Posta e Maqedonisë me vite i humb letrat, shkakton probleme financiare, drejtorët në gjum

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut tashmë me vite ankohen për mosfunksionimin e Postës së Maqedonisë së Veriut dhe problemeve të saja me vonesën e porosive me muaj, mungesën e postierëve, humbjet financiare si dhe vonesën e pagave të punonjësve. Ndërkaq, edhe pse Qeveria bëri një studim fizibiliteti edhe debatoi për privatizimin e saj, nga autoritetet ende nuk ka zgjidhje. Drejtorët heshtin për të dhënë shpjegime për institucionin i cili është bë “barrë” për shtetin dhe problem për qytetarët, shkruan Portalb.mk.

Posta e Maqedonisë së Veriut, e cila është në pronësi të shtetit me vite me radhë punon në humbje. Për shkak të vështirësive të Postës, Qeveria në vitin 2020 e hapi edhe debatin për privatizimin e saj dhe për këtë arsye Qeveria angazhoi edhe një kompani të kryejë një studim të fizibilitetit të postës. Mirëpo, ky studim hapi telashe tjera për postën, pasi ish sekretari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri u akuzua dhe u dënua me dy vite e gjashtë muaj burg për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, për arsye se ka lidhur kontratë për analizimin e situatës së postës pa procedurë për prokurorim publik.

Për të analizuar studimin e fizibilitetit të Postës, Portalb.mk në bazë të Ligjit  për Qasje në Informata me Karakter Publik dërgoi kërkesë për qasje te studimi te Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe te Posta e Maqedonisë.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi , në dëshminë e tij në procesin gjyqësor konfirmoi se Posta e Maqedonisë është e mbingarkuar me mbi 250 punonjës të panevojshëm. Sipas, deklaratës së Bytyqit, studimi përdoret mirëpo çështja ka mbetur e pazgjidhur për shkak të ndërrimit të drejtorit të postës, që në atë kohë ishte Jani Makraduli, dhe më pas në vend të tij erdhi Vasko Stefanov dhe pas shkarkimit edhe të tij erdhi në pozitë edhe drejtoresha aktuale e postës, Bujare Abazi.

Në ueb faqen e Postës së Maqedonisë qendron edhe tabela e strukturës së Postës, ku shkruhet se në Postë ka pozita për gjithçka duke përfshirë drejtor për teknologji informatike dhe drejtor për marketing, mirëpo përsëri Posta funksionon me sistem jo të digjitalizuar, ndërkaq për çështjen e marketingut, flasin ankesat e qytetarëve.

Për vështirësitë e Postës, gjegjësisht sfidat financiare të Postës së Maqedonisë së Veriut tregon edhe analiza e Institutit për Demokraci dhe Analiza Ekonomike – IDEA me titull “Posta e Maqedonisë së Veriut: Barrë apo pasuri shtetërore” e kryer në tetor të vitit 2023, e cila ka analizuar të hyrat dhe harxhimet e Postës së Maqedonisë së Veriut nga viti 2015 deri në vitin 2022.

“Në njërën anë shpenzimet e larta dhe në rritje, të cilat vijnë kryesisht nga fuqia e madhe punëtore e angazhuar në Postë, ndërsa në anën tjetër të hyrat gjithnjë e në rënie si pasojë e ndryshimeve në formën e komunikimit dhe transferimit të ‘letrave’, si dhe pamundësisë së Postës për të konkurruar në tregun e lirë në rritje, Posta e RMV viteve të fundit shënon humbje dhe borxhe rekorde që arrijnë shumën e mbi 3 milion 2.5 milion eurove respektive“, thuhet në analizën e IDEA-s.

Edhe pse në Postë janë të punësuar më shumë persona se që është e nevojshme dhe punon vazhdimisht me humbje, Posta përsëri nuk funksionon siç duhet edhe qytetarët nuk shërbehen.

Në ndërkohë Unioni Postar Universal, një agjenci e specializuar përgjegjëse për sektorin postar e Kombeve të Bashkuara (OKB), në dhjetor të vitit 2023, në rrjetet sociale ka bërë të ditur se do të kryejë një studim të ri fizibiliteti për sfidat e Postës së Maqedonisë së Veriut si pjesë e programit të tyre për analizim të cilësisë së menaxhimit të shërbimeve postare.

“Ekspertët e UPU-së do të kryejnë një vlerësim gjithëpërfshirës të Postës së Maqedonisë së Veriut, do të vlerësojë sfidat e vazhdueshme të cilësisë së shërbimit në vend, si pjesë e Programit QSC të UPU-së. Vlerësimi do të ndihmojë në identifikimin e përmirësimeve operative që do të rrisin cilësinë e performancën e shërbimit postar, si dhe do të transferojë njohuri për zbatimin e përmirësimeve” thuhet në njoftimin e agjencisë  së OKB-së, UPU.

Qytetarët e RMV-së ankohen se Posta i vonon letrat apo nuk i dërgon aspak

Përderisa autoritetet kryejnë analiza për funksionimin e postës, qytetarët ankohen se përpos që presin me muaj të tëra për porositë e tyre,  vonohen edhe letrat zyrtare siç janë ftesat gjyqësore dhe qytetarët janë gjobitur në mungesën e tyre për shkak se ata nuk kanë qenë të informuar në kohë apo aspak për të shkuar në seancë gjyqësore.

Për një shkelje në komunikacion, Gjykata më ka gjobitur në mungesë pasi që Posta nuk ma ka sjellë letrën për të shkuar në seancë gjyqësore. Madje, Posta nuk ka sjellë as letrën e gjobës, por për gjobën e kam kuptuar pasi që më është bllokuar llogaria bankare. Kështu, le që kam paguar gjobën, por kam paguar edhe taksën për bllokim-zhbllokim të llogarisë bankare.“, thotë një qytetar për Portalb.mk.

Një qytetar tjetër tregon se për një porosi ka pritur pesë muaj që ta marrë dhe se një tjetër porosi ende po e pret që nga muaji dhjetor.

“Më ka ardhur një letër pas 5 muajve që të shkoj ta marr paketën. Kam edhe një paket që ma kanë dërguar në dhjetor edhe ajo nuk më ka ardhur”, tha një qytetar.

Një tjetër reagim është postuar edhe në faqen e Facebook-ut “Duam Çair të Pastër” , një qytetar ka reaguar se porositë vonohen edhe se kur është ankuar, punonjësit i kanë thënë se kjo ndodh për shkak të mungesës së personelit.

“Porositë qe porositen nga shtetet e jashtme pa marr parasysh nga ku në Shkup mund të mbërrin për 7-8 ditë, ka mundësi që prej Kine të mbërrin por pasi që vjen në Shkup këtu fillon problemi, porosia vonohet më tepër se 1 muaj. Isha te posta të interesohem dhe aty më thanë se e dinë për problemin e vonesës së porosive, por se nuk kanë se çka të bëjnë, sepse më parë aty ku shpërndahen porositë ka pasur më shumë se 10 punonjës ndërsa tash janë vetëm tre.” shkruhet në postim.

Në një tjetër postim të faqes Duam Çair të Pastër, në shtator të vitit 2023, një qytetar ka dërguar fotografi të një grumbull të faturave të rrymës të hedhura në koshin e mbeturinave.

Faturat e rrymës të hedhura në koshin e mbeturina, foto nga DÇP
Faturat e rrymës të hedhura në koshin e mbeturina, foto nga DÇP

Edhe pse faturat e rrymës janë të qashme online, qytetarët më të moshuar të cilët nuk kanë njohur t’i përdorin  platformat online, varen nga Posta që t’i dërgojë faturat në formë letre.

Një tjetër qytetare e cila jeton në lagjen e Karposhit në Shkup, gjithashtu tregoi se ka pasur probleme me faturat e rrymës të cilat janë vonuar.

“Për shkak të postës, na vonohen edhe faturat, fatura e fundit e rrymës që ka ardhur ishte për periudhën 15 nëntor deri 14 dhjetor, ndërsa e janarit ende nuk ka ardhur”, tha një qytetare.

Kush është përgjegjës për (mos)funksionimin e Postës së Maqedonisë së Veriut?

Për funksionimin e Postës së Maqedonisë së Veriut janë përgjegjëses udhëheqësi i Postës, në këtë rast drejtori i përgjithshëm dhe Agjencia Postare.

Prej themelimit, Posta ka pasur 13 drejtorë të përgjithshëm, ndërkaq i fundit është Bujare Abazi.

Nga ana tjetër, me Agjencinë e Postës, i cili është organ i themeluar nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, i cili ka për detyrë të sigurojë zhvillimin e vazhdueshëm dhe të rregullt të postës dhe momentalisht udhëhiqet nga Sreten Miladinovski.

Portalb.mk kontaktoi Abazin dhe Miladinovskin, por deri në publikimin e tekstit nuk morëm përgjigje.

Derisa udhëheqësit heshtin të flasin për gjendjen katastrofike të Postës, Portalb.mk, ka siguruar disa deklarata të qytetarëve të cilët tregojnë përvojën e tyre me Postën.