Zekiri pas aktgjykimit: Kam zbatuar paramendim të Qeverisë dhe Bytyqit, do ta ankimoj vendimin

Ish sekretari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri, pas shpalljes së aktgjykimit, sipas të cilit ai u shpall fajtor dhe u dënua me dy vjet e gjysmë burg dhe detyrim për të kthyer në buxhetin e shtetit mbi 1.1 milion euro, para mediave deklaroi se do të ankohen në Apel që në tërë procesin, sipas tij, nuk është dëshmuar paramendimi i veprës, njofton Portalb.mk.

“Unë vetëm kam zbatuar paramendim të të tjerëve, gjegjësisht të Qeverisë, të cilat u propozuan nga zëvendëskryeministri i Çështjeve Ekonomike, Fatmir Bytyqi. Kam përmendur edhe në fjalët përfundimtare, shembujt në Qeveri, kur obligohet sekretari i përgjithshëm, në mënyrë eksplicite theksohet se kur është në pyetje zbatimi i furnizimeve publike, në këtë rast nuk ishte, a gjithashtu edhe këshilltarët juridik në Qeveri nuk kanë kundërshtuar. Nuk isha unë ai që i ka parë marrëveshjet, por i kanë parë ekspertët juridik në Qeveri dhe në asnjë moment nuk më kanë thënë se unë nuk duhet të nënshkruaj”, shtoi Zekiri.

Aktgjykimi nuk është i plotfuqishëm, palët kanë të drejtë të ankohen. Nëse vërtetohet në Apel aktgjykimi, në dënimin me burgim të shqiptuar i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, që nënkupton se Zekirit i mbetet të vuaj dënim me burg edhe 11 muaj

Zekiri u gjykua mbi akuzën e Prokurorisë, për lidhje kontratave për shërbime konsulente për analizimin e situatave në Postat dhe Hekurudhat e RMV-vë, pa procedurë për prokurim publik dhe me këtë, sipas Prokurorisë, e ka “keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar”.