Fjalët përfundimtare, Muhamed Zekiri: 593 ditë agoni në të cilat jeta imë është përmbysur, as fajtor e as borxhli

593 ditë zgjatë drama ime personale as fajtor e as borxhli, siç dëshmoi rrjedha e  gjykimit, 593 ditë agoni në të cilat jeta imë është përmbysur, aq ditë kanë vuajtur edhe anëtarët e familjes time, të cilët janë edhe më pak fajtor dhe borxhli. Me këto fjalë i nisi fjalët përfundimtare, ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Muhamed Zekiri, i cili po gjykohet për akuzë të Prokurorisë, për lidhje kontratave për shërbime konsulente për analizimin e situatave në Postat dhe Hekurudhat e RMV-vë, pa procedurë për prokurim publik dhe me këtë, sipas Prokurorisë, e ka “keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar”, njofton Portalb.mk.

“Kur më 8 prill të vitit të kaluar u dërgova në paraburgim, shefja e atëhershme e Prokurorisë Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Vilma Ruskoska, para mediave tha se jam i dyshuar se janë paguar 145.000 euro më shumë se sa ka qenë vlera e marrëveshjes kontestuese me firmën kroate Interholding për hartimin e studimit të fizibilitetit për Postat e Maqedonisë. Pasi që u bë i qartë iluzioni i Prokurorisë së nuk bëhet fjalë për përvetësim eventual të paligjshëm, por tatim të vlerës së shtuar, dyshimin Prokuroria e evakuoi në “Keqpërdorim të detyrës”, tha Zekiri.

Ai shtoi se ka dyshim se me hapjen e procedurës, në shënjestër është ai personalisht dhe jo respektimi i shtetit ligjor nga ana e bartësve të funksioneve publike.

“Në fakt, në atë tregon edhe mbajtja ime në paraburgim deri në skadimin e afatit maksimal ligjor, pa u plotësuar tre kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit. Domethënë, çfarë mbeti nga të gjitha akuzat në fund të këtij procesi. Më nënvizohet se me keqpërdorim të detyrës zyrtare, me paramendim, kam përvetësuar dobi për të tjerët. Detyra zyrtare, gjegjësisht të drejtat dhe detyrimet e sekretarit të përgjithshëm janë të rregulluara në mënyrë strikte në dispozitat e Ligjit për Qeverinë e RMV-së dhe Rregulloren e Qeverisë, siç thanë edhe mbrojtësit e mi paraprakisht, prej tyre del në mënyrë eksplicite se sekretari gjeneral e organizon zbatimin e konkluzave të Qeverisë dhe merr pjesë në punën e seancave të Qeverisë, pa të drejtë vendimmarrje”, tha Zekiri.

Më tej, ai tha se zv.kryeministri Bytyqi, ministri Boçvarski, drejtori i Postave Makraduli, si dëshmitarë kanë konfirmuan se pa vërejtje e kanë miratuar studimin e fizibilitetit për ristrukturimin e Postave të RMV-së dhe se ajo tanimë shfrytëzohet.

“Ministri Boçvarski, madje para Gjykatës konfirmoi se të dhënat e këtij studimi përdoren edhe në procesin e skriningut në bisedimet për anëtarësim në BE, si pjesë nga përpjekjet e Qeverisë për gjetjen e zgjidhjes për problemet me humbësit e mëdhenj, siç janë Posta dhe Hekurudhat e Maqedonisë. Theksoj se në inicimin e kësaj çështje në Qeveri, nuk kam pasur e as kam mundur të kem çfarëdolloj roli pasi që nuk kam autorizim ligjor. Pyetem se si ky rast fare ka mundësi të jetë keqpërdorim i funksionit siç theksohet me aktakuzë, dhe nuk mund të bëhet fjalë për dëm të shkaktuar kur çmimi i studimeve është në kuadër të financave të caktuara nga Qeveria dhe studimi tanimë zbatohet. Unë si sekretar i përgjithshëm vetëm kam zbatuar konkluzë qeveritare që ka qenë dhe obligim i imi ligjor. Nëse vepra penale “Keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar” mund të kryhet vetëm me paramendim, në këtë rast assesi nuk mund të jem i akuzuar për vepër të tillë penale, pasi që unë vetëm kam kryer mendime të tjerëve, dhe jo mendim timin. Prokuroria në këtë proces, nuk e ka përshkruar e as e ka dëshmuar keqpërdorim dhe paramendim timin”, tha Zekiri.

Sipas tij, çmimi për studimin e fizibiliteteve, është në kuadër të mjeteve buxhetore paraprakisht të planifikuara nga Qeveria.

“Mbetet e papërgjigjur pyetja se si Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka konstatuar se është shkaktuar dëm i buxhetit – e as sa është ai dëm. Në këtë pikëpamje mendoj se nuk janë prezantuar kurrfarë provash. Me realizimin e ristrukturimin e Hekurudhës, sipas modeleve të propozuar anë studimin e fizibilitetit dhe Postave të Maqedonisë, do të parandiheshin dëme të mëtutjeshme të mjeteve të shtetit, ndërkaq me ndërprerjen e realizimit të të njëjtave për shkak të hapjes së procedurës penale, Posta dhe Hekurudha çdo ditë vazhdojnë të krijojnë humbje milionëshe. Mu këto ditë ishit dëshmitarë se Qeveria intervenoi me mjete financiare në vlerë prej 15,6 milionë euro për mbulimin e humbjeve të Hekurudhave të Maqedonisë. Parashtrohet pyetja, cili në fakt i shkakton dëm buxhetit të shtetit. Siç theksuan dhe mbrojtësit, është e çuditshme se pse nga firma Pricevaterhousekuper nuk ka konfiskuar kurrfarë prone, për dallim prej Interholdingut, e cila e ka punuar studimin e fizibilitetit për Postat, edhe pse do të ishte mirë ta bëjë, nëse thekson se mjetet janë prej veprës penale”, tha Zekiri.

