontrollojë nëse ky objekt ka funksionuar me masat e parapara, veçanërisht masat kundër zjarrit dhe nëse ka raport për mbrojtjen e mjedisit”, tha Shkuova.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës përmes një reagimi njoftoi se ajri në rajonin e komunës është i pastër dhe grimcat e ndotjes janë në nivelin e lejuar.

“Sipas matjeve të cilësisë së ajrit dhe sipas njoftimit të IPSH “Qendra e Shëndetit Publik-Tetovë” ajri në qytetin e Tetovës nuk është i ndotur, edhe përkundër asaj se ende ka tym që vjen nga hapësira e kompanisë “ Evrokom” që dje u përfshi nga flakët. Rekomandimet e djeshme tashmë janë shfuqizuar dhe se ajri në qytetin e Tetovës është i pastër”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Reagoi Eco Guerila: Kontrolle rigoroze për fabrikat dhe depot ku ka materiale kimike

Lëvizja Eco Guerilla shprehi keqardhje për atë që ka ndodhur si dhe për ndotjen enorme të ajrin me ndikim negativ në shëndetin e qytetarëve dhe ambientin. Ata thonë se kjo është hera e dytë në Tetovë të ndodhin fatkeqësi me përmasa katastrofale.

“Është koha që institucionet relevante dhe Inspektoratet të rishikojnë rregullativat ligjore me të cilat do të ketë kontrolle dhe standarde më të rrepta për mbrojtje nga zjarri për fabrikat apo depot te të cilat ka materiale kimike nga djegia e te cilave mund të shkaktohen katastrofa të mëdha si këto. Po ashtu duhet të shqyrtohen nëse fabrika ose deponi si këto duhet të jenë afër vendbanimeve ose duhet të jenë në zona industriale larg vendbanimeve. Për fat të keq kultura e pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit me këtë sistem të rrënuar të drejtësisë ka marrë përmasa të mëdha në vendin tonë. Këto janë edhe pasojat që shpesh na ndodhin zjarre ku edhe njerëzit humbin jetën dhe askush nuk përgjigjet”, thonë nga Eco Guelilla.

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit ka paralajmëruar që sot do të kryhet inspektimi i jashtëzakonshëm në fabrikën e djegur në Falisht të Tetovës.

Doktor Ratko Davidovski nga Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë dje nga vendngjarja rekomandoi që mos të dilet jashtë pa nevojë pasi ajri është shumë i ndotur.

Rekomandimi ynë është të shmangni qëndrimin në këtë vend. Njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin jashtë. Pastaj do të bëhet testimi i ujit dhe i tokës”, tha Davidovski.

Për shkak të sasive të mëdha të kimikateve që u dogjën në zjarr, kreu i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), Stojançe Angelov, tha se nga Departamenti i Armëve Biologjike dhe Kimike në Armatë është kërkuar që të hetohet shkalla e ndotjes.

Zjarri në depon e “Evrokom” në Falisht të Tetovës ka rënë dje rreth orës 10:30. Shkaku i zjarrit sipas informatave ka qenë rryma elektrike, pasi depoja nuk ka pasur rrymë një ditë më parë dhe më pas të nesërmen kur rryma ka ardhur nuk ka qenë stabile dhe ka shkaktuar zjarrin. Në shuarjen e zjarrit përveç zjarrfikësve të Tetovës kanë marrë pjesë edhe zjarrfikëse nga Shkupi, Gostivari, Velesi, Kumanova dhe kompani private. Katër zjarrfikës të Tetovës për shkak të tymit morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Tetovës.