Ziberi: Do të ishte gabim katastrofal nëse shfuqizohet balanseri i punësimeve në RMV

Do të ishte gabim katastrofik nëse shfuqizohet softueri që mundëson punësime në bazë të etnitetit, i quajtur shkurt “Balanser”, kështu vlerëson Avokati i Popullit, Naser Ziberi, në lidhje me debatin i cili po zhvillohet një kohë të gjatë, nëse ky mjet duhet të hiqet për shkak të keqpërdorimit, shkruan Portalb.mk.

“Unë shpesh herë kam zhvilluar debat publik se keqpërdorimet nuk mund të jenë argument për eliminimin e këtij përcaktimi, sepse do të ishte gabim katastrofik. Deri në vitin 2001 e kemi pasur atë situatë dhe gjendja ka qenë katastrofike, ne me garanci të këtilla kushtetuese dhe juridike po kemi problem e jo më me eliminimin e atij obligimi”, thekson Ziberi në promovimin e Barometrit të Përfaqësimit të Drejtë, të cilin e ka punuar Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi duke i shfrytëzuar të dhënat zyrtare të Avokatit të Popullit.

Siç shtoi Ziberi, për t’u eliminuar balanseri duhet të ndryshohet Kushtetuta.

“Edhe po të dëshirojë dikush nuk mund ta bëjë sepse është normë kushtetuese dhe në atë pjesë kushtetuta mund të ndryshohet vetëm në qoftë se edhe ne pajtohemi. E nëse ja bëjmë vetes atë dëm, atëherë nuk na ka faj askush”, shtoi Ziberi.

Ndryshe, në janar, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit njoftoi se do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese iniciativë për rishikimin e balanserit, i cili mundëson punësimin në institucionet shtetërore dhe publike sipas përkatësisë etnike.

Azir Aliu derisa ishte ministër i MSHIA-së në një intervistë për Portalb.mk në shtator të vitit 2023 tha se edhe nëse hiqet balanseri, duhet të zëvendësohet me diçka tjetër që të mbrohet struktura demografike e shtetit.

Ndryshe, problemi i ndryshimit të përkatësisë etnike vetëm sa për t’u punësuar është i kamotshëm. Në janar të vitit 2020, drejtori i Agjencisë së Administratës, Spase Gligorov, për Portalb.mk, deklaroi se ata nuk kanë mekanizëm ligjor me të cilin do ta parandalonin këtë situatë.

Kujtojmë se prej 20 dhjetorit deri në marrjen e vendimit përfundimtar, qytetarëve nuk guxon t’iu kërkohet të fusin të dhënat e kombësisë në certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes.

Nga Gjykata Kushtetuese, bënë të ditur se është miratuar një masë e përkohshme që nxjerr jashtë përdorimit Udhëzimin, deri në marrjen e vendimit përfundimtar për këtë çështje.

Udhëzimet për librat amë, në të cilat është shtuar grafa e kombësisë, janë miratuar nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, më 29 maj të këtij viti. Akti është botuar në “Gazetën Zyrtare” më 15 qershor, gjegjësisht 17 ditë nga miratimi i tij, ose më konkretisht 10 ditë nga skadimi i afatit ligjor për këtë procedurë.