Në fund, Zekiri tregoi dhe problemet e tij gjatë kësaj periudhe të cilat kanë ndikuar në jetën e tij private dhe mirëmbajtjen e familjes me të ardhura.

“Deri tani, as kam qenë i dënuar e as kam pasur probleme me ligjin dhe kam qenë bashkëpunues gjatë tërë procedurës.  Me aktgjykimin lirues, gjykata do t’i vë fund agonisë dhe vuajtjes time, por edhe të anëtarëve të familjes time, të cilët 593 ditë jetojnë jetë në hije të rëndë, si dëm kolateral i kësaj akuze. Në fillim të vitit, papritur ndërroi jetë vëllai im më i vogël, i cili la tre fëmijë të mitur. Shkurt pas kësaj, ashtu siç e kam argumentuar para gjykatës, bashkëshortes time i diagnostikohet sëmundje e rëndë. Mjekimi i saj zgjatë tanimë nëntë muaj dhe ende nuk ka mbaruar dhe nuk e dimë se sa do të zgjatë dhe si do të mbarojë. 593 ditë, pasi që jam stigmatizuar në opinion, nuk kam pasur mundësi të realizoj të ardhura për mirëmbajtje të katër fëmijëve – tre të mi dhe një nga martesa paraprake e bashkëshortes që jeton bashkë me ne”, theksoi Zekiri, duke shtuar se në këtë periudhë, të gjitha obligimet materiale bien në barrën e prindërve të bashkëshortes, të cilët prej jashtë kanë ardhur në Shkup.

Ai porositi gjykatën që në atmosferë të bindjes së përgjithshme të korruptimit të politikës në tërësi, nuk duhet të lejojë që përskaj të thatit të digjet edhe i njomi, pasi akuzat e Prokurorisë sipas tij janë të pabaza.

Nga ana tjetër, Prokuroria nuk heq dorë nga akuza, sipas të cilës, Zekiri në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence me një kompani me vlerë totale prej gati një milion euro, gjegjësisht janë paguar 147.000 euro më shumë se 795.000 të rënë dakord paraprakisht. Për këtë, Zekiri tërësisht mohon duke theksuar se vlera e 147.000 eurove është për TVSH.

“I akuzuari në cilësinë e sekretarit të Qeverisë duke vlerësuar se vepron sipas obligimit nga seanca e 67-të ka ndërmarrë veprime zyrtare, të cilat ka pasur autorizim t’i kryejë, por me veprimet zyrtare i ka tejkaluar autorizimet zyrtare. Në vend që të zbatojë procedurë për furnizim publik, duke i zbatuar dispozitat e Ligjit për Furnizime Publike, ai pa zbatimin e procedurës, ka vepruar në kundërshtim me nenet 23, 40, 41 dhe 47 të Ligjit për Furnizime Publike. Ai ka nënshkruar marrëveshje direkte me personin juridik, Shoqatën për Menaxhment dhe Shërbime Konsulente – Interholding SHPK Shkup, i cili është formuar më 15.04.2021, që do të thotë se është formuar vetëm 12 ditë para miratimit të konkluzës konkrete nga ana e Qeverisë, edhe atë e themeluar nga ana Interfinance – Zagreb nga Kroacia dhe tanimë i akuzuari Daniel Ivanoviç nga Republika e Kroacisë, i cili është regjistruar edhe si udhëheqës i personit juridik. Më 26.04.2021 është nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim ekonomik mes personit juridik Interholding dhe i akuzuari Daniel Ivanoviç, me të cilin Interholding e autorizon të njëjtin për kryerje të detyrave që përfshin përgatitje dhe dorëzim të projektit që përfshin incizim të thellë, përpunim të studimit të fizibilitetit dhe vlerësim të vlerës së kompanisë si dhe zgjidhje ideore të sistemit të kontrollit të Postës me vlerë nuk kalon 795.000 euro në kundërvlerë të denarit pa TVSH”, tha sot prokurorja Katerina Kolareviq.

Prokurorja tha se “dukshëm nga të gjitha provat, është se Interholding prej momentin kur është themeluar prej 15.04.2021 ka bërë vetëm një bashkëpunim ekonomik dhe ajo është marrëveshje me sekretarin e përgjithshëm”.

“Në bazë të Provave gjykata mund të shohë se si janë paguar shërbimet nga ana e Qeverisë, nëpërmjet Sekretarit të Qeverisë të përfaqësuar nga Muhamed Zekiri për dy marrëveshje. Nga mbrojtja qartë dalin rrethanat se shërbimet konsulentë të cilat Qeveria e RMV-së ia ka paguar personit juridik Interholding në vlerë prej 57.932.100 denarë për rikonstruim të Postës, ka rezultuar me përgatitjen e studimit, i cili si provë është nxjerrë para kësaj gjykate, edhe pse kanë dhënë modele përkatëse për ristrukturim të ndërmarrjes në afat prej 1.5 vjet, sot edhe pas dy viteve të kaluara, nuk e ka realizuar qëllimin e marrëveshjes e ai është zgjedhja e modelit përkatës dhe fillimi i procesit të ristrukturimit Posta e RMV-së. Është fakt se edhe sot e kësaj dite, këto dy ndërmarrje përballen me të njëjtat probleme të gjenerimit të humbjeve”, tha prokurorja.

Pas fjalëve përfundimtare, gjykatësja Fanka Jançuleva Mihailovska tha se më 1 dhjetor në ora 13:00 do të shpallet aktgjykimi.