Zekolli Shaqiri: Siguruam leje për ndërtimin e plotë të kampusit të ri në Universitetin “Nënë Tereza”
Zëvendësministrja e Transportit Kaltrina Zekolli Shaqiri në rrjetin social Facebook shkroi se kanë arritur të sigurojnë lejen për ndërtimin e plotë të kampusit të ri universitar në Universitetin “Nënë Tereza”, i cili siç tha ajo, ka një rëndësi të veçantë për përmirësimin e kushteve, sipas standardeve evropiane, për gjeneratat e ardhshme të studentëve dhe stafit akademik, transmeton Portalb.mk.
“Ky është një investim që arrin vlerën e 42 milionë eurove, ku do të përfshihet ndërtimi i një kompleksi universitar modern, amfiteatrove bashkëkohore, objekteve mësimore me standarde të larta, sallave sportive dhe pishinës për studentët. Një ekosistem i plotë ku zhvillohet mendimi kritik, profesionalizmi dhe kultura. UNT, falë investimeve të tilla në të ardhmen do të shndërrohet në një ndër qendrat universitare më moderne në rajon”, shkroi Zekolli.
Punimet në terren për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup janë zvarritur prej kohësh, procesi kishte ngecur në procedura administrative.
Nga Universiteti “Nënë Tereza” disa ditë më parë bënë të ditur se ende nuk është përcaktuar datë konkrete për fillimin zyrtar të punimeve ndërtimore të kampusit të ri.
“Aktualisht, aktivitetet që lidhen me kampusin e ri ndodhen në fazën e procedurave institucionale dhe administrative, në bashkëpunim me organet kompetente shtetërore. Universiteti ende nuk ka përcaktuar një datë konkrete për fillimin zyrtar të punimeve ndërtimore”, thanë nga UNT-ja.
Nga Universiteti “Nënë Tereza” theksuan se për çdo vendim të mëtejshëm ose përcaktim të një afati konkret kohor, opinioni publik do të informohet me kohë përmes kanaleve zyrtare të Universitetit. Mirëpo, në Facebookun e Universitetit nuk ka asnjë njoftim mbi këtë risi.
Kujtojmë se nëntorin e vitit të kaluar, Universiteti “Nënë Tereza” reagoi ndaj publikimeve për shkurtimin e buxhetit qeveritar për ndërtimin e kampusit universitar, duke theksuar se projekti nuk është anuluar dhe se do të realizohet në faza, ndërsa aktualisht procesi ndodhet në procedura institucionale dhe administrative.
Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 16 shtatorit 2025 miratoi vendimin që parcela e cila më parë i takonte kazermës së Armatës, t’i bartet në pronësi të përhershme Universitetit “Nënë Tereza”. Me këtë u hape rruga për dhënien e lejes për ndërtim të kampusit të këtij Universiteti.
Ish-zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, pati premtuar 40 milionë euro investime për kampusin e ri universitar, por ky buxhet nuk figuron në propozim-buxhetin e vitit 2026-të.
Kujtojmë se, prej kohës kur ministër i arsimit dhe shkencës ishte tashmë i ndjeri Abdilaqim Ademi, u premtua se do të ndërtohet objekti për Universitetin e Tetovës-Studimet e disperzuara në Shkup. Por, pas mbylljes së këtyre drejtimeve, u premtua se vendi dhe objekti do të ndërtohet për interesat e universitetit të ri në Shkup, Universitetit “Nënë Tereza”.
- LEXO: Zvarritet fillimi i punimeve për kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, procesi ende në letra
- LEXO: Universiteti “Nënë Tereza” reagoi në lidhje me buxhetin e planifikuar për ndërtimin e kampusit
- LEXO: Qeveria e RMV-së miratoi vendimin me të cilin parcela e kazermës së Armatës do t’i jepet Universitetit Nënë Tereza