Ziberi: Institucionet nuk i respektojnë rekomandimet tona për përfaqësim adekuat dhe të drejtë në sektorin publik

Avokati i Popullit Naser Ziberi sot prezantoi Raportin e posaçëm për monitorimin e zbatimit të parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në sektorin publik dhe Raportin special nga analiza e të dhënave për përfaqësimin gjinor dhe arsimor për vitin 2022, transmeton Portalb.mk.

“Konstatimi i Avokatit të Popullit është se pothuajse të gjitha komunitetet më të vogla janë të përfaqësuara me një përqindje pothuajse identike të të punësuarve si në vitet e kaluara, që do të thotë se institucionet nuk i respektojnë plotësisht rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe për rrjedhojë nuk i zbatojnë planet e miratuara vjetore të punësimit në të cilën shprehet përfaqësimi etnik dhe zbatimi i parimit kushtetues të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë”, tha Ziberi.

Për nevojat e këtij hulumtimi, siç ka treguar Ziberi, janë dorëzuar kërkesa në gjithsej 1.325 institucione dhe autoritete, pas së cilës për herë të parë këtë vit janë pranuar përgjigjet nga të gjitha në formë elektronike.