Gjykata e Apelit pranoi ankesën e Muhamed Zeqirit, rasti kthehet në rigjykim
Gjykata e Apelit në Shkup e ka shfuqizuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zeqiri për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe e ktheu lëndën në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, transmeton Portalb.mk.
Duke vepruar në lëndën penale KOKZH-16/24, pas seancës publike të mbajtur më 5 qershor të këtij viti, më 6 shtator, Gjykata e Apelit në Shkup ka marrë aktvendim me të cilin pranoi ankesën e të akuzuarit M.Z. dhe aktgjykimi i Gjykatës Themelore Penale Shkup, pas ankesës dhe sipas detyrës zyrtare, është anuluar dhe lënda është kthyer në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
“Gjatë rigjykimit është e nevojshme që gjykata e shkallës së parë të paraqesë provat e propozuara nga palët për të vërtetuar faktet vendimtare të cekura në këtë vendim, pra pas zbatimit të procedurës së provës dhe paraqitjes së provave të propozuara nga palët, në varësi të asaj që është vërtetuar, me zbatimin e drejtë të Kodit Penal, gjykata e shkallës së parë duhet të vendosë për ekzistencën e veprës penale në fjalë dhe përgjegjësinë penale të të pandehurit, duke marrë një vendim gjyqësor të drejtë dhe të ligjshëm. të cilat mund të hetohen në mënyrë të plotë dhe të besueshme”, thuhet në vendimin e Apelit.
Zeqirin, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore Penale e Shkupit e shpalli fajtor dhe e dënoi me dy vjet e gjashtë muaj burg për veprën e keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, përkatësisht sipas nenit 353 paragrafi 4 i Kodit Penal, për të cilin me ndryshimet e fundit të Kodit është paraparë dënimi prej një deri në pesë vjet.
Ai u akuzua për lidhjen e dy kontratave për shërbime konsulente pa kryerjen e procedurës përkatëse për prokurim publik. Përveç dënimit me burg, gjykata e ka urdhëruar kompensimin e dëmit të shkaktuar në Buxhetin e Shtetit në shumë prej 71.338.336 denarë.