Kush thotë se duhet ta harrojmë të kaluarën, që ta shijojmë dhe ta jetojmë vetëm të tashmen, na fton të harrojmë kulturën dhe trashëgiminë. Kush dëshiron të jetojë vetëm në të tashmen e përhershme, pa kujtesën për të kaluarën, nuk është subjekt, por objekt i shoqërisë dhe i historisë.
Ne jemi bijtë e së kaluarës, pavarësisht se çfarë thonë “shpirtrat modernë”. E kaluara banon në mendje e në shpirt dhe shfaqet në të tashmen e do të shfaqet në të ardhmen. Ne kemi në të kaluarën diçka nga vetja jonë dhe zëri i saj përherë na thërret.
Pa të kaluarën s’do të kishim as ëndrra e kujtime, pa të cilat jeta jonë do të ishte e zbrazët. Kudo ku shkojmë e mbartim të kaluarën si valixhe të mbushur me ëndrra, kujtime, dhimbje, trishtime, mall, përvoja.
Falë së kaluarës e dimë ku ishim, ku jemi dhe ku dëshirojmë të arrijmë. “Si do ta dimë se jemi, pa të kaluarën tonë?”, tha John Steinbeck-u.
Kultura është e lidhur me të kaluarën, pra me traditën dhe trashëgiminë. Kombet e humbin identitetin kur shkëputin lidhjet me të kaluarën, por edhe kur pushojnë të sjellin vlera të reja.
Të kaluarën mund ta dimë si ka qenë, kurse të ardhmen vetëm mund ta paramendojmë. Pa e njohur të djeshmen, s’mund ta njohim të sotmen dhe s’mund të kemi vizion për të nesërmen…
Njerëzimi i detyrohet të kaluarës, nga e cila shumëçka e ka marrë të gatshme. Alfabeti, për shembull, u shpik në të kaluarën dhe mundësoi e mundëson mbartjen e dijes, imagjinatës dhe përvojës njerëzore ndër kohëra e hapësira të ndryshme.
Ndonëse mund të duket kontradiktore me të sipërthënën, megjithatë, kush jeton vetëm sipas kodeve të së kaluarës, pa e dalluar çfarë është e vlefshme e çfarë anakronike, nuk jeton jetën e vet, por të stërgjyshërve. Për mbrothësinë e njeriut dhe të shoqërisë, duhet edhe shpirti krijues dhe pasurimi i vazhdueshëm kulturor.
Nga e kaluara mund të nxjerrim mësime, por edhe material urrejtjeje. Ajo duhet të shërbejë për ta ndriçuar dhe jo për ta errësuar të sotmen.
E kaluara nuk ndryshohet dhe nuk korrigjohet, pavarësisht tentimeve, por nëpërmjet mësimeve të saj mund të evitojmë gabimet e së sotmes dhe të ecim të sigurt drejt së ardhmes. Kush e dëgjon zërin paralajmërues të së kaluarës, shmang gabimet e së sotmes. Siç thuhet, ne duhet të jetojmë ashtu që nesër të mos frikësohemi nga e kaluara jonë dhe as të frikësohemi t’i pranojmë gabimet e së kaluarës, sepse, siç tha Alexander Pope-i, ata që nuk turpërohen t’i pranojnë gabimet e së kaluarës, vërtetojnë se janë më të mençur se ç’ishin dje.