Zelenski anuloi planin për të kërkuar ndihmë nga Amerika

Presidenti ukrainas, Zelenski, anuloi planet t’u lidhur drejtpërdrejt me video me ligjvënësit amerikanë për t’u bërë thirrje atyre që të miratojnë ndihmat për vendin e tij, ndërsa një betejë partiake lidhur me politikat amerikane të imigracionit kërcënon të minojë kërkesën e Presidentit Joe Biden për miliarda dollarë ndihma për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, shkruan VOA.

Republikanët dhe demokratët kanë debatuar për javë të tëra në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve mbi kërkesën e bërë në tetor nga Biden që Kongresi të miratojë një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin, dhe fonde për shtimin e sigurisë në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën dhe interesat amerikane në Indo-Paqësor.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, tha se fondet për Ukrainën, e cila po lufton agresionin rus që nga shkurti i vitit 2022, duhet të lidhen me një “ndryshim transformues” të politikës amerikane për imigracionin.

Senati i kontrolluar nga demokratët paraqiti një projektpropozim prej 110.5 miliardë dollarësh që trajton kërkesën e presidentit. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se ai do të përpiqet të thyejë ngërçin duke u ofruar republikanëve mundësinë për të shtuar një amendament për kufirin tek ligji i ndihmave për Ukrainën dhe Izraelin.

“…ishin republikanët ata që e ngritën çështjen e kufirit. Ata kanë përgjegjësinë nëse besojnë se çështja e kufirit duhet të lidhet me paketën e ndihmave për Ukrainën. Le të propozojnë një amendament që mund të marrë 60 vota”, tha Schumer në një konferencë shtypi.

Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, i cili foli menjëherë pasi Schumer bëri propozimin për amendamentin, tha se ai do t’i nxiste republikanët e Senatit që të votojnë kundër projektpropozimit të mbështetur nga Demokratët.

“Jemi seriozë kur flasim për ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si e mbrojmë kufirin tonë jugor si pjesë e paketës së plotë”, tha McConnell.

“Shpresoj që të gjithë anëtarët tanë të votojnë kundër”, tha republikani McConnell.

Anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit morën pjesë në takime informuese me dyer të mbyllura me zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Biden, ku pritej të fliste edhe Zelenski përmes një lidhje me video. Por Senatori Schumer njoftoi se udhëheqësi ukrainas nuk ishte në gjendje të merrte pjesë.

“Diçka ndodhi minutën e fundit”, tha për gazetarët Schumer.

Senatorët thanë se takimi i tyre ishte shoqëruar me nota të ashpra. Schumer tha se një ligjvënës, të cilin ai nuk e identifikoi, i kishte bërtitur një prej gjeneralëve të lartë.

Rikujtojmë se faqja e internetit e Departamentit të Shtetit liston në mënyrë transparente të gjitha llojet e ndihmës që SHBA-ja i ofron Ukrainës, por ato nuk i shkojnë personalisht Zelenskit, aq më pak për aktrim apo angazhim në aktrim, siç pretendon postimi. Që nga janari 2021, Shtetet e Bashkuara kanë investuar më shumë se 33.2 miliardë dollarë në ndihmë të sigurisë për të demonstruar mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Nevoja për ndihmën për të cilën bëhet fjalë është paraqitur prej në fund të nëntorit, kur Shtëpia e Bardhë u ra këmbanave të alarmit se ndihma e fundit që i është dhënë Ukrainës po mbaron me shpejtësi dhe se duhet miratuar pakoja e re e ndihmës